Lajme nga bota
Zvicra konfirmon shtyrjen e bisedimeve SHBA-Iran
Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, që ishin paraparë të zhvilloheshin më 19 qershor në resortin malor të Burgenstokut nuk do të zhvillohen siç ishin planifikuar, tha Ministria e Jashtme zvicerane përmes një njoftimi të premten.
“Bisedimet e planifikuara mes SHBA-së, Iranit, Katarit dhe Pakistanit janë shtyrë”, u tha në njoftim.
“Zvicra mbetet e gatshme të lehtësojë këto bisedime. Puna përgatitore në Burgnstok po vazhdon. Aktualisht nuk mund të ofrohen informacione të tjera”, u shtua.
Njoftimi vjen pasi një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha gjatë natës se nënpresidenti amerikan, JD Vance, ka anuluar udhëtimin e planifikuar për në Zvicër, ku parashihej që të takohej me negociatorët iranianë për të nisur bisedimet për një marrëveshje të paqes për t’i dhënë fund luftës.
Shtëpia e Bardhë përmendi sfida logjistike për shtyrjen e udhëtimit të Vance.
Duke përmendur çështje “logjistike”, Shtëpia e Bardhë tha se nënpresidenti amerikan, JD Vance, ka shtyrë udhëtimin e tij për në Zvicër për bisedime të drejtpërdrejta me Iranin, që ishin paraparë të mbaheshin më 19 qershor.
Bisedimet e 19 qershorit u parapanë të nisnin dy ditë pasi presidentët e të dyja shteteve nënshkruan një memorandum mirëkuptimi që synon përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme.
“Logjistika e këtyre negociatave nuk ka qenë kurrë e thjeshtë apo e parashikueshme”, citohet të ketë thënë një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, raportoi AFP-ja në orët e vona të 18 qershorit.
“Deri tani, nënpresidenti nuk do të niset sonte. Presim me padurim që të fillojmë bisedimet teknike sa më shpejt të jetë e mundur”.
Më herët, agjencia iraniane e lajmeve, Tasnim raportoi se “asgjë nuk është konfirmuar” lidhur me udhëtimin e delegacionit të Teheranit në Zvicër.
Mediat iraniane cituan raportime të pakonfirmuara sipas të cilave Teherani ka shtyrë dërgimin e ekipit negociator për shkak të sulmeve të vazhdueshme izraelite në Liban.
Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe homologu i tij iranian, Masud Pezeshkian, nënshkruan më 17 qershor një marrëveshje kornizë që synon t’i japë fund luftës gati katërmujore.
Sipas marrëveshjes fillestare, Teherani dhe Uashingtoni kanë 60 ditë kohë për të arritur një marrëveshje përfundimtare, e cila përfshin kufizime ndaj programit bërthamor të Iranit dhe heqjen e sanksioneve amerikane ndaj Republikës Islamike. Marrëveshja përfshin po ashtu kërkesën e Iranit që Izraeli të ndalë sulmet në Liban./REL
Lajme nga bota
Franca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize
Lajme nga bota
Festivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori
Lajme nga bota
Spanja shpall emergjencën kombëtare për shkak të zjarreve masive, mbi 10 mijë persona evakuohen
Qeveria spanjolle ka shpallur gjendjen e emergjencës kombëtare pas një serie zjarresh të mëdha pyjore që kanë përfshirë zona pranë Madridit dhe provincën fqinje të Avilës.
Sipas autoriteteve, më shumë se 10 mijë persona janë detyruar të largohen nga banesat e tyre për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve, ndërsa ekipet e emergjencës po përballen me vështirësi për të vënë situatën nën kontroll.
Ministria e Brendshme spanjolle bëri të ditur se vendimi për shpalljen e emergjencës kombëtare u mor për shkak të shpërthimit të njëkohshëm të disa vatrave zjarri, kushteve të pafavorshme atmosferike dhe nevojës për mobilizimin e burimeve nga institucione të ndryshme publike.
Temperaturat e larta, erërat e forta dhe thatësira e zgjatur kanë favorizuar përhapjen e zjarreve, duke rrezikuar zona të banuara dhe sipërfaqe të mëdha pyjore.
Autoritetet kanë urdhëruar evakuime në disa lokalitete, ndërsa banorët janë strehuar në qendra të përkohshme. Në operacionet e shuarjes janë angazhuar qindra zjarrfikës, trupa të specializuara ushtarake, si dhe mjete ajrore, përfshirë avionë dhe helikopterë.
Për shkak të situatës kritike, disa rrugë kryesore janë mbyllur përkohësisht, me qëllim lehtësimin e ndërhyrjeve të ekipeve të shpëtimit dhe garantimin e sigurisë së banorëve.
Shpallja e emergjencës kombëtare i mundëson qeverisë spanjolle një koordinim më të shpejtë të burimeve shtetërore dhe rajonale, si dhe hap mundësinë për kërkimin e mbështetjes shtesë nëse situata përkeqësohet.

