Lajme nga vendi
PANEL DISKUTIMI “DIASPORA DHE TETOVA” , FOKUSI TE EKONOMIA DHE INVESTIMET
Në kuadër të manifestimit kulturor “Vera Tetovare”, në Tetovë u mbajt paneli i diskutimit me temë “Diaspora dhe Tetova”, ku morën pjesë mërgimtarë të suksesshëm nga fusha e biznesit, institucioneve dhe vendimmarrjes në vendet ku jetojnë. Në panel u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ekonomik e shoqëror me diasporën, si dhe për krijimin e kushteve më të favorshme për investimet e saj në Tetovë.
Panelistët vlerësuan se diaspora mbetet një nga asetet më të rëndësishme për zhvillimin e qytetit dhe theksuan nevojën për krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet mërgatës dhe institucioneve vendore.
Ridvan Azizi – Panelist
“Qëllimi i këtij aktiviteti është të kuptohet edhe më shumë, në aspektin akademik dhe shoqëror, ndikimi i diasporës në Tetovë dhe mënyrat se si mund të krijohen ura bashkëpunimi në të ardhmen. Tetova ka një mërgatë të madhe dhe synimi është që ajo të kontribuojë më shumë, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në atë shoqëror e social, duke lehtësuar edhe investimet që mund të realizohen këtu.”
Gafar Vejseli tha se organizime të tilla krijojnë mundësi për koordinim më të mirë ndërmjet diasporës, institucioneve dhe komunitetit të biznesit.
Gafar Vejseli – Kryetar i Klubit të Biznesit
“Është shumë i rëndësishëm organizimi i kësaj konference dhe besoj se duhet të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. Të paktën të bëhemi bashkë, të njihemi mes vete dhe të kontribuojmë për qytetin. Si Klubi i Biznesit jemi të angazhuar për bashkëpunim me institucionet shtetërore dhe komunat, në mënyrë që të bashkërendojmë investimet dhe interesin e diasporës, veçanërisht të kompanive nga Gjermania.”
Edhe Lumni Ademi vlerësoi lidhjen e fortë të diasporës me vendlindjen, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm.
Lumni Ademi – Mjek në Zvicër
“Jam shumë i nderuar që jam pjesë e këtij paneli me temën e diasporës. Këtu vërehet një lidhje shumë e fortë ndërmjet diasporës dhe vendlindjes, ndërsa do të prezantojmë mënyrat se si ky bashkëpunim mund të zhvillohet edhe më tej.”
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se ky panel pasqyron realitetin e sotëm të diasporës shqiptare, e cila përfaqësohet nga njerëz të suksesshëm në biznes, institucione dhe organizata në vende të ndryshme të Evropës dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, ky është një format që krijon hapësirë për bashkëpunim më të ngushtë dhe përfshirje më të madhe të potencialit të mërgatës në zhvillimin e Tetovës.
Bilall Kasami – Kryetar i Komunës së Tetovës
“Besoj fuqishëm se ky format i panelit është më se i përshtatshëm dhe reflekton realitetin që po jetojmë. Kemi përfaqësues nga pothuajse të gjitha shtetet evropiane, nga SHBA-ja dhe nga vendet ku jeton diaspora jonë. Gjithashtu kemi përfaqësues nga biznesi, organizata të ndryshme dhe institucione që mbajnë pozita të rëndësishme në Evropë dhe SHBA.”
Duke folur për të drejtën e votës së diasporës, Kasami tha se po shqyrtohen modele që do t’u mundësonin mërgimtarëve të votojnë nga vendet ku jetojnë, përmes postës ose në mënyrë elektronike. Ai shtoi se diaspora mbetet një nga prioritetet e institucioneve dhe se angazhimi për ta përfshirë më shumë në proceset demokratike dhe zhvillimore do të vazhdojë.
Bilall Kasami – Kryetar i Komunës së Tetovës
“Prandaj po bisedohen opsionet që diaspora të mund të votojë. Bisedimet janë që të ketë mundësi të votohet përmes postës ose përmes votimit elektronik, duke shfrytëzuar teknologjitë e fundit. Ne punojmë dhe garantojmë se nuk e harrojmë diasporën; ajo mbetet në krye të prioriteteve dhe agjendës sonë.”
Paneli “Diaspora dhe Tetova” u vlerësua si një mundësi për të forcuar lidhjet ndërmjet Tetovës dhe mërgatës, me synimin që përvoja, njohuritë dhe investimet e saj të kontribuojnë më shumë në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të qytetit. TV KOHA

Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

