Lajme nga vendi
Paga minimale prej 600 eurosh nuk kaloi në komisione! Deputetët do të vendosin në seancë plenare
Ndryshimet ligjore për rritjen e pagës minimale në 600 euro, të propozuara nga LSDM-ja, nuk kaluan në Komisionin për çështje ekonomike, punë dhe politikë energjetike, as në atë ligjvënës-juridik. Nuk kaloi as propozimi për dialog trepalësh, përkatësisht debat publik para deputetëve në Kuvend mes punëdhënësve, sindikatave dhe Qeverisë.
-Ju lutem të votojmë. Kush është për?
Tre.
-Kush është kundër?
Asnjë.
-A ka ndonjë të përmbajtur?
Nuk ka.
-Konstatoj se propozimi nuk pranohet.
Edhe pse propozimi nuk kaloi në komisione, megjithatë për të deputetët do të vendosin në seancë plenare.
Debati kaloi me përpjekjet për bindje dhe argumente nga ana e opozitës pse duhet të rritet paga minimale. Propozimi i LSDM-së është që minimalja nga marsi i këtij viti deri në marsin e vitit të ardhshëm të rritet në 36.960 denarë, ndërsa me rritjen e minimaljes të harmonizohen edhe të gjitha pagat e tjera.
“Së bashku ta dërgojmë atë mesazh se kur bëhet fjalë për qytetarët, kur bëhet fjalë për punëtorët, nuk do të ketë ideologji politike që mund të na ndajë, sepse nëse për shumë çështje të tjera që janë në interes të partive politike mund të gjejmë zgjidhje ligjore që do të ishin konsensus, do ta përmend Kodin Zgjedhor, atëherë pse të mos mund të kemi ndonjë konsensus rreth ligjit për pagën minimale”, pohoi Oliver Spasovski, deputet LSDM.
Deputetët e pushtetit nuk debatuan në shqyrtimet komisionale. Vetëm deputeti nga ZNAM, Mile Cekov, shprehu qëndrim personal se paga minimale duhet të rritet.
“Paga jonë minimale sot është më e ulëta në rajon, edhe pse produktiviteti për orë pune, që është 34 dollarë, ndoshta është një nga më të lartët në rajon. Për shembull në Serbi, Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi kanë pagë minimale më të lartë se Maqedonia, ndërsa produktivitet më të ulët për orë pune krahasuar me punëtorin tonë”, Mile Cekov, deputet Lëvizja ZNAM.
Ndërkaq, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë i la afat Qeverisë dhe punëdhënësve deri në fund të shkurtit që të bien dakord për rritjen e pagës minimale në 600 euro. Në të kundërtën, për mars paralajmërojnë edhe një protestë tjetër, por edhe grevë të përgjithshme në sektorin publik dhe privat.
Lajme nga vendi
Kujdes ushqimin, temperaturat e larta rrisin rrezikun e helmimit – Agjencia e Ushqimit ngre alarmin !
Rritja e paralajmëruar e temperaturave ditore, e cila sipas meteorologëve në disa rajone do të arrijë deri në 40 gradë Celsius, rrit rrezikun për shfaqjen e helmimeve nga ushqimi. Temperaturat e larta paraqesin rrezik potencial edhe për shëndetin e kafshëve, nëse nuk merren me kohë masa për sigurimin e sasive të mjaftueshme të ushqimit të sigurt dhe ujit të pijshëm. Siç thonë nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) për MIA-n, për të parandaluar helmimet nga ushqimi është e nevojshme të bëhet zgjedhje e kujdesshme gjatë blerjes, të sigurohet transporti i duhur dhe kushtet e përshtatshme për ruajtje, si dhe të kihet kujdes për pamjen, afatin e përdorimit dhe mënyrën e magazinimit të produkteve. Rekomandohet që ushqimi të blihet në vende të kontrolluara, ku produktet, veçanërisht ato që prishen lehtë me origjinë shtazore, ruhen në pajisje ftohëse.
“Duhet të shmanget blerja e ushqimeve me ambalazh të dëmtuar (të shtypur, të fryrë ose të çarë). Produktet e ftohta ose të ngrira duhet të blihen në fund të blerjeve, ndërsa ushqimet që prishen lehtë, si mishi, qumështi dhe vezët, nuk duhet të mbahen gjatë në automjete dhe mjete të tjera transporti. Duhet të shmanget blerja e ushqimeve të ftohta ose të ngrira që ruhen jashtë frigoriferit ose ngrirësit. Ushqimi i ftohur duhet të ruhet në temperaturë nën 5 gradë Celsius, ndërsa ushqimet që kërkojnë përpunim termik duhet të gatuhen në temperaturë mbi 60 gradë Celsius. Frutat dhe perimet para konsumimit duhet të lahen mirë nën ujë të rrjedhshëm, ndërsa mishi, qumështi dhe vezët duhet të përpunohen mirë termikisht. Pas përgatitjes, ushqimi i ftohur duhet të ruhet në frigorifer. Në raftet e sipërme duhet të vendoset ushqimi i gatuar, ndërsa në raftet e poshtme ushqimi i papërpunuar. Ushqimi duhet të mbrohet nga insektet, brejtësit, kafshët shtëpiake dhe kafshët e tjera që mund të bien në kontakt me të”, këto janë vetëm disa nga rekomandimet e AUV-së.
Nëse konsumoni ushqim në objekte hotelerie, AUV rekomandon që të zgjidhen operatorë ushqimorë që kujdesen për higjienën dhe sigurinë e ushqimit dhe që kanë reputacion të mirë.
“Në objektet e ushqimit të shpejtë shmangni shtesat që nuk ruhen në frigorifer, si majoneza, keçapi, sallatat me krem, salcat, dressing-et dhe të ngjashme. Nëse mendoni se ushqimi nuk është i sigurt, mos rrezikoni – hidheni atë”, theksojnë nga AUV.
Lajme nga vendi
Kapen 64.250 euro në “Tabanoc”
Drejtoria e Doganave njoftoi se në pikën kufitare “Tabanoc” është parandaluar një tentativë për transferim të paligjshëm të parave, ku gjatë kontrollit të një automjeti me targa gjermane, të drejtuar nga një shtetas grek, janë gjetur gjithsej 124.250 euro. Sipas Doganës, personi fillimisht kishte deklaruar 60 mijë euro, duke paraqitur edhe formularin e lëshuar në hyrje të Republikës së Serbisë. Pas një kontrolli të detajuar nga zyrtarët doganorë dhe një polic i Frontex-it, u zbuluan edhe 64.250 euro të padeklaruara.
“Për shkak të dyshimeve në deklaratën e dhënë, zyrtarët doganorë së bashku me një zyrtar policor të Frontex-it kryen kontroll të detajuar, gjatë të cilit u gjetën gjithsej 124.250 euro. Në përputhje me Ligjin për Operacionet Devizore, personit iu kthyen 60 mijë eurot e deklaruara, ndërsa pjesa tjetër u konfiskua dhe ndaj tij është ngritur procedurë kundërvajtëse para gjykatës kompetente”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Doganave.
Dogana bëri të ditur se gjatë këtij viti janë zbuluar 30 raste të transferimit të paligjshëm të valutës, me konfiskim të 820.675 eurove, 141.300 paundëve britanikë dhe 35 mijë dollarëve australianë.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me diell dhe i nxehtë do të arrijë deri në 39 gradë
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me diell dhe i nxehtë me vranësira të pakta lokale. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga verilindja.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 12 deri në 20 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë 32 deri në 39 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë me diell dhe i ngrohtë me erë të lehtë deri mesatare nga drejtim i ndryshueshëm. Temperatura minimale do të bjerë në 18 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë 36 gradë.

