Lajme nga rajoni
AKTGJYKIMI I HAGËS: NIS BETEJA E APELIT? SA ZGJAT PROCESI!
Pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, çështja nuk përfundon me vendimin e sotëm.
Si Mbrojtja, ashtu edhe Prokuroria e Specializuar kanë të drejtë të apelojnë. Apeli shqyrtohet nga një panel prej tre gjyqtarësh.
Palët paraqesin argumentet e tyre me shkrim dhe, nëse vendoset, zhvillohet edhe seancë dëgjimore. Paneli mund ta konfirmojë vendimin, ta ndryshojë atë, të rrëzojë pjesë të tij ose të ndryshojë dënimet.
Në këtë rast, Mbrojtja mund të kërkojë rrëzimin e fajit ose dhe ulje të dënimeve, ndërsa Prokuroria mund të kundërshtojë pjesë të aktgjykimit dhe masën e ndëshkimit.
Procedura e apelit nuk ka një afat të përcaktuar përfundimtar. Përvoja e rasteve të mëparshme të Dhomave të Specializuara të Kosovës tregon se ajo mund të zgjasë nga disa muaj deri në më shumë se një vit.
Për një çështje të përmasave të Thaçi dhe të tjerët, koha mund të jetë edhe më e gjatë.
Për shembull, rasti i Hysni Gucatit për pengim drejtësie zgjati rreth 9 muaj, me vendimin e shkallës së parë të dhënë në 18 maj 2022 dhe vendimin e apelit të shpallur në 2 shkurt 2023.
Pjetër Shalës po ashtu, ish pjesëtari i UCK-së i njohur me pseudonimin “Komandant Ujku”, i akuzuar për krime lufte dhe i dënuar me 18 vite burg nga Dhomat e Specializuara, iu desh ta priste gati një vit për vendimin e Apelit, që ia uli dënimin në 13 vite heqje lirie.
Gjatë kësaj periudhe, të dënuarit mbeten nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara.
Koha e kaluar në paraburgim llogaritet në dënimin përfundimtar.
Nëse aktgjykimi merr formë të prerë, dënimi mund të ekzekutohet në një shtet që ka marrëveshje me Dhomat e Specializuara për vuajtjen e dënimeve.
Lajme nga rajoni
VERDIKTI I HAGËS: REAGOJNË GRANIT XHAKA, DUA LIPA, RITA ORA!
Pas verdiktit dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, futbollisti me prejardhje shqiptare, Granit Xhaka ka ndarë një mesazh mbështetje për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.
Përmes rrjeteve sociale, ai ka publikuar një fotografi të ish-krerëve ndërsa në të shkruhet: “Luftuan në tokën e tyre, për lirinë e atdheut. Liria ka emër”.
Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa, ka reaguar ndaj vendimit të Hagë për ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Ajo pakënaqësinë e saj e shprehu duke publikuar në Instastory llogon e UÇK-së me hashtagun Liria Ka Emër.
Lipa po ashtu në storien tjetër publikoi edhe krimet e luftës së fundit në Kosovë, të kryera nga Serbia.
1 milion refugjatë; 11 mijë të vrarë; 1 mijë e 24 fëmijë të vrarë; 20 mijë të dhunuar; si dhe 1 mijë e 600 të zhdukur.
Pas Dua Lipës, edhe këngëtarja nga Kosova me famë botërore, Rita Ora ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për ish-krerët e UÇK-së.
Në llogarinë e saj në Instagram ajo ka shpërndarë një foto të një uniforme ushtarake me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me mesazhin: “Luftojmë për Kosovën, të cilën sot e quajmë shtëpi.”
Në një tjetër postim këngëtares ka shpërndarë një foto të saj duke bërë shenjën e shqiponjës me duar.
Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka nxitur reagime edhe nga figura të njohura të shou bizzit vendor.
Disa prej artistëve shqiptarë kanë shprehur publikisht qëndrimet e tyre përmes rrjeteve sociale, duke reaguar kundër vendimit.
Lajme nga rajoni
Walker pas aktgjykimit: Pse nuk është thirrur Vuçiqi në Hagë?
Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, e ka cilësuar një moment të keq për Kosovën, Ballkanin dhe Evropën vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burg.
Walker tha se procesi, sipas tij, është karakterizuar nga “keqmenaxhimi i drejtësisë” që nga fillimi. Ai shprehu gjithashtu zhgënjimin e tij me Bashkimin Evropian, duke pretenduar se është krijuar një qasje që vendos në të njëjtën peshore krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Në një prononcim për A2 CNN, Walker ngriti edhe çështjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke pyetur pse ai nuk është thirrur për të dëshmuar në Hagë.
“Jam shumë i mërzitur me BE-në që, për arsyet e veta politike, ka dashur të vërë shenjën e barazimit për ato gjëra të tmerrshme që janë bërë nga qeveria e Serbisë, përfshirë edhe Vuçiqin”, tha Walker.
Ai shtoi se nuk e kupton pse Vuçiqi nuk është marrë në pyetje apo thirrur për të dëshmuar para Dhomave të Specializuara.
“Pse nuk është marrë ai nga Zyra e Prokurorisë Speciale, ose të thirret në Hagë për të dëshmuar? Nuk e di pse BE-ja ka bërë bashkë një trupë gjykues për të akuzuar shqiptarët”, u shpreh Walker.
Duke iu referuar presidentit serb, Walker tha se Vuçiqi “ende kryen ritet” që, sipas tij, i ka kryer gjatë kohës kur ishte ministër i Informacionit në qeverinë e Slobodan Millosheviçit.
“Nëse kthehem te Vuçiqi, nga Beogradi ai ende kryen ritet që ka bërë si ministër i propagandës në kohën e Millosheviçit. Prandaj jam shumë i zhgënjyer me BE-në, duke bërë një përqasje me paragjykim për të gjetur përgjegjësinë e tmerreve që ka shumë për të fajësuar”, tha Walker.
Lajme nga rajoni
Ish-komandanti i NATO-s: Bota nuk duhet ta harrojë luftën në Kosovë
Wesley Clark, ish-komandant i NATO-s në Evropë, u shpreh se ajo që ka ndodhur në Kosovë në vitet 1997-1999 nuk duhet harruar nga bota.
“Kanë kaluar 27 vjet dhe disa prej atyre që janë në gjykatë e kanë harruar frikën e represionit të Millosheviçit mbi njerëzit e Kosovës. Unë e mbaj mend shumë qartë, në verën e vitit 1998, kur mbi 400 000 njerëz u spastruan nga fshatrat e tyre, ushtria që bënte lëvizje speciale taktike dhe eliminonte intelektualët, avokatët, profesorët. Shkonin atje për të plaçkitur shtëpitë dhe për të kryer krime të tmerrshme kundër njerëzve”, tha Clark në një lidhje direkte me “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Sigurisht, njerëzit rezistuan kundrejt kësaj, por ndoshta sot pas 27 vitesh, duke parë çfarë ndodh edhe me pushtimin rus në Ukrainë, atë çfarë ndodh në Lindjen e Mesme, njerëzit harrojnë.
Por, nuk është e njëjta gjë. Nga 1997 deri në 1999 ata nuk duhet ta harrojnë sepse ne duhet të formësojmë civilizimin e ri, për ruajtjen e të drejtave të njeriut, për atë që ka bërë Amerika edhe me deklaratën që e ka nënshkruar, dhe këtë njerëzit nuk duhet ta harrojnë”, shtoi ish-komandanti i NATO-s.
-
Lajme nga vendi2 months agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota2 months agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize
-
Lajme nga bota2 months agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori

