Deklarata e njërit nga liderët e VLEN-it Bilall Kasamit se kongresi i parë i VLEN-it pritet të mbahet më 9 maj, në Ditën e Evropës, nuk është thjeshtë një njoftim i zakonshëm mbi datën e një ngjarjeje politike, por kjo duket që është një simbolikë e fortë politike për orientimin e anëtarëve dhe udhëheqësve të partive, shkruan Zhurnal.
Simbolika e Ditës së Evropës
Zgjedhja e 9 majit si datë për kongresin e parë të VLEN-it është një akt me porozi të qartë të bashkimit, në këtë rast bashkimit tëpesë partive dhe shndërrimit në një të vetme.
Dita e Evropës përkujton fillimin e projektit të integrimit evropian, një vizion i paqes dhe bashkëpunimit pas Luftës së Dytë Botërore në kontinent.
Për një subjekt politik që synon të afirmohet si alternativë moderne dhe pro-evropiane, kjo datë është një shenjë e qartë e orientimit strategjik. Me zgjedhjen e kësaj date për shpalljen zyrtare të partisë, VLEN-i dëshiron të identifikohet me vlerat e demokracisë, integrimit dhe perspektivës evropiane.
Kasami sqaroi se vendimi nuk është ekskluzivisht i tij, por i pesë liderëve që duhet të arrijnë konsensus. Ky detaj është i rëndësishëm, sepse tregon natyrën kolektive të strukturës së VLEN-it dhe mënyrën e bashkëpunimit dhe vendimarrjes sëudhëheqësve të saj.
“Një ndër propozimet është edhe Dita e Evropës, më 9 maj. Pra, nuk jam unë ai që vendos ekskluzivisht, janë pesë liderë që, me konsensus, duhet të vendosin për shumë çështje”, ka deklaruar, Bilall Kasami, një nga liderët e VLEN-it në intervistë për Alsat.
Vendosja e kongresit në Ditën e Evropës është një porosi i drejtpërdrejtë për elektoratin shqiptar dhe më gjerë, me të cilën VLEN-i synon të paraqitet si forca që e lidhë politikën e brendshme dhe synimet me perspektivën evropiane.
Në një kohë kur integrimi në BE është ende një proces i ngadalshëm dhe shpesh i bllokuar nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, ky akt është një përpjekje për të kapitalizuar mbi aspiratat e qytetarëve për një të ardhme evropiane.
Nga ana tjetër, zgjedhja e një date simbolike mund të shihet edhe si strategji për të fituar vëmendje mediatike dhe për të dalluar kongresin nga aktivitetet rutinë të partive politike.
Sfida e kongresit të parë
VLEN-i si një projekt politik i ri ka nevojë të pozicionohet qartë. Duke e lidhur kongresin me Ditën e Evropës, veçse bëhet një veprim i tillë. Betonon se është një alternativë e re, e orientuar drejt reformës dhe integrimit në bllokun evropian.
Kjo e bënë të qartë se e është një subjekt politik që e sheh të ardhmen e shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut brenda familjes evropiane. Ky është një akt i vigjilent në politikë, pasi simbolika e datës përdoret si instrument për të ndërtuar identitetin e subjektit.
Megjithëse data ka rëndësi simbolike, sfida e vërtetë e VLEN-it do të jetë përmbajtja e vendimeve në këtë kongres. A do të arrijë ky subjekt të artikulojë një platformë të qartë, të besueshme dhe të dallueshme nga partitë e tjera? A do të mund të shfaqet si një alternativë reale për elektoratin shqiptarë që për vite kanë qenë të zhgënjyer?
Nëse VLEN-i do të arrijë që të shndërrojë këtë simbolikë në një platformë konkrete që i flet qytetarëve me besueshmëri dhe qartësi, natyrisht që ky subjekt politik do të ngulitet si projekt afatgjatë në Maqedoninë e Veriut, në të kundërtën do të jetë kalimtar, sepse elektorati kërkon rezultate dhe ai di që të zhvendoset sa herë mbetet i paknaqur. /Zhurnal.mk
