Site icon Tetova Expres

FUNDJAVA E ZGJATUR KA HESHTUR DHE BOSHATISUR SHKUPIN!

Vikendi i zgjatur dhe temperaturat e larta thuajse e kanë boshatisur kryeqytetin. Shumë qytetarë kanë vendosur t’i ikin vapës, duke zgjedhur të freskohen në destinacionet turistike më të afërta.

Lëvizje e reduktuar vërehet edhe në Tregun e Gjelbër, ku numri i blerësve është dukshëm më i vogël krahasuar me ditët e zakonshme.

Për shkak të vikendit të zgjatur dhe reduktimit të punës, shumë prej tregtarëve kanë vendosur të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos dalin ta kryejnë punën e tyre.

Edhe tregtarët, të cilët sot kishin dalë në treg, thonë se fundjava e zgjatur ka ndikuar ndjeshëm në uljen e shitjeve.

Këto tre ose katër ditë është ulur ndjeshëm puna. Për fat të keq, malli nuk qëndron, prishet, edhe pse çmimet janë të përshtatshme për gjithsecilin. Domaten më të mirë, prodhim vendor, e ke 60 denarë. Kemi qepë, po edhe sallata, gjithashtu, janë prodhim i yni, jo i eksportuar. Megjithëse mund të themi se sot është pak më mirë se ditëve të kaluara. Por ajo që mund të them është se blerësit këtë vikend nuk kanë të drejtë të ankohen për çmimet.

Advertisement

Lëvizje në pazar ka pasur sikur gjithmonë. Mesa duket, për shqiptarët nuk ka pushim, sepse çështja ekonomike e bën të veten. S’kemi të holla ne për det.

Valla, qenka shumë dobët, ka pak njerëz. Problem është buxheti.

Përveç tregut, fundjava e zgjatur e ka heshtur edhe Çarshinë e Vjetër, e cila zakonisht është pjesa më e zhurmshme dhe e vizituar nga qytetarët.

Përveç Tregut të Gjelbër, vikendi i zgjatur ka çuar në pushime edhe shitësit në Çarshinë e Vjetër dhe, si rrjedhojë, shumë dyqane janë të mbyllura.

Zhurma e Tregut të Gjelbër dhe e Çarshisë së Vjetër është zhvendosur në pikat kufitare, ku shumë qytetarë presin në kolona për t’u kthyer në shtëpitë e tyre për të vazhduar nga nesër aktivitetet dhe obligimet e përditshme./Tv Koha – Shkup/

Advertisement
Exit mobile version