Lajme nga vendi
Zv/kryeministri Bekim Sali: Suedia mbetet mbështetëse e fuqishme e perspektivës sonë evropiane
Zv/kryeministri i parë Bekim Sali ka njoftuar se ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Suedisë në Maqedoninë e Veriut, ku është diskutuar për integrimin evropian, reformat dhe bashkëpunimin rajonal.
“Sot zhvilluam një takim miqësor dhe konstruktiv me Ambasadorin e Suedisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Gjatë takimit diskutuam për procesin e integrimit evropian të vendit, zbatimin e Reform Agenda dhe Planit të Rritjes, zhvillimet aktuale në procesin e zgjerimit të BE-së, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal përmes iniciativave si EUSAIR.
Shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e vazhdueshme që Suedia i jep perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe reformave tona në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Njëkohësisht, shpreha mirënjohjen time të veçantë për gjestin miqësor të Ambasadorit dhe dhuratën simbolike – fanellën e Kombëtares së Suedisë – si një shenjë e marrëdhënieve të shkëlqyera dhe miqësisë ndërmjet dy vendeve tona.”, ka deklaraur Sali.
Lajme nga vendi
GJYKATA E TETOVËS: AKUZAT E LIRIDON DISHËS NDAJ BINAS PAJAZITIT – TË PAVËRTETA!
Drejtori i Bibliotekës së Tetovës ka bërë publike vendimin e Gjykatës themelore-Tetovë në lidhje me procesin gjyqësor të inicuar ndaj Liridon Disha për shpifje dhe akuza të pabaza.
Pajaziti përmes një shkrimi në Facebook shkruan se Gjykata konfirmoi se akuzat ishin të pavërteta, duke parashtruar pyetjen, se a mund të kompensohet me të vërtetë një reputacion i dëmtuar?
Gjykata Themelore -Tetovë ka konstatuar se ndaj, Binas Pajazitit, janë bërë publikisht deklarata të pavërteta nga Liridon Disha në konferencën për shtyp të mbajtur më 10 Tetor 2024, me ç’rast është akuzuar për keqpërdorim të mjeteve financiare, malverzime dhe veprimtari të paligjshme gjatë ushtrimit të funksionit drejtor i SHMKM “Nikolla Shtejn”-Tetovë.
Gjatë procedurës gjyqësore është vërtetuar se për këto akuza nuk ka ekzistuar asnjë provë dhe asnjë dokument relevant që do të mund të konfirmonte vërtetësinë e tyre.
Gjykata e Tetovës ka ngarkuar Liridon Dishën që të paguajë shumën prej 2.000 denarëve si dëm jomaterial, kurse shuma e kërkuar prej 180.000 denarëve është refuzuar si e pabazë.
Gjithashtu Liridon Disha duhet t`i paguajë harxhimet e procedurës në vlerë prej 28.380 denarë kurse shuma e kërkuar prej 74.600 është refuzuar si e pabazë.
Sic shkruan Binas Pajaziti në Facebook, akuzat e Liridon Dishës kanë cenuar rëndë nderin, dinjitetin dhe integritetin e tij personal e profesional, për cka ka inicuar procedurë në gjykatën më të lartë.
“Për këtë arsye kam ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, sepse konsideroj se dëmshpërblimi simbolik nuk përfaqëson një kompensim të drejtë për dëmin moral të konstatuar nga gjykata. Kur një person akuzohet publikisht pa asnjë provë dhe gjykata konstaton se këto pretendime janë të pavërteta, drejtësia nuk mund të reduktohet në një shumë simbolike” – shkruan Pajaziti.
Ndryshe më 10 Tetor 2024 gjatë një press-konference në oborrin e Shkollës së Mesme të Mjekësisë në Tetovë, Liridon Disha kishte kërkuar shkarkimin e drejtorit të atëhershëm Binas Pajaziti, për shkak të, sic tha, parregullsive dhe malverzimeve të natyrave të ndryshme sikurse rinovimi I objektit, furnizimin me materiale, furnizimin me uniforma, me cka Shkolla e Mesme e Mjekësisë ka hyrë në borxhe prej 500.000 eurove, të cilët, sic tha atëherë Liridon Disha, Drejtori aktual i ka keqpërdorur.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 23 Qershor
Dje në ora 11:50 në SPB Tetovë, një 30-vjeçare nga Velesi ka denoncuar se rreth orës 10:30 në parkun në rr. “Boris Kidriç” në Tetovë është sulmuar fizikisht nga tri femra të mitura. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
……Dje në ora 18:30 në rr. “108” në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 36-vjeçar nga Tetova, duke vepruar sipas denoncimit paraprak nga babai i tij 60-vjeçar se në oborrin e shtëpisë familjare është sjellë në mënyrë agresive, ka thyer një pjesë të mobilieve dhe ka drejtuar kërcënime ndaj tij dhe bashkëshortes, gjegjësishtë nënës së tij.
……Dje në ora 20:30 në lagjen ,,Tullana” në Gostivar, zyrtarë policorë nga DPB Gostivar kanë privuar nga liria një 41-vjeçar nga fshati Bellovishtë e Gostivarit. Gjatë një kontrolli në trafik, zyrtarët policorë kanë ndaluar një moped me targa të Gostivarit, të cilin ai e drejtonte, dhe pas verifikimeve të kryera është konstatuar se e drejtonte mopedin pa patentë shoferi. Mopedi është sekuestruar.
……Dje në ora 19:30 në rr. “Vidoe Smilevski Bato” në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 26-vjeçar nga fshati Zhelinë dhe një 25-vjeçare nga Tetova. Gjatë një kontrolli në trafik, zyrtarët policorë kanë ndaluar një automjet udhëtarësh “Opel Astra” me targa të Tetovës dhe pas verifikimeve të kryera është konstatuar se ai e drejtonte automjetin pa patentë shoferi. Gjatë tentativës për privimin e tij nga liria dhe sekuestrimin e automjetit, 26-vjeçari është sjellë në mënyrë agresive, me ç’rast ka goditur automjetin e udhëtarëve, ndërsa bashkëudhëtarja e tij i ka penguar zyrtarët policorë dhe i ka sulmuar fizikisht ata. Të dy janë ndaluar në stacionin policor, ndërsa automjeti është sekuestruar.
……Dje në ora 17:10 në SPB Tetovë, punonjësit e kompanisë “Bechtel & Enka” kanë denoncuar se gjatë kryerjes së gërmimeve ndërtimore në territorin e fshatit Simnicë të Gostivarit, kanë gjetur një mjet shpërthyes. Është kryer këqyrja e vendit të ngjarjes nga zyrtarë policorë të DPB Gostivar, ndërsa gjatë ditës mjeti shpërthyes do të merret nga një piroteknik i Direksionit për Mbrojtje dhe Shpëtim.
……Dje në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 17-vjeçar nga fshati Poroj i Tetovës. Paraprakisht, në periudhën nga ora 03:00 deri në 04:00 në rr. “Goce Stojçevski” në Tetovë, zyrtarët policorë kanë vënë re një automjet udhëtarësh “Xhip” me targa të Manastirit duke lëvizur në drejtim të kundërt. Shoferi nuk ka ndaluar në shenjën e dhënë për ndalim, por me shpejtësi të madhe e ka kthyer automjetin dhe ka vazhduar të ikë nëpër disa rrugë të Tetovës. Gjatë kësaj, në një hapësirë parkimi në rr. “Ilinden”, rruga i është bllokuar me një automjet zyrtar “Shkoda jeti”, pas së cilës ai është kthyer dhe ka goditur automjetin zyrtar. Pas verifikimeve të kryera është konstatuar se ai e drejtonte automjetin pa pasur patentë shoferi. Në prani të prindit dhe avokatit, me të është kryer një bisedë zyrtare, automjeti është sekuestruar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të pasojë kallëzimi përkatës.
Lajme nga vendi
Muaji i Çamërisë shënohet me aktivitet artistik në Çarshinë e Shkupit
Mes penelave që vizatonin kujtesën, dhe nën tingujt e muzikës që shoqëronte artistët gjatë pikturimit, Çarshia e Shkupit u bë skenë e një mbrëmjeje kushtuar Çamërisë. Përmes artit dhe simbolikës, pjesëmarrësit sollën pranë qytetarëve copëza historie, kulture dhe identiteti Çam, në një aktivitet të organizuar nga Shoqata Kulturore “Vizioni M” në kuadër të Muajit të Çamërisë. Kolonia artistike me motive Çame e cila paraqiti mesazhe kujtese, respekti dhe vazhdimësie të historisë për brezat që vijnë, poashtu mblodhi qytetarë të shumtë si dhe tërhoqi edhe interesin e turistëve.
Ndërkaq artisti Elbuhar Kamberi i cili ishte pjesë e kolonisë artistike, tha se pikturat e punuara paraqesin mënyrën se si një grup artistësh e manifestojnë solidaritetin e tyre me viktimat e gjenocidit, dhe se simbolizojnë solidarizim me shqipëtarët e Çamërisë.
Elbuhar Kamberi, artist
“Muaji Çam tash e disa vite organizohet këtu në qytetin e Shkupit dhe është një formë përkujtimore ndaj gjenocidit që është kryer mbi shqipëtarët e Çamërisë. Simbolizon, solidarizim me shqipëtarët e Çamërisë dhe është mënyra se si një grup artistësh e manifestojnë solidaritetin e tyre me viktimat e gjenocidit. Dhimbjen që e kanë përjetu, vuajtjet të cilat i kanë përjetuar edhe gjithë përipecitë e shqipëtarëve të Çamërisë”.
Ndërkaq edhe njëra nga pjesëmarrëset, Erza Jakupi, u shpreh se përmes pikturës së saj ka zgjedhur të paraqesë historinë Çame, duke e simbolizuar atë me trëndafilin si shenjë të kujtesës dhe mënyrës se si shqiptarët kanë arritur të lulëzojnë sërish.
Erza Jakupi, artiste
“Sot ndjehem shumë e lumtur që jam pjesë e këtij aktiviteti që po mbahet këtu në këtë ditë kaq të rëndësishme duke e përkujtuar gjenocidin 82 vjeçar të Çamërisë. Në pikturë vendosa të paraqes, që shqipëtarët edhe pse kanë përjetuar shumë sfida të rënda, përsëri kanë aritur të ngrihen në këmbë më të fortë se kurrë edhe të lulëzojnë si një lule, në këtë rast lulja e përfaqëson lulëzimin e shqipëtarëve”.
Teksa ngjyrat në tabllo morën formën e kujtesës dhe mbrëmja kushtuar Çamërisë erdhi drejt fundit, qielli i Shkupit u mbush me balona simbolik. Në shenjë nderimi për 82-vjetorin e gjenocidit Çam, u lëshuan 82 balona, si një kujtesë e heshtur për jetët e humbura dhe historinë që vazhdon të mbahet gjallë përmes përkujtimit, ndërsa, përmes artit dhe simbolikës, pjesëmarrësit përcollën mesazhin e vazhdimësisë së kujtesës ndër breza.Anida Murati /SHENJA/

