Në prag të fillimit të zbatimit të sistemit “Safe City”, i cili fillimisht do të implementohet në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, qyteti i Tetovës aktualisht rezulton i papërgatitur sa i përket infrastrukturës dhe sinjalistikës rrugore, shkruan gazeta KOHA.
Në rrugët kryesore dhe bulevardet e Tetovës nuk janë vendosur shenja paralajmëruese që sinjalizojnë praninë e kamerave për matjen e shpejtësisë. Po ashtu, në shumë prej bulevardeve kryesore mungojnë edhe shenjat që tregojnë shpejtësinë maksimale të lejuar, gjë që ka ngritur dilema serioze në opinion lidhur me zbatimin korrekt dhe të drejtë të sistemit “Safe City”.
Një problem shtesë mbetet edhe sinjalizimi vertikal dhe ndriçues, i cili në shumë raste është jashtë funksionit ose nuk punon në mënyrë të rregullt. Nga Komuna e Tetovës bëjnë të ditur se tenderi për furnizim me sinjalizim horizontal dhe vertikal është mbyllur dhe tashmë është përzgjedhur kompania fituese, ndërsa për këtë qëllim nga buxheti komunal janë ndarë 250 mijë euro. Zëvendëskryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, deklaron se në fillim të këtij muaji është hapur prokurimi publik për vendosjen e sinjalistikës ndriçuese, semaforëve dhe shenjave të komunikacionit.
“Është zgjedhur kompania dhe aktualisht jemi në fazën e ankesave. Besojmë se nga fillimi i muajit të ardhshëm do të nisë realizimi, përkatësisht vendosja e shenjave të komunikacionit, përfshirë edhe shenjat për matjen e shpejtësisë që lidhen me sistemin ‘Safe City’, i cili pritet të votohet dhe të hyjë në fuqi më 1 shkurt. Do të ketë edhe shenja paralajmëruese për kamerat, si dhe vendosje të semaforëve të rinj, ndërsa pjesë e këtij prokurimi janë edhe renovimet e semaforëve ekzistues”, tha Qamili.
Megjithatë, aktualisht mungesa e sinjalizimit adekuat është e dukshme në bulevardet kryesore të qytetit. Në bulevardin “Ilinden” pothuajse askund nuk ka shenja që tregojnë shpejtësinë maksimale të lejuar, ndërsa situatë e njëjtë vërehet edhe në bulevardin “Vidoja Smilevski – Bato”. Për më tepër, mungojnë edhe shenjat paralajmëruese për kamerat e matjes së shpejtësisë, ndonëse kamera tashmë janë vendosur në të dy bulevardet.
Problem në vete paraqet edhe parkimi në Tetovë, ku pothuajse gjatë gjithë ditës, përmes shërbimit të “merimangës”, largohen rreth 20 automjete për parkim të parregullt.
Sipas ekspertëve të komunikacionit, një tjetër sfidë në implementimin e sistemit “Safe City” është kaosi i përgjithshëm në komunikacionin rrugor në Tetovë. Ata theksojnë se, krahas vendosjes së shenjave të shpejtësisë para kamerave, është e domosdoshme të vendosen shenja edhe pas kamerave, të cilat aktualisht mungojnë në të gjithë qytetin. Nga Komuna e Tetovës sigurojnë se qyteti do të mbulohet me shenja paralajmëruese në të gjitha lokacionet ku do të funksionojnë kamerat për matjen e shpejtësisë dhe evidentimin e shkeljeve të tjera në komunikacion.
