Kampionati i volejbollit për veterenaë starton më 19 prill me turnirin e parë që organizohet në Gjevgjeli. Në kampionatin e këtij viti do të garojnë shtatë ekipe. Shkëndija në xhiron e parë takohet me Tetovën.
Në organizim të Federatës së Volejbollit të Maqedonisë së Veriut, nga 19 prilli fillon edicioni i tretë i kampionatit të volejbollit për veteranë.
Në këtë edicion do të marrin pjesë shtatë ekipe: Gjevgjelia, Shkëndija, Velesi, Skopje, Strumica, Tetova dhe Prilepi.
Garat do të zhvillohen me sistemin e turnirëve, ndërsa turniri i parë do të zhvillohet më 19 prill në qytetin e Gjevgjelisë.
Ekipin e Shkëndisë do ta drejtojnë tandemi i trajnerëve Miftar Ziberi me ndihmësin Latif Halilin të cilët në dispozicion kanë formacionin më të mirë me të gjithë legjendat e këtij klubi.
Kapiteni Durim Luma, gjatë një prononcimi për Tv Koha, nuk e fsheh se në këtë edicion do të jenë pretendent për titull.
‘’Këtë vit jemi të mobilizuar edhe më shumë dhe jemi të përforcuar. Kemi një fond të lojtarëve më të gjerë në krahasim me vitin e kaluar. Kështu që ambiciet tona gjithsesi se janë të luajmë përsëri në finale por kësaj radhe besoj se do ta fitojmë edhe titullin kampion pasi ne përveç lojtarëve tjerë të cilët kanë marrë pjesë vitin e kaluar. Pra vëllezërit Vela, Zulfi Baftjari,Besim Rexha, Mensur Hamza, na janë bashkangjitur edhe disa lojtar tjerë në veçanti Habil Ajet dhe Naim Abazi që për na do të jenë një mbështetje dhe një përforcim jashtëzakonisht i madh. Qëllimi është të marrim pjesë pikë së pari dhe pastaj të vinë edhe rezultatet ‘’ deklaroi kapitemi i Shkëndijës Durim Luma
Kampionati i veteranëve do të zhvillohet me sistemin e turnirëve, pra në çdo qytet prej nga vijnë ekipet garuese.
‘’ Vendas të turnirëve do të jenë secila ekip nga një javë. Shorti bëhet për secilin turnir veç e veç. Ne tanimë e dimë kënd do ta kemi kundërshtar në turnirin e parë, të dytë dhe të tretë e kështu me radhë deri te i shtati. Turniri i parë mbahet në Gjevgjeli dhe ne për kundërshtarë do ta kemi ekipin e Tetovës që pritet të jetë një derbi i madh kurse turnirin e dytë do të jemi ne nikoqir dhe për kundërshtarë do ta kemi Gjevgjelinë ‘’ tha kapiteni Durim Luma.
Në xhiron e parë më 18 prill në Gjevgjeli do të takohen: Shkëndija – Tetova, Boreci – Skopje dhe 11 Oktomvri – Gjevgjelia.
