Lajme nga vendi
NEZIRI: NGECJA E INTEGRIMIT NË BE – SKENAR SERB!
Maqedonia e Veriut tash ka punë me Brukselin! Negociatat, presionet duhet bërë tek BE-ja dhe të gjejë mënyrë që të zhbllokojë procesin e negociatave.
Kështu thotë për Tv Koha, analisti politik Xhelal Neziri, teksa komenton ngërçin e eurointegrimeve të Maqedonisë së Veriut.
Sipas tij, Sofja mendon se e ka kryer punën e vet me Shkupin zyrtar më 2022 kur u miratua “propozimi francez” dhe nga aty nuk ka se çfarë humb kohë në bisedimet e drejtpërdrejta me Maqedoninë e Veriut.
Por, përse Kryeministri Mickoski deklaron se jemi të gatshëm që me dekada të presim dhe të mos bëhemi pjesë të BE-së?
Sipas Nezirit, Maqedonia e Veriut, sikurse Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi janë peng të ndikimit serb në rajon.
“Serbia ka kohë që ia bën me dije BE-së se ajo është lidere e Ballkanit dhe si e tillë nuk duhet të përfshihen shtetet tjera para saj për shkak se pastaj mund të përdorin të drejtën e vetos. Pra, ajo që pretendon ose këmbëngul Serbia, ose në pako të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ose do të përballeni me pengesa në anëtarësim të shteteve më të vogla”
Sipas Nezirit, Serbia pretendon të jetë lidere në Ballkanin Perëndimor dhe këtë e bën në Maqedoni, në Mal të Zi, tenton ta bëjë dhe e bën edhe me B e H, poashtu ka ndikim edhe në pjesën veriore të Kosovës kurse në Shqipëri ka më pak qasje.
“Në këtë aspekt duhet ta shohim këmbënguljen e Kryeministrit Mickoski, jo vetëm të tij por të të gjithë establishmentit maqedonas, i cili është i pozicionuar në një qëndrim të ashpër anti-bullgar, ndërkohë që nuk ka shumë arsye për këtë. Çfarë do të bënte apo do të shkaktonte përfshirja e pakicës bullgare në Preambulën e Kushtetutës kur janë edhe 5 – 6 popuj tjerë.
Problemi real është Serbia, vazhdon të këmbëngul analisti Xhelal Neziri, duke alarmuar se çmimin e këtij skenari serb e paguajmë edhe ne si qytetarë shqiptarë.
“Nëse do të ishte përcaktimi serb që të integrohet në BE, atëherë Kapitulli 31 nënkupton rreshtimin e Serbisë apo harmonizimin e politikës së jashtme të Serbisë, komplet me BE-në. Që nënkupton sanksione ndaj Rusisë, ndërprerje të bashkëpunimit ushtarak me Kinën e të ngjashme që nuk i konvenon Serbisë. Prandaj kjo status quo është skenar serb dhe fatkeqësisht këtë skenar e paguajmë edhe ne si qytetarë shqiptarë”
Kur jemi te ngërçi i eurointegrimeve, mediat maqedonase njoftojnë se një NON-PAPER po qarkullon në Parlamentin Evropian, si nismë e raportuesit Tomas Vajc, sic thuhet, për zbardhjen e plotë të paqartësive lidhur me Protokollin me Bullgarinë.
Dokumenti përmes 7 pikave arsyeton kërkesën lidhur me amendamentin 108 për raportin për Maqedoninë dhe u bën thirrje grupeve politike të sigurojnë mbështetje më të gjerë për miratim në Komitetin për Politikë të Jashtme (AFET) në muajin Maj.
Lajme nga vendi
‘Fitonin’ 34 mijë euro me mallverzimeve gjatë shit-blerjes së veturave të konfiskuara
Drejtoria e Policisë Financiare ngriti kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup kundër personave N.I., B.G. në cilësinë e tyre si drejtues të personave juridikë, kundër dy personave juridikë, si dhe kundër pesë personave të punësuar në Agjencinë për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar F.A., G.A., P.K., F.J. dhe A.B., për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i procedurës për thirrjes publike, dhënie të kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publik-privat” sipas nenit 275-c të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Të denoncuarit N.I. dhe B.G., si drejtues të dy personave juridikë, gjatë vitit 2021 me vetëdije dhe me qëllim të paracaktuar kanë shkelur rregulloret e procedurës për thirrje publike dhe dhënie të kontratës së prokurimit publik, me marrëveshje paraprake dhe veprime të koordinuara kanë shkelur konkurrencën në procedurën për shitjen e automjeteve të shkatërruara – skrap metali, të organizuar nga Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar. Një person juridik u paraqit si konkurrent formal, dhe gjatë ankandit publik u paraqit një ofertë me një gabim teknik të qëllimshëm në një shumë monetare joreale, e cila i pengoi pjesëmarrësit e tjerë të vazhdonin më tej me ofertat.
Të pandehurit G.A., P.K. dhe F.J., si anëtarë të komisionit për zbatimin e procedurës, në kundërshtim me dispozitat ligjore të parashikuara në Ligjin për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar, Përfitimit Pasuror dhe Objekteve të Sekuestruara në Procedurën Penale dhe Kundërvajtje, dhe bazuar në një akt nënligjor dhe mendim ligjor të përgatitur nga A.B., me vetëdije ndihmuan në zbatimin e kësaj skeme të dakorduar dhe mundësuan lidhjen e një marrëveshjeje për shitjen e automjeteve të sekuestruara të shkatërruara si skrap metali midis Agjencisë për Menaxhimin e Pronës së Sekuestruar, të përfaqësuar nga F.A., dhe personit juridik të menaxhuar nga N.I., gjë që i mundësoi personit juridik të fitonte përfitim pasuror të paligjshëm në shumën prej 2.128.352 denarë.
Lajme nga vendi
Siljanovska: Balancuesi krijoi pushtet të korruptuar, ligjet duhet të miratohen me procedurë të rregullt
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot deklaroi se heqja e balancuesit ishte e domosdoshme për shkak të rreziqeve korruptuese që i ka krijuar, duke theksuar njëkohësisht se çështjet e shtetësisi jorezidente, marrëdhëniet me Bullgarinë dhe politikat energjetike janë komplekse dhe duhet të zgjidhen përmes parimeve kushtetuese, debatit publik dhe respektimit të standarE madhee njerëzore dhe ekologjike.
Në një deklaratë për mediat pas hapjes së “Fundjavës për pastrim të përgjithshëm”, presidentja Gordana Siljanovska Davkova deklaroi se i a.q. balancuesi, në formatin që ka ekzistuar, në thelb çoi në korrupsion dhe kriminalizim.
Në lidhje me çështjen për shtetësinë jorezidente, ajo u përgjigj se zgjidhja duhet të miratohet përmes argumenteve.
“Çështja është komplekse. Ka vende ku ekziston shtetësia e dyfishtë, ka vende ku nuk ekziston. Sot të gjithë po përballemi me një eksod dhe mungesë të fuqisë punëtore, dhe po flasim për qenie njerëzore që kanë edhe të drejtën e jetës”, tha presidentja, duke shtuar se zgjidhjet duhet të merren pas një debati të gjerë publik dhe duke peshuar argumentet “pro” dhe “kundër”.
Lidhur me pritjet e saj për marrëdhëniet me qeverinë e re të Bullgarisë, Siljanovska Davkova deklaroi se pritjet duhet të drejtohen nga qeveria e re bullgare dhe kryeministri Rumen Radev, duke theksuar se populli bullgar pret stabilitet, reforma dhe luftë kundër korrupsionit dhe krimit.
Lidhur me kërkesat e organizatave joqeveritare për të vënë veton ndaj Ligjit për Burimet Minerale, presidentja theksoi se ato kanë një rol të rëndësishëm në shoqëri dhe meritojnë, siç e tha ajo, një “vend të gjelbër” në parlament.
Sipas saj, garancitë për mbrojtjen e mjedisit nuk përmbahen në këto ligje.
“Ato ligje, nëse keni parasysh Ligjin për burimet minerale, merren kryesisht me çështjet e energjisë. Ne kemi Kushtetutë, kemi edhe Ligj për mbrojtjen e mjedisit – ky është çelësi i qëndrimit ndaj këtyre ligjeve”, shtoi Siljanovska Davkova.
Ajo theksoi se shteti duhet të përgatitet njëkohësisht për sfidat e ardhshme energjetike dhe të kujdeset për natyrën.
Lajme nga vendi
KONGRESI I VLEN – QYTETARËT MIRËPRESIN BASHKIMIN!
Për ditë me radhë koalicioni VLEN ka ngritur intensitetit e aktivitetit publik duke paralajmëruër Kongresin e Bashkimit.
Sipas tyre e shtuna, do të kurorëzojë përpjekjet për unifikimin e faktorit politik shqiptar.
Koalicioni VLEN, nesër më 9 Maj – në Ditën e Evropës, do të mbajë Kongresin e bashkimit, ku 5 subjekte politike formalisht duhet të miratojnë vendimin për të vepruar si subjekt i vetëm politik në kuadër të bllokut politik shqiptar në vend. Në prag të Kongresit, VLEN doli me mesazhin se procesi i bashkimit ka qenë i gjatë dhe përplot me sfida politike, dyshime dhe tentativa për të parandaluar këtë process. Sipas VLEN-it, ky bashkim ka peshë historike dhe se ky është premtimi që VLEN ua dha shqiptarëve. Por, si e shohin qytetarët, këtë Kongres dhe këtë bashkim të VLEN-it?
“Çdo bashkim është i mirë. Madje unë kisha thënë se që të bashkohen të gjitha partitë”
“Edhe atë gajle do ia mbajë VLEN-it, unë jam plak”
“Më mirë me u bashkuar”
“Më mirë është. Deri tani Bilall Kasami ka punuar mirë. Jam i gëzuar”
“Mendoj se është mirë. Bilall Kasami duhet të jetë Kryetar”
“Është më mirë për shqiptarët. Cili të jetë Kryetar vet le ta vlerësojnë”
“Normalisht se është mirë. Sa më të bashkuar aq më mirë. Vet si do të vendosin organmet partiake, mendoj se Izeti do të ishte më mirë”
Pas Kongresit, VLEN, si pjesë e Qeverisë, do të duhet të përballet me shumë sfida që prekin drejtpërdrejtë qytetarët.
Situata ekonomike, migrimi i të rinjve, pozita e shqiptarëve, gjuha shqipe, eurointegrimet evropiane e shumë çështje tjera duhet që nga premtimet të shndërrohen në rezultate të prekshme./Tv Koha/

