Maqedonia e Veriut tash ka punë me Brukselin! Negociatat, presionet duhet bërë tek BE-ja dhe të gjejë mënyrë që të zhbllokojë procesin e negociatave.
Kështu thotë për Tv Koha, analisti politik Xhelal Neziri, teksa komenton ngërçin e eurointegrimeve të Maqedonisë së Veriut.
Sipas tij, Sofja mendon se e ka kryer punën e vet me Shkupin zyrtar më 2022 kur u miratua “propozimi francez” dhe nga aty nuk ka se çfarë humb kohë në bisedimet e drejtpërdrejta me Maqedoninë e Veriut.
Por, përse Kryeministri Mickoski deklaron se jemi të gatshëm që me dekada të presim dhe të mos bëhemi pjesë të BE-së?
Sipas Nezirit, Maqedonia e Veriut, sikurse Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi janë peng të ndikimit serb në rajon.
“Serbia ka kohë që ia bën me dije BE-së se ajo është lidere e Ballkanit dhe si e tillë nuk duhet të përfshihen shtetet tjera para saj për shkak se pastaj mund të përdorin të drejtën e vetos. Pra, ajo që pretendon ose këmbëngul Serbia, ose në pako të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ose do të përballeni me pengesa në anëtarësim të shteteve më të vogla”
Sipas Nezirit, Serbia pretendon të jetë lidere në Ballkanin Perëndimor dhe këtë e bën në Maqedoni, në Mal të Zi, tenton ta bëjë dhe e bën edhe me B e H, poashtu ka ndikim edhe në pjesën veriore të Kosovës kurse në Shqipëri ka më pak qasje.
“Në këtë aspekt duhet ta shohim këmbënguljen e Kryeministrit Mickoski, jo vetëm të tij por të të gjithë establishmentit maqedonas, i cili është i pozicionuar në një qëndrim të ashpër anti-bullgar, ndërkohë që nuk ka shumë arsye për këtë. Çfarë do të bënte apo do të shkaktonte përfshirja e pakicës bullgare në Preambulën e Kushtetutës kur janë edhe 5 – 6 popuj tjerë.
Problemi real është Serbia, vazhdon të këmbëngul analisti Xhelal Neziri, duke alarmuar se çmimin e këtij skenari serb e paguajmë edhe ne si qytetarë shqiptarë.
“Nëse do të ishte përcaktimi serb që të integrohet në BE, atëherë Kapitulli 31 nënkupton rreshtimin e Serbisë apo harmonizimin e politikës së jashtme të Serbisë, komplet me BE-në. Që nënkupton sanksione ndaj Rusisë, ndërprerje të bashkëpunimit ushtarak me Kinën e të ngjashme që nuk i konvenon Serbisë. Prandaj kjo status quo është skenar serb dhe fatkeqësisht këtë skenar e paguajmë edhe ne si qytetarë shqiptarë”
Kur jemi te ngërçi i eurointegrimeve, mediat maqedonase njoftojnë se një NON-PAPER po qarkullon në Parlamentin Evropian, si nismë e raportuesit Tomas Vajc, sic thuhet, për zbardhjen e plotë të paqartësive lidhur me Protokollin me Bullgarinë.
Dokumenti përmes 7 pikave arsyeton kërkesën lidhur me amendamentin 108 për raportin për Maqedoninë dhe u bën thirrje grupeve politike të sigurojnë mbështetje më të gjerë për miratim në Komitetin për Politikë të Jashtme (AFET) në muajin Maj.
