Disa ditë pasi ligjvënësit francezë votuan për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez premtoi të mbrojë fëmijët e Spanjës “nga Perëndimi i Egër digjital”.
“Fokusi i veçantë mbi të miturit vjen për shkak të rrezikut të shtuar të dëmeve afatgjata, pasi ata ende po zhvillohen kognitivisht,” i tha DW Paul O. Richter, bashkëpunëtor i lidhur me think tank-un Bruegel me bazë në Bruksel. “Ekziston shumë hulumtim që tregon korrelacione të forta midis përdorimit të mediave sociale dhe problemeve të shëndetit mendor.”
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjithashtu ka shprehur mbështetje për një kufi moshe në të gjithë BE-në, në përputhje me një ligj të ri australian që vendosi kufirin e moshës 16 vjeç për përdorimin e rrjeteve sociale.
Por si mund të zbatohet një ndalim i tillë ― dhe a do të funksiononte vallë?
Cilat vende evropiane po mendojnë të ndalojnë rrjetet sociale për fëmijët?
Në Francë, projektligji do të dërgohet tani në senatin e parlamentit francez për votim.
Në Spanjë, pritet që Këshilli i Ministrave të miratojë ndalimin
“Sot, fëmijët tanë janë të ekspozuar ndaj një hapësire që kurrë nuk ishte menduar ta lundronin vetëm, një hapësirë varësie, abuzimi, pornografisë, manipulimit dhe dhunës,” tha Sanchez ndërsa njoftoi ndalimin e propozuar.
Edhe vende të tjera evropiane po konsiderojnë një ndalim të rrjeteve sociale për fëmijët .
Në fund të vitit 2025, Danimarka vendosi të mbrojë fëmijët dhe të rinjtë nga keqtrajtimi online dhe “të krijojë një kuadër më të mirë ligjor për jetën e tyre digjitale.”
Italia ka prezantuar gjithashtu një projektligj në parlamentin italian për të vendosur kufizime në mediat sociale, përfshirë edhe për influencuesit fëmijë nën moshën 15 vjeç.
Orët e shfletimit të përmbajtjeve jan të dëmshme po riformatojnë trurin e të rinjve dhe shkaktojnë ankth e rreziqe për shëndetin, thonë ekspertët.
Javën e kaluar, Portugalia paraqiti një projektligj që kërkon pëlqimin e prindërve për fëmijët nën moshën 16 vjeç për të aksesuar përmbajtjen e rrjeteve sociale.
Austria gjithashtu po shqyrton një ndalim të rrjeteve sociale, ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka nisur një proces konsultimi mbi këtë çështje.
Ndërkohë, parlamentarët evropianë nëntorin e kaluar (2025) rekomanduan një ndalim të mediave sociale në të gjithë Evropën për fëmijët nën moshën 16 vjeç, ndërsa sugjeruan që adoleshentët 13 deri në 16 vjeç të mund të kenë qasje me pëlqimin e prindërve.
Një ide që po diskutohet për verifikimin e moshës është një ID digjitale në të gjithë BE-në. Richter, bashkëpunëtor i lidhur me Bruegel, tha se ID-ja digjitale e BE-së parashikohet si një mjet që do të verifikonte moshën e përdoruesit pa kompromentuar të dhënat personale.
“Do t’u lejonte njerëzve të verifikonin në mënyrë digjitale se janë mbi një moshë të caktuar pa pasur nevojë për të regjistruar asnjë të dhënë personale shtesë, si data e lindjes, emri, adresa ose numri i identifikimit. Kjo do të lehtësonte zbatimin e një kufizimi moshor digjital,” tha Richter.
Eksperti: Ndalimi i mediave sociale nuk do të lehtësonte ‘problemet strukturore’
Richter u pajtua se mungesa e kërkimeve të mjaftueshme e bën të vështirë të argumentohet në mënyrë përfundimtare për një moshë specifike si kufiri optimal.
Vetëm BE-ja mund të detyrojë platformat online të bëjnë ndryshime sistematike
Bashkimi Evropian ka mbështetur një moshë madhore digjitale, por ka paralajmëruar shtetet anëtare që të mos shkelin Ligjin e tij për Shërbimet Digjitale (DSA), i cili kërkon nga kompanitë teknologjike të zbusin rrezikun lidhur me algoritmet dhe ndikimin te të miturit.
“DSA dhe Komisioni i BE-së janë entitetet e vetme që mund të vendosin detyrime shtesë mbi platformat shumë të mëdha,” u tha gazetarëve Thomas Regnier, zëdhënësi i Komisionerit për Teknologjinë.
Para një jave, Elon Musk, pronari i platformës së mediave sociale X, e etiketoi kryeministrin e Spanjës “një tiran dhe tradhëtar të popullit të Spanjës,” pasi ky i fundit njoftoi planet e tij për të ndaluar mediat sociale për fëmijët.
