Site icon Tetova Expres

Paga minimale prej 600 eurosh nuk kaloi në komisione! Deputetët do të vendosin në seancë plenare

Ndryshimet ligjore për rritjen e pagës minimale në 600 euro, të propozuara nga LSDM-ja, nuk kaluan në Komisionin për çështje ekonomike, punë dhe politikë energjetike, as në atë ligjvënës-juridik. Nuk kaloi as propozimi për dialog trepalësh, përkatësisht debat publik para deputetëve në Kuvend mes punëdhënësve, sindikatave dhe Qeverisë.

-Ju lutem të votojmë. Kush është për?

Tre.

-Kush është kundër?

Asnjë.

Advertisement

-A ka ndonjë të përmbajtur?

Nuk ka.

-Konstatoj se propozimi nuk pranohet.

Edhe pse propozimi nuk kaloi në komisione, megjithatë për të deputetët do të vendosin në seancë plenare.

Debati kaloi me përpjekjet për bindje dhe argumente nga ana e opozitës pse duhet të rritet paga minimale. Propozimi i LSDM-së është që minimalja nga marsi i këtij viti deri në marsin e vitit të ardhshëm të rritet në 36.960 denarë, ndërsa me rritjen e minimaljes të harmonizohen edhe të gjitha pagat e tjera.

Advertisement

“Së bashku ta dërgojmë atë mesazh se kur bëhet fjalë për qytetarët, kur bëhet fjalë për punëtorët, nuk do të ketë ideologji politike që mund të na ndajë, sepse nëse për shumë çështje të tjera që janë në interes të partive politike mund të gjejmë zgjidhje ligjore që do të ishin konsensus, do ta përmend Kodin Zgjedhor, atëherë pse të mos mund të kemi ndonjë konsensus rreth ligjit për pagën minimale”, pohoi Oliver Spasovski, deputet LSDM.

Deputetët e pushtetit nuk debatuan në shqyrtimet komisionale. Vetëm deputeti nga ZNAM, Mile Cekov, shprehu qëndrim personal se paga minimale duhet të rritet.

“Paga jonë minimale sot është më e ulëta në rajon, edhe pse produktiviteti për orë pune, që është 34 dollarë, ndoshta është një nga më të lartët në rajon. Për shembull në Serbi, Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi kanë pagë minimale më të lartë se Maqedonia, ndërsa produktivitet më të ulët për orë pune krahasuar me punëtorin tonë”, Mile Cekov, deputet Lëvizja ZNAM.

Ndërkaq, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë i la afat Qeverisë dhe punëdhënësve deri në fund të shkurtit që të bien dakord për rritjen e pagës minimale në 600 euro. Në të kundërtën, për mars paralajmërojnë edhe një protestë tjetër, por edhe grevë të përgjithshme në sektorin publik dhe privat.

Advertisement
Exit mobile version