Lajme nga vendi
Maqedonia me transformim të qartë energjetik dhe rezultate konkrete – mesazh i fortë nga JESCO në Berlin
Në një takim të Komitetit të Përbashkët Ekonomik Gjermano-Maqedonas (JESCO), i mbajtur në Ministrinë federale për ekonomi dhe energji të Republikës Federale të Gjermanisë, Maqedonia dërgoi një mesazh të qartë: transformimi energjetik nuk është një plan për të ardhmen, por një proces që tashmë po jep rezultate.
Në kuadër të delegacionit zyrtar, nga Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale mori pjesë sekretari shtetëror Goran Jovanovski, i cili mbajti një fjalim ku foli për politikën energjetike, dekarbonizimin, zhvillimin e investimeve dhe sigurinë e furnizimit në Maqedoni.
Në prezantimin e tij, Jovanovski theksoi se vendi po zbaton një politikë energjetike të vendosur të bazuar në dy prioritete kyçe – dekarbonizim të përshpejtuar dhe furnizim të sigurt dhe stabil me energji. Me miratimin e Ligjit të ri për Energjetikën në maj 2025, shteti ka vendosur një sistem modern, transparent dhe plotësisht të harmonizuar me standardet evropiane, i cili siguron parashikueshmëri për investitorët dhe i jep fund pasigurisë në treg.
„Shteti nuk e ndjek më tregun – ai e krijon drejtimin e tij,” theksoi Jovanovski, duke shtuar se me vendosjen e planifikimit sistematik dhe planeve vjetore për kapacitete të reja energjetike dhe ruajtje të energjisë, zhvillimi bëhet i koordinuar, i parashikueshëm dhe i orientuar strategjikisht.
Ai nënvizoi se tashmë është në zhvillim një cikël i fuqishëm investimesh në burime të ripërtrishme dhe ruajtje të energjisë, që rezulton me rritje të prodhimit vendor, ulje të varësisë nga importi dhe forcim të pavarësisë energjetike. Paralelisht, po investohet në modernizimin e rrjetit elektroenergjetik dhe zhvillimin e kapaciteteve inteligjente dhe balancuese si bazë për tranzicionin e gjelbër.
Për më tepër, Ligji i ri për burimet e ripërtrishme të energjisë, i cili është në fazën përfundimtare, do të mundësojë realizim më të shpejtë të investimeve përmes procedurave të thjeshtuara dhe transparencës më të madhe, me një qëllim të qartë – më shumë energji të ripërtrishme, më pak lëndë djegëse fosile dhe emetime të reduktuara.
Në kuadër të diskutimeve u theksua edhe rëndësia e Planit të integruar kombëtar për energji dhe klimë 2025–2030, i cili përmban 61 masa konkrete për dekarbonizim, efikasitet energjetik, reformë të tregut dhe rritje të sigurisë së furnizimit.
Jovanovski theksoi se siguria energjetike mbetet prioritet kryesor, përmes diversifikimit të burimeve, ndërtimit të interkoneksioneve të reja dhe integrimit të përforcuar rajonal, duke nënvizuar se “stabiliteti energjetik nuk është vetëm çështje ekonomike, por edhe çështje e sigurisë kombëtare“.
Takimi i JESCO-s, i cili filloi me një sesion pune dhe shkëmbim analizash ekonomike dhe perspektivash mes dy vendeve, mundësoi dialog të drejtpërdrejtë me odat ekonomike, komunitetin e biznesit dhe ekipet e ekspertëve, me fokus në klimën e investimeve dhe prioritetet e përbashkëta strategjike.
Maqedonia mbetet e përkushtuar fuqishëm në rrugën e saj evropiane, me orientim të qartë drejt harmonizimit të plotë me standardet e BE-së në energjetikë dhe politikat klimatike – përmes reformave konkrete, zbatimit transparent dhe rezultateve të matshme.
Lajme nga vendi
DISKUTIME MBI SFIDAT E TETOVËS NË MBROJTJEN E MJEDISIT
Sot u mbajt forumi “Identifikimi i prioriteteve mjedisore të Komunës së Tetovës”, organizuar nga Shoqata Multikultura në kuadër të projektit “Forcimi i qeverisjes lokale për tranzicionin e gjelbër – Themelimi i një Departamenti për Mjedis dhe Energji në Tetovë”, në bashkëpunim me Komunën e Tetovës.
Forumi mblodhi përfaqësues institucionalë, ekspertë të fushës së mjedisit, organizata dhe qytetarë, me qëllim identifikimin e sfidave kryesore mjedisore dhe diskutimin e zgjidhjeve konkrete për Tetovën.
Të pranishëm në forum ishin Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamed Hoxha, Kryetari i Komunës së Tearcës, DautMemishi, si dhe ekspertë të fushës së vetëqeverisjes lokale dhe mjedisit.
ARLINDA ILJAZI – MULTIKULTURA
Gjatë diskutimeve u theksuan sfidat kryesore me të cilat përballet Tetova, përfshirë ndotjen e ajrit, menaxhimin e mbeturinave, mungesën e hapësirave të gjelbra dhe nevojën për koordinim më të mirë institucional.
Një nga pikat kyçe të forumit ishte nevoja për themelimin e një sektori të veçantë për mjedis dhe energjetikë brenda Komunës së Tetovës, si hap i rëndësishëm drejt një qasjeje më të strukturuar, profesionale dhe të qëndrueshme në trajtimin e çështjeve mjedisore dhe tranzicionit energjetik.
Ekspertët pjesëmarrës ndanë rekomandime konkrete për forcimin e kapaciteteve komunale dhe zhvillimin e sistemeve rajonale për menaxhimin e mbeturinave, ndërsa pjesëmarrësit kontribuan me ide dhe propozime për prioritetet mjedisore në Tetovë.
Organizatorët theksuan se inputet dhe rekomandimet e dala nga forumi do të shërbejnë si bazë për aktivitetet dhe politikat e ardhshme në kuadër të projektit, me qëllim përmirësimin e menaxhimit mjedisor dhe avancimin e tranzicionit të gjelbër në nivel lokal./Tv Koha/
Lajme nga vendi
Toshkovski: Me ndryshime ligjore, polici do të mundet ta largojë urgjentisht dhunuesin nga viktima e dhunës në familje
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, deklaroi për Kolegium se dhuna në familje vite me radhë është trajtuar me reagimin e vonshëm të institucioneve, dhe pjesërisht pa bashkëpunim të konsiderueshëm institucional për të mbrojtur viktimën.
Statistikat e MPB-së, tregojnë se në periudhën nga viti 2018 deri në vitin 2025 janë kryer 42 vrasje, 24 tentativa vrasjeje dhe 192 lëndime të rënda trupore. Nga 44,700 raste me elementë të dhunës në damilje, zyrtarët policor regjistruan 33,000 si anlesa, pothuajse tre mijë si kundërvajtje dhe 8,500 si vepra penale.
“Ky nuk është një problem që u krijua dje, ky është një problem që është grumbulluar për vite me radhë në sistemin që reagoi shumë gjatë pasi dhuna u përshkallëzua, në vend që kur sinjalet e para treguan qartë një rrezik në rritje. Nëse këto dobësi do të ishin mbyllur më herët, sot do të kishte më pak hapësirë që viktima të humbiste në labirintet institucionale”, tha Toshkovski.
Sipas ministrit Toshkovski, Ministria e Punëve të Brendshme ka një rol të qartë dhe të drejtpërdrejtë në këtë fushë sepse policia është shpesh institucioni i parë që bie në kontakt me viktimën, kryen një vlerësim të rrezikut, vepron e para në vend dhe merr vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë e viktimës në momentin e parë.
“Nuk do të ishte e drejtë ose korrekte ta reduktonim këtë problem vetëm te policia, sepse ata nuk mund ta bëjnë vetë pa veprim në kohë nga Qendrat e Punëve Sociale, pa një reagim të shpejtë nga Prokuroria dhe pa një vendim efikas gjyqësor. Është realiste të thuhet se janë ndërmarrë hapa të caktuar, por ende ka dobësi që manifestohen në koordinimin midis institucioneve, në kompetenca të përcaktuara në mënyrë të paqartë dhe në situata ku reagimi është formalisht në kohë, por në thelb i pamjaftueshëm. Paralelisht me ndryshimet ligjore, po punojmë për të siguruar “kamera trupi” për oficerët e policisë sepse në procedura të tilla nuk mjafton të ndërhyhet në kohën e duhur, por është po aq e rëndësishme të dokumentohet me saktësi ajo që është gjetur në vendngjarje, si ka vepruar policia dhe cila ka qenë situata faktike gjatë ndërhyrjes, sepse në praktikë, këtu hapet më shpesh hapësira për interpretime të ndryshme ose relativizim të asaj që ka ndodhur”, tha Toshkovski.
Lajme nga vendi
Të enjten ndryshim drastik i motit – rikthehen reshtjet e shiut, në male edhe bora
Moti sot do të jetë i dielltë me vranësira të vogla deri mesatare. Pasdite do të ketë zhvillim lokal të vranësirave të paqëndrueshme, të shoqëruara me shi të rrëmbyeshëm dhe paraqitje të breshërit. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi veriperëndimor, njofton UHMP.
Në Shkup do të mbajë mot i dielltë me erë të lehtë deri mesatare nga drejtimi veriperëndimor.
Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, të enjten, nën ndikimin e një mase ajrore të lagësht dhe më të ftohtë, moti do të jetë i vranët me reshje shiu, të cilat në vend të caktuar do të jenë më të bollshme (nga 15 deri në 20 l/m²).
Për shkak të depërtimit të ajrit më të ftohtë nga veriu, reshjet e shiut nëpër male do të shndërrohen në reshje bore. Nga e prindja deri në fund të javës do të mbajë mot i ndryshueshëm, i vranët dhe i paqëndrueshëm me reshje të kohëpaskohshme shiu. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë nga drejtimi verior, e cila kohë pas kohe do të kalojë shpejtësinë prej 60 km/h. Temperaturat do të pësojnë rënie, ndërsa ato të mëngjesit në vende të caktuara do të zbriten edhe nën zero.
-
Lajme nga bota1 month ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga rajoni1 month agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Sport1 month agoBARDHI: NËNVLERËSIMI VETËM SE NA MOTIVON KUNDËR DANIMARKËS!

