Site icon Tetova Expres

Aksion i madh i MPB-së, bastisje në rreth 20 lokacione për shkak të patentave të dyshimta

Ministria e Punëve të Brendshme po zhvillon një aksion të koordinuar në disa lokacione, nën dyshimet për lëshim të paligjshëm dhe falsifikim të patentë-shoferëve për kategoritë C dhe D, për drejtimin e kamionëve dhe autobusëve.

Sipas informacioneve , kontrolle dhe bastisje po kryhen ndaj të paktën 25 personave, ndërsa një pjesë e tyre tashmë janë privuar nga liria.

Mes të dyshuarve dyshohet se ka edhe punonjës të MPB-së, ndërsa disa persona dyshohet se kanë drejtuar autobusë dhe automjete të rënda transportuese me patentë-shoferë të falsifikuar, brenda dhe jashtë vendit.

Sipas informacioneve paraprake, mënyra e funksionimit dyshohet se ka qenë që personat të deklaronin se e kishin humbur patentë-shoferin që posedonin për drejtimin e automjeteve, ndërsa gjatë procedurës për zëvendësimin e dokumentit, me ndihmën e një punonjësi të MPB-së, në patentë u shtoheshin kategori për të cilat nuk kishin dhënë provim dhe nuk kishin bazë ligjore për t’i marrë.

Për këto ndryshime të paligjshme dyshohet se janë dhënë para në këmbim të shërbimit.

Advertisement

Aksioni është në zhvillim e sipër, ndërsa priten më shumë detaje nga institucionet kompetente për personat e përfshirë dhe veprat për të cilat dyshohen./INA/

Exit mobile version