Site icon Tetova Expres

Maqedonia me transformim të qartë energjetik dhe rezultate konkrete – mesazh i fortë nga JESCO në Berlin

Në një takim të Komitetit të Përbashkët Ekonomik Gjermano-Maqedonas (JESCO), i mbajtur në Ministrinë federale për ekonomi dhe energji të Republikës Federale të Gjermanisë, Maqedonia dërgoi një mesazh të qartë: transformimi energjetik nuk është një plan për të ardhmen, por një proces që tashmë po jep rezultate.

Në kuadër të delegacionit zyrtar, nga Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale mori pjesë sekretari shtetëror Goran Jovanovski, i cili mbajti një fjalim ku foli për politikën energjetike, dekarbonizimin, zhvillimin e investimeve dhe sigurinë e furnizimit në Maqedoni.

Në prezantimin e tij, Jovanovski theksoi se vendi po zbaton një politikë energjetike të vendosur të bazuar në dy prioritete kyçe – dekarbonizim të përshpejtuar dhe furnizim të sigurt dhe stabil me energji. Me miratimin e Ligjit të ri për Energjetikën në maj 2025, shteti ka vendosur një sistem modern, transparent dhe plotësisht të harmonizuar me standardet evropiane, i cili siguron parashikueshmëri për investitorët dhe i jep fund pasigurisë në treg.

„Shteti nuk e ndjek më tregun – ai e krijon drejtimin e tij,” theksoi Jovanovski, duke shtuar se me vendosjen e planifikimit sistematik dhe planeve vjetore për kapacitete të reja energjetike dhe ruajtje të energjisë, zhvillimi bëhet i koordinuar, i parashikueshëm dhe i orientuar strategjikisht.

Ai nënvizoi se tashmë është në zhvillim një cikël i fuqishëm investimesh në burime të ripërtrishme dhe ruajtje të energjisë, që rezulton me rritje të prodhimit vendor, ulje të varësisë nga importi dhe forcim të pavarësisë energjetike. Paralelisht, po investohet në modernizimin e rrjetit elektroenergjetik dhe zhvillimin e kapaciteteve inteligjente dhe balancuese si bazë për tranzicionin e gjelbër.

Advertisement

Për më tepër, Ligji i ri për burimet e ripërtrishme të energjisë, i cili është në fazën përfundimtare, do të mundësojë realizim më të shpejtë të investimeve përmes procedurave të thjeshtuara dhe transparencës më të madhe, me një qëllim të qartë – më shumë energji të ripërtrishme, më pak lëndë djegëse fosile dhe emetime të reduktuara.

Në kuadër të diskutimeve u theksua edhe rëndësia e Planit të integruar kombëtar për energji dhe klimë 2025–2030, i cili përmban 61 masa konkrete për dekarbonizim, efikasitet energjetik, reformë të tregut dhe rritje të sigurisë së furnizimit.

Jovanovski theksoi se siguria energjetike mbetet prioritet kryesor, përmes diversifikimit të burimeve, ndërtimit të interkoneksioneve të reja dhe integrimit të përforcuar rajonal, duke nënvizuar se “stabiliteti energjetik nuk është vetëm çështje ekonomike, por edhe çështje e sigurisë kombëtare“.

Takimi i JESCO-s, i cili filloi me një sesion pune dhe shkëmbim analizash ekonomike dhe perspektivash mes dy vendeve, mundësoi dialog të drejtpërdrejtë me odat ekonomike, komunitetin e biznesit dhe ekipet e ekspertëve, me fokus në klimën e investimeve dhe prioritetet e përbashkëta strategjike.

Maqedonia mbetet e përkushtuar fuqishëm në rrugën e saj evropiane, me orientim të qartë drejt harmonizimit të plotë me standardet e BE-së në energjetikë dhe politikat klimatike – përmes reformave konkrete, zbatimit transparent dhe rezultateve të matshme.

Advertisement
Exit mobile version