Pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, çështja nuk përfundon me vendimin e sotëm.
Si Mbrojtja, ashtu edhe Prokuroria e Specializuar kanë të drejtë të apelojnë. Apeli shqyrtohet nga një panel prej tre gjyqtarësh.
Palët paraqesin argumentet e tyre me shkrim dhe, nëse vendoset, zhvillohet edhe seancë dëgjimore. Paneli mund ta konfirmojë vendimin, ta ndryshojë atë, të rrëzojë pjesë të tij ose të ndryshojë dënimet.
Në këtë rast, Mbrojtja mund të kërkojë rrëzimin e fajit ose dhe ulje të dënimeve, ndërsa Prokuroria mund të kundërshtojë pjesë të aktgjykimit dhe masën e ndëshkimit.
Procedura e apelit nuk ka një afat të përcaktuar përfundimtar. Përvoja e rasteve të mëparshme të Dhomave të Specializuara të Kosovës tregon se ajo mund të zgjasë nga disa muaj deri në më shumë se një vit.
Për një çështje të përmasave të Thaçi dhe të tjerët, koha mund të jetë edhe më e gjatë.
Për shembull, rasti i Hysni Gucatit për pengim drejtësie zgjati rreth 9 muaj, me vendimin e shkallës së parë të dhënë në 18 maj 2022 dhe vendimin e apelit të shpallur në 2 shkurt 2023.
Pjetër Shalës po ashtu, ish pjesëtari i UCK-së i njohur me pseudonimin “Komandant Ujku”, i akuzuar për krime lufte dhe i dënuar me 18 vite burg nga Dhomat e Specializuara, iu desh ta priste gati një vit për vendimin e Apelit, që ia uli dënimin në 13 vite heqje lirie.
Gjatë kësaj periudhe, të dënuarit mbeten nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara.
Koha e kaluar në paraburgim llogaritet në dënimin përfundimtar.
Nëse aktgjykimi merr formë të prerë, dënimi mund të ekzekutohet në një shtet që ka marrëveshje me Dhomat e Specializuara për vuajtjen e dënimeve.
