Rikonstruimi i Çarshisë së Vjetër të Shkupit po hyn në fazën përfundimtare, ndërsa pjesa më e madhe e punimeve tashmë është realizuar. Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, theksoi se projekti po i jep Çarshisë një pamje të re, duke ruajtur njëkohësisht identitetin dhe karakterin e saj tradicional.
Në një sipërfaqe prej 1.567 m², ndërhyrjet kanë përfshirë infrastrukturën nëntokësore dhe rregullimin e hapësirës mbi tokë: rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, rrjetin elektrik dhe fibrat optike, restaurimin e kalldrëmit me gur travertin, vendosjen e ndriçimit të ri tradicional dhe rregullimin e hapësirave për këmbësorët.
“Premtuam t’ia rikthejmë shkëlqimin Çarshisë dhe sot rezultati po shihet. Pas më shumë se pesë dekadash, po realizojmë një ndërhyrje rrënjësore, nga infrastruktura nëntokësore deri te pamja përfundimtare, duke ruajtur identitetin që e bën Çarshinë të veçantë. Me mbi 28 milionë denarë investim, po krijojmë kushte më të mira për qytetarët, zejtarët, bizneset dhe vizitorët,” deklaroi Mexhiti.
Me përfundimin e projektit, Çarshia e Vjetër do të ketë infrastrukturë të modernizuar dhe hapësira publike më funksionale, duke ruajtur në të njëjtën kohë vlerat e saj historike dhe autentike.