Connect with us

Lajme nga bota

Franca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize

Published

on

Presidenti francez Emmanuel Macron do të mbledhë këtë të hënë kabinetin në një takim krize, ndërsa zjarret masive që kanë përfshirë jugperëndimin e Francës po i afrohen qytetit të Bordeaux.
Flakët ndodhen rreth 15 kilometra nga qyteti me afro 850 mijë banorë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se vala e re e të nxehtit, me temperatura që pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius, mund ta përkeqësojë më tej situatën.
Deri më tani, mbi 220 mijë persona janë evakuuar nga zonat përreth Bordeaux. Ministri i Brendshëm francez deklaroi se zjarri po lëviz në mënyrë të paparashikueshme dhe situata mbetet “shumë e pafavorshme”. Megjithatë, autoritetet nuk kanë urdhëruar ende evakuimin e qytetit.
Sipas Federatës Kombëtare të Zjarrfikësve, zjarri në rajonin e Girondës ka krijuar një fenomen të rrallë të njohur si “pyrocumulonimbus”, një stuhi gjigante e krijuar nga vetë flakët, që gjeneron erëra dhe vetëtima, duke e bërë shumë të vështirë kontrollin e tij. “Fronti i zjarrit ndryshon vazhdimisht. Nuk mund ta luftojmë drejtpërdrejt. Është si beteja e Davidit kundër Goliathit“, u shpreh zëdhënësi i zjarrfikësve, Eric Brocardi.
Që nga fillimi i vitit, në Francë janë djegur rreth 98 mijë hektarë sipërfaqe, ndërsa vetëm në rajonin jugperëndimor janë shkrumbuar mbi 42 mijë hektarë, në një nga zjarret më të mëdha pyjore që ka përjetuar vendi që nga Lufta e Dytë Botërore.
Situata mbetet kritike edhe në Spanjë, ku një zjarr i ri pranë Valencias ka detyruar evakuimin e rreth 15 mijë banorëve. Në total, mbi 90 mijë persona janë larguar nga zonat përreth Madridit dhe Ávilës.
Sipas autoriteteve spanjolle, rreth 77 mijë hektarë tokë janë përfshirë nga flakët këtë vit, ndërsa kryeministri Pedro Sanchez paralajmëroi se vendin e presin “orë të vështira” dhe bëri thirrje për një angazhim më të madh në përballimin e emergjencës klimatike.

Lajme nga bota

Festivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori

Published

on

Një festival i madh ushqimi në Seattle u kthye në skenë tragjedie mbrëmjen e së dielës, pasi të shtënat me armë zjarri lanë dy persona të vdekur dhe disa të tjerë të plagosur, mes tyre edhe një fëmijë 2-vjeçar.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 në Qendrën e Seattle-it, ku po zhvillohej festivali tradicional tre-ditor “Bite of Seattle”, që çdo vit mbledh qindra mijëra vizitorë.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve, dy persona humbën jetën në vendngjarje, ndërsa katër të plagosur u dërguan në spital. Një grua mori ndihmë mjekësore në vend, por refuzoi transportimin në spital.
Qendra Mjekësore Harborview bëri të ditur se të gjithë të plagosurit kishin marrë plagë nga armët e zjarrit. Një grua ndodhet në gjendje kritike, ndërsa të tjerët kanë pësuar lëndime në krah, këmbë, bark dhe pjesën e poshtme të këmbës.
Policia e Seattle-it arrestoi një të dyshuar për ngjarjen. Kryebashkiakja Katie Wilson konfirmoi se një person është në paraburgim, ndërsa hetimet për motivin e sulmit vijojnë.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur vizitorët vrapojnë të tmerruar për t’u larguar nga zona sapo dëgjohen të shtënat. Dëshmitarët thanë se dëgjuan disa breshëri armësh, ndërsa në vendngjarje mbërritën menjëherë policia, ambulancat, agjentë të FBI-së dhe forca të tjera të sigurisë.
Kryebashkiakja Wilson e cilësoi ngjarjen si “një akt të tmerrshëm dhune”, duke shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave.
Për shkak të ngjarjes, linja e Monorail-it të Seattle-it pezulloi shërbimin për pjesën e mbetur të ditës, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonën deri në përfundimin e hetimeve.
Sipas të dhënave të Arkivit të Dhunës me Armë, kjo është një nga të paktën 271 ngjarjet me të shtëna masive të regjistruara në Shtetet e Bashkuara gjatë këtij viti.
Continue Reading

Lajme nga bota

Spanja shpall emergjencën kombëtare për shkak të zjarreve masive, mbi 10 mijë persona evakuohen

Published

on

Qeveria spanjolle ka shpallur gjendjen e emergjencës kombëtare pas një serie zjarresh të mëdha pyjore që kanë përfshirë zona pranë Madridit dhe provincën fqinje të Avilës.

Sipas autoriteteve, më shumë se 10 mijë persona janë detyruar të largohen nga banesat e tyre për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve, ndërsa ekipet e emergjencës po përballen me vështirësi për të vënë situatën nën kontroll.

Ministria e Brendshme spanjolle bëri të ditur se vendimi për shpalljen e emergjencës kombëtare u mor për shkak të shpërthimit të njëkohshëm të disa vatrave zjarri, kushteve të pafavorshme atmosferike dhe nevojës për mobilizimin e burimeve nga institucione të ndryshme publike.

Temperaturat e larta, erërat e forta dhe thatësira e zgjatur kanë favorizuar përhapjen e zjarreve, duke rrezikuar zona të banuara dhe sipërfaqe të mëdha pyjore.

Autoritetet kanë urdhëruar evakuime në disa lokalitete, ndërsa banorët janë strehuar në qendra të përkohshme. Në operacionet e shuarjes janë angazhuar qindra zjarrfikës, trupa të specializuara ushtarake, si dhe mjete ajrore, përfshirë avionë dhe helikopterë.

Advertisement

Për shkak të situatës kritike, disa rrugë kryesore janë mbyllur përkohësisht, me qëllim lehtësimin e ndërhyrjeve të ekipeve të shpëtimit dhe garantimin e sigurisë së banorëve.

Shpallja e emergjencës kombëtare i mundëson qeverisë spanjolle një koordinim më të shpejtë të burimeve shtetërore dhe rajonale, si dhe hap mundësinë për kërkimin e mbështetjes shtesë nëse situata përkeqësohet.

 

Continue Reading

Lajme nga bota

Banka Qendrore Evropiane ndërron kartëmonedhat euro, të rejat janë unike

Published

on

Banka Qendrore Evropiane ka prezantuar 10 propozimet finale për dizajnin e serisë së ardhshme të kartëmonedhave euro, ndërsa ka ftuar qytetarët evropianë që të japin mendimin e tyre përmes një ankete publike.

Gjatë prezantimit u bë e ditur se propozimet janë ndarë në dy tema kryesore: “Kultura evropiane” dhe “Lumenjtë dhe zogjtë”, me nga pesë dizajne për secilën temë.

Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane Kristine Lagard tha se procesi është zhvilluar me përfshirjen e jurive, dizajnerëve, ekipeve të BQE-së dhe institucioneve të tjera të Eurosistemit, transmeton KosovaPress.

Sipas saj, më shumë se 365 mijë evropianë kanë dhënë mendimet e tyre në vitin 2023 për temat që duhet të paraqiten në kartëmonedhat e ardhshme.

Në kuadër të temës “Kultura evropiane”, në pjesën e përparme të kartëmonedhave parashihen figura të njohura të historisë evropiane. Shkencëtarja Marie Kyri- Skłodoëska është propozuar për kartëmonedhën 20 euro, ndërsa Ludëig van Beethoven për atë 10 euro.

Advertisement

Në pjesën e pasme të këtyre dizajneve paraqiten vende dhe aktivitete të përbashkëta kulturore. Në kartëmonedhën 10 euro është propozuar një kor duke performuar, ndërsa në atë 50 euro një bibliotekë.

Tema e dytë, “Lumenjtë dhe zogjtë”, sipas Bankës Qendrore Evropiane, simbolizon lirinë, unitetin ndërmjet evropianëve dhe lidhjen me natyrën.

Në pjesën e përparme të kartëmonedhave të kësaj teme janë paraqitur zogj dhe peizazhe lumore, ndërsa në pjesën e pasme institucione evropiane.

Banka Qendrore Evropiane është propozuar të shfaqet në kartëmonedhën 20 euro, ndërsa Parlamenti Evropian në atë 5 euro.

Nga 10 propozimet, njëri pritet të zgjidhet si dizajni i serisë së ardhshme të kartëmonedhave euro në fund të vitit 2026.

Advertisement

Anketa publike do të jetë e hapur deri më 21 shtator. Qëllimi i saj është mbledhja e mendimeve të qytetarëve për secilin propozim, në mënyrë që ato t’i shërbejnë Këshillit Drejtues të BQE-së gjatë marrjes së vendimit përfundimtar.

Continue Reading

Më të lexuarat