Site icon Tetova Expres

LK: KF SHKËNDIJA ME DISFATË MINIMALE KTHEHET NGA SLLOVENIA

Shkëndija pësoi disfatë 2:1 nga NK Bravo në ndeshjen e parë të raundit të dytë eliminator të UEFA Konferencë Liga. Ky  rezultat  jep  shpresë që në ndeshjen kthyese më  30 korrik në Shkup, me angazhim maksimal dhe me  përkrahjen e  tifozëve të shënon rezultatin që do t`i  siguron kualifikim në raundin e tretë.

Shkëndija është mposhtur me rezultat 2:1 nga skuadra sllovene NK Bravo në  Lubjanë ndeshjen e parë të raundit të dytë eliminator të UEFA Konferencë Liga.

Kuqezinjtë kaluan të parët në minutën e 11-të me golin e Endrit Krasniqit nga pika e bardhë, por vendasit arritën të përmbysin gjithçka me golat e Kopatinit dhe Stankoviçit.

Përkundër humbjes, Shkëndija krijoi raste dhe dominoi lojën. Statistikat flasin se posedimi I topit ishte në anën e Shkëndisë me 61%. Kuqezinjtë patën 12 goditje drejt portës, prej të cilëve, 5 në kuadrat kundrejt Bravos me 8 goditje 3 në kuadrat. Shkëndija realizoi 5 goditje këndore kurse skuadra sllovene 1, shifra që flasin se kualifikimi mbetet i hapur për ndeshjen e kthimit.

Pas ndeshjes, trajneri Artim Pollozhani doli përpara mediave për të dhënë analizën e tij.

Advertisement

 “Unë i përgëzova çunat për paraqitjen që bënë. Mendoj që kemi bërë një ndeshje të bukur, një ndeshje me shumë raste me një kundërshtar që ne e patëm potencuar edhe më parë që është jashtëzakonisht taktikisht i vendosur mirë në fushë. Normalisht ajo që nuk funksionoi, unë mendoj që është finalizimi, sepse në momentet që në një ndeshje në Kupat e Evropës prodhon volum aq të lartë edhe prodhon raste para portës, që janë që mundësi goli, unë mendoj që është pozitive sepse rastet janë. Tani patjetër që ne duhet të punojmë te kjo pjesa e finalizimit sepse normal në Kupat e Evropës çdo gol është jashtëzakonisht i vlefshëm, çdo gol sidomos në fushën kundërshtare është i vlefshëm, por që më mërzit fakti që prodhuam raste dhe finalizimi mungoi. Kjo është për meritë të çunave sepse unë mendoj që kanë bërë një ndeshje të mirë” deklaroi trajneri Pollozhani

Disfata në ndeshjen e parë është një rast i mirë që me një qasje serioze në ndeshjen kthyese, rezultati mund  të përmbyset dhe të kalohet  në  raundin e tretë kualifikues, ku gjasat janë reale që Shkëndija të përballet me Malishevën.

 “Në të tilla ndeshje, praktikisht ndeshje që janë në Kupat e Evropës, nuk ka siguri rezultati. Kështu që edhe po të ishim në një rezultat më pozitiv, praktikisht në Shkup do të duhej të futeshim maksimalisht për ta fituar ndeshjen. Kështu që ndonjëherë ky rezultati negativ është edhe i dobishëm në aspektin e asaj për shembull që futesh me një qasje tjetër në lojë. Jo se po të ishte rezultati pozitiv ne nuk do futeshim me qasje maksimale, përkundrazi, sido që të ishte rezultati ne do futeshim, por unë po e potencoj edhe një herë që më vjen keq për çunat sepse bënë ndeshje të mirë, prodhuam por mungoi finalizimi”  tha trajneri Pollozhani

Ndeshja  kthyese Shkëndija – NK Bravo zhvillohet më 30 korrik  me  fillim në ora  20:00 në  Shkup.

Advertisement
Exit mobile version