Lajme nga bota
Çmime rekord karburantesh në Gjermani, Merz premton ndërhyrje
Çmimet në pikat e karburantit në Gjermani po njohin vetëm një drejtim, rritje rekord. Tani kancelari federal Friedrich Merz (CDU) vlerëson se është arritur kufiri i përballueshmërisë për shumë qytetarë. “Mendoj se duhet të veprojmë”, deklaroi ai të martën në Berlin. Sipas Merzit, qeveria ende nuk ka vendosur për instrumentet konkrete, por po shqyrton mundësinë e ndërhyrjeve përmes taksave dhe tarifave. Ndërkohë, industria e naftës parashikon që normalizimi i çmimeve të ndodhë vetëm gjatë vitit të ardhshëm.
“Për shumë njerëz që varen çdo ditë nga makina, kufiri i përballueshmërisë është arritur”, tha kancelari. Ai theksoi se qeveria federale po zhvillon konsultime intensive me landet për masat e mundshme lehtësuese dhe premtoi se një propozim konkret do të paraqitet shumë shpejt. Edhe pse në mbledhjen e kabinetit të së mërkurës nuk priten vendime zyrtare për këtë çështje, sipas burimeve qeveritare tema e lehtësimit të barrës së çmimeve të karburanteve do të diskutohet të paktën në mënyrë joformale.
Dy propozime të ndryshme
Ndërsa SPD-ja kërkon kufizimin e çmimeve dhe vendosjen e një takse për fitimet e tepërta të gjigantëve të naftës, Ministria e Ekonomisë favorizon një zgjidhje tjetër. Nga Ministria e Ekonomisë pati skepticizëm ndaj propozimeve të SPD-së për frenimin e çmimeve të karburanteve. Sipas burimeve të ministrisë, si kufizimi administrativ i çmimeve, ashtu edhe vendosja e një takse mbi fitimet e tepërta të koncerneve të naftës, mbartin probleme dhe rreziqe të konsiderueshme.
Ministria e Ekonomisë argumenton se modeli luksemburgas nuk është i përshtatshëm për Gjermaninë. Madhësia e tregut dhe kushtet e ndryshme ekonomike e bëjnë të vështirë transferimin e kësaj skeme. Për më tepër, një tavan për çmimet e karburanteve do të mund të krijonte probleme ligjore dhe kosto të konsiderueshme për shtetin. Si shembuj përmenden Polonia dhe Austria, të cilat eksperimentuan me masa të ngjashme, por i hoqën ato vetëm pak muaj më vonë.SPD-ja sheh si model Belgjikën. Atje, shteti cakton çdo ditë çmimin maksimal të karburanteve, bazuar në ecurinë e çmimit të naftës dhe kostot e tregut. Pikat e karburantit mund të ofrojnë çmime më të ulëta, por jo më të larta se kufiri i përcaktuar. Sipas socialdemokratit Armand Zorn, kjo skemë mbron konsumatorët nga rritjet e pakontrolluara, pa krijuar kosto shtesë për buxhetin e shtetit.
Kurse Ministrja e Ekonomisë, Katharia Reiche, mbështet një zgjidhje tjetër. Ajo favorizon pagesa të drejtpërdrejta për familjet me të ardhura të ulëta. Këto do të duhej të zbatoheshin nga Ministria Federale e Financave. “Një instrument i tillë tashmë ekziston”, tha politikania e CDU-së. “Kjo do të ishte një mënyrë për të lehtësuar shpejt barrën financiare, por në mënyrë të targetuar, pikërisht për ato grupe të ardhurash” që paguajnë pak ose aspak taksa./DW
Lajme nga bota
Pamje dramatike/ Babai e harroi mbi çatinë e makinës dhe u nis në rrugë, foshnja në Meksikë shpëton falë ndërhyrjes së motoçiklistit
Një ngjarje e pazakontë dhe tejet e rrezikshme është regjistruar në Meksikë, ku një burrë është larguar me makinën e tij pa kuptuar se kishte harruar foshnjën në shportën e saj, të vendosur mbi çatinë e automjetit. Fëmija shpëtoi pa pësuar lëndime të rënda falë ndërhyrjes së një motoçiklisti dhe këmbënguljes së kalimtarëve që u përpoqën të ndalonin shoferin.
Ngjarja ndodhi në zonën Ávila Camacho, në qytetin Torreón. Pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë shportën me foshnjën mbi çatinë e makinës, ndërsa automjeti është në lëvizje. Një motoçiklist, i cili ishte dëshmitar i situatës, nisi t’i binte borisë dhe të bërtiste për të tërhequr vëmendjen e shoferit dhe për ta paralajmëruar që të ndalonte. Megjithatë, burri duket se nuk i dëgjon thirrjet dhe vijon udhëtimin.
Lajme nga bota
Përmbytje të mëdha në Stamboll, dy të vdekur dhe qindra banesa nën ujë – pezullohet mësimi
Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve të mëdha që kanë goditur Stambollin, pas reshjeve të dendura të shiut që shkaktuan vërshime në rrugë, banesa dhe biznese, duke paralizuar pjesërisht jetën në qytetin më të madh të Turqisë.
Sipas agjencisë shtetërore turke Anadolu, një grua 34-vjeçare ka humbur jetën në lagjen Sarıyer, pasi është rrëzuar teksa po përpiqej të kalonte një rrugë të përmbytur. Ajo është dërguar në spital, por nuk ka arritur të mbijetojë.
Ndërkohë, një 14-vjeçar ka vdekur si pasojë e goditjes nga rryma elektrike, pasi kishte shkelur në një pellg me ujë në zonën Balat të Stambollit.
Reshjet e dendura, që përfshinë qytetin të mërkurën, më 14 tetor, shkaktuan përmbytje në disa lagje, ndërsa automjete të shumta mbetën të bllokuara në rrugë dhe disa të tjera u morën nga rrjedha e ujit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Guvernatori i Stambollit, gjatë periudhës nga ora 06:00 deri në orën 20:00 të së mërkurës, autoritetet kanë pranuar gjithsej 2 mijë e 518 thirrje emergjente.
Në mesin e tyre janë regjistruar 1 mijë e 277 raste përmbytjesh, 15 rrëshqitje dheu dhe 47 raste të personave të bllokuar. Po ashtu, janë evidentuar raportime për përmbytje në 808 banesa dhe 280 biznese.
Për përballimin e situatës emergjente, autoritetet kanë angazhuar rreth 8 mijë punonjës dhe 2 mijë automjete e makineri të rënda.
Situata ka qenë veçanërisht e rëndë në lagjen Ayazağa të Sarıyerit, ku rreth 200 punonjës mbetën të bllokuar në vendet e tyre të punës për shkak të përmbytjeve.
Ekipet e shpëtimit, përfshirë autoritetet e emergjencave AFAD, zjarrfikësit dhe njësitë e kërkim-shpëtimit, ndërhynë gjatë natës, duke evakuuar punonjësit me kamionë dhe minibusë. Në disa raste, makineritë e rënda u përdorën për të shpëtuar qytetarët e bllokuar në automjete.
Përmbytjet kanë prekur edhe objekte historike. Në zonën Kağıthane, lumi doli nga shtrati, duke përmbytur xhaminë historike Sadabad dhe ndërtesat përreth saj. Uji depërtoi edhe në hapësirat e brendshme të xhamisë, ndërsa autoritetet ndaluan hyrjen në objekt për arsye sigurie.
Për shkak të kushteve të rënda atmosferike, Guvernatori i Stambollit ka vendosur pezullimin e mësimit në të gjitha institucionet arsimore publike dhe private për ditën e enjte, 15 tetor.
Autoritetet kanë vendosur gjithashtu masa të tjera parandaluese, përfshirë kufizimin e qarkullimit të motoçikletave dhe lejen administrative për kategori të caktuara të punonjësve publikë.
Qytetarëve u është bërë thirrje të shmangin lëvizjet e panevojshme, ndërsa banorët e kateve nëntokësore janë këshilluar të qëndrojnë përkohësisht në vende më të sigurta.
Shërbimi meteorologjik turk ka paralajmëruar vazhdimin e reshjeve të shiut dhe stuhive gjatë së enjtes, ndërsa ekipet emergjente vijojnë ndërhyrjet në zonat e prekura.
Lajme nga bota
Blerja e raketave nga Serbia alarmon rajonin: Eurodeputeti kroat kërkon reagim urgjent nga Komisioni Europian
Blerja e armatimeve ofensive nga ana e Serbisë, përfshirë raketat balistike të siguruara nga Kina dhe bashkëpunimi i ngushtë ushtarak me Rusinë, përbën një kërcënim real për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në një prononcim publik, eurodeputeti kroat Davor Ivo Stier theksoi se Parlamenti Europian ka qenë kritiku më i ashpër i regjimit të Beogradit, duke i kërkuar zyrtarisht Komisionit Europian ndërprerjen e fondeve dhe ndryshimin e menjëhershëm të qasjes politike.
Deklarata e eurodeputetit Davor Ivo Stier:
“Shqetësimi ynë nuk ka të bëjë vetëm me riarmatimin, por edhe me prokurimin e armëve ofensive, për shembull si raketat balistike që janë blerë nga Kina. Çështja është, përse i duhen këto armatime ofensive? Të cilën ne e kemi vënë në dukje përmes një rezolute të Parlamentit Evropian mbi Serbinë.
Ne kemi konstatuar se regjimi serb nuk po ecën aspak në drejtim të vlerave evropiane dhe, sidomos pas sulmit të Banjskës, Parlamenti Evropian ka qenë shumë kritik edhe sa i takon reagimeve të institucioneve të tjera, përfshirë Komisionin Evropian, të cilit ne i kemi bërë thirrje që të aplikojë politikat e duhura që tregojnë se vendi nuk po implementon reformat dhe nuk meriton më fonde.
Prandaj do të thosha se Parlamenti Evropian ka qenë institucioni më kritik kur bëhet fjalë për politikat kundrejt Serbisë, ndërsa tek Komisioni zbatohen dhe ndiqen ende politika dhe qasje përmes të cilave ata shpresojnë se do të arrijnë rezultate, por këto rezultate deri më sot kanë qenë negative.
Sigurisht që është një deklaratë shqetësuese. Në vend që t’i vinte veshin mesazheve që vijnë nga institucionet evropiane dhe sidomos nga Parlamenti Evropian, ajo që kemi parë deri tani me Beogradin është se vazhdon me politikat e tij. Vetëm ditën e djeshme, për shembull, Ministria e Jashtme e Serbisë shpërndau një notë verbale proteste kundër lirisë së medias në Kroaci.
Kjo është një ndërhyrje e pastër në çështjet e brendshme të një vendi, por vjen në një kohë kur Serbia ndodhet në prag të zgjedhjeve. Kjo nuk është mënyra e duhur për të ecur përpara dhe mendoj se Serbisë i duhet bërë e qartë se me këto politika të brendshme Serbia nuk po ecën drejt Bashkimit Evropian.”
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

