Në kuadër të manifestimit kulturor “Vera Tetovare”, në Tetovë u mbajt paneli i diskutimit me temë “Diaspora dhe Tetova”, ku morën pjesë mërgimtarë të suksesshëm nga fusha e biznesit, institucioneve dhe vendimmarrjes në vendet ku jetojnë. Në panel u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ekonomik e shoqëror me diasporën, si dhe për krijimin e kushteve më të favorshme për investimet e saj në Tetovë.
Panelistët vlerësuan se diaspora mbetet një nga asetet më të rëndësishme për zhvillimin e qytetit dhe theksuan nevojën për krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet mërgatës dhe institucioneve vendore.
Ridvan Azizi – Panelist
“Qëllimi i këtij aktiviteti është të kuptohet edhe më shumë, në aspektin akademik dhe shoqëror, ndikimi i diasporës në Tetovë dhe mënyrat se si mund të krijohen ura bashkëpunimi në të ardhmen. Tetova ka një mërgatë të madhe dhe synimi është që ajo të kontribuojë më shumë, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në atë shoqëror e social, duke lehtësuar edhe investimet që mund të realizohen këtu.”
Gafar Vejseli tha se organizime të tilla krijojnë mundësi për koordinim më të mirë ndërmjet diasporës, institucioneve dhe komunitetit të biznesit.
Gafar Vejseli – Kryetar i Klubit të Biznesit
“Është shumë i rëndësishëm organizimi i kësaj konference dhe besoj se duhet të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. Të paktën të bëhemi bashkë, të njihemi mes vete dhe të kontribuojmë për qytetin. Si Klubi i Biznesit jemi të angazhuar për bashkëpunim me institucionet shtetërore dhe komunat, në mënyrë që të bashkërendojmë investimet dhe interesin e diasporës, veçanërisht të kompanive nga Gjermania.”
Edhe Lumni Ademi vlerësoi lidhjen e fortë të diasporës me vendlindjen, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm.
Lumni Ademi – Mjek në Zvicër
“Jam shumë i nderuar që jam pjesë e këtij paneli me temën e diasporës. Këtu vërehet një lidhje shumë e fortë ndërmjet diasporës dhe vendlindjes, ndërsa do të prezantojmë mënyrat se si ky bashkëpunim mund të zhvillohet edhe më tej.”
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se ky panel pasqyron realitetin e sotëm të diasporës shqiptare, e cila përfaqësohet nga njerëz të suksesshëm në biznes, institucione dhe organizata në vende të ndryshme të Evropës dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, ky është një format që krijon hapësirë për bashkëpunim më të ngushtë dhe përfshirje më të madhe të potencialit të mërgatës në zhvillimin e Tetovës.
Bilall Kasami – Kryetar i Komunës së Tetovës
“Besoj fuqishëm se ky format i panelit është më se i përshtatshëm dhe reflekton realitetin që po jetojmë. Kemi përfaqësues nga pothuajse të gjitha shtetet evropiane, nga SHBA-ja dhe nga vendet ku jeton diaspora jonë. Gjithashtu kemi përfaqësues nga biznesi, organizata të ndryshme dhe institucione që mbajnë pozita të rëndësishme në Evropë dhe SHBA.”
Duke folur për të drejtën e votës së diasporës, Kasami tha se po shqyrtohen modele që do t’u mundësonin mërgimtarëve të votojnë nga vendet ku jetojnë, përmes postës ose në mënyrë elektronike. Ai shtoi se diaspora mbetet një nga prioritetet e institucioneve dhe se angazhimi për ta përfshirë më shumë në proceset demokratike dhe zhvillimore do të vazhdojë.
Bilall Kasami – Kryetar i Komunës së Tetovës
“Prandaj po bisedohen opsionet që diaspora të mund të votojë. Bisedimet janë që të ketë mundësi të votohet përmes postës ose përmes votimit elektronik, duke shfrytëzuar teknologjitë e fundit. Ne punojmë dhe garantojmë se nuk e harrojmë diasporën; ajo mbetet në krye të prioriteteve dhe agjendës sonë.”
Paneli “Diaspora dhe Tetova” u vlerësua si një mundësi për të forcuar lidhjet ndërmjet Tetovës dhe mërgatës, me synimin që përvoja, njohuritë dhe investimet e saj të kontribuojnë më shumë në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të qytetit. TV KOHA
