Site icon Tetova Expres

SEMIRE SEFERI DHE ARLINDA LUMA MORËN TITULLIN HAFIZE TË KUR’ANIT FISNIK

Të Dielën, në Xhaminë e Epërme në Reçicë të Madhe, në një atmosferë të veçantë festive dhe shpirtërore, u mbajt ceremonia solemne e duasë së hifzit për hafizen e re, Semire Zulqufli Seferi.

Hfz. Semire Zulqufli Seferi, rrugëtimin e saj të bekuar në mësimin përmendësh të Kur’anit Fisnik e filloi më 19 qershor 2022 te muhafidhi i saj, Abdurahman ef. Asllani, ndërsa e kurorëzoi me sukses më 4 shtator 2026, në qendrën e hifzit „Molla Mahmud ef. Asllani“.

Provimin e hifzit e kreu me sukses mes datave 7, 11 dhe 14 shtator 2026, para Komisionit të Hifzit pranë BFI – Myftinisë së Tetovës, në përbërje:

Hfz. Ibrahim Alija – kryetar, Hfz. Emin Beadini – anëtar, Hfz. Elvira Halimi – anëtare.

Në shenjë vlerësimi për arritjen e këtij suksesi madhor, hafizes së re iu dorëzua certifikata e hifzit nga Myftinia e Tetovës, e cila do të shndërrohet në diplomë zyrtare gjatë ceremonisë qendrore të organizuar nga Rijaseti i BFI-së. Po ashtu, u ndanë mirënjohje dhe dhurata për hafizen dhe muhafidhin e saj, Abdurahman ef. Asllani, në shenjë falënderimi për punën dhe kujdesin e treguar.

Advertisement

Poashtu, më 3 tetor 2026, në Xhaminë e fshatit Glloboçicë të Kosovës, u mbajt ceremonia e duasë së hifzit për hafizen e re, Arlinda Nexhat Luma.

Arlinda Nexhat Luma, rrugëtimin e saj në mësimin përmendësh të Kur’anit Fisnik e filloi më 29 janar 2019, ndërsa e përfundoi me sukses më 15 shtator 2026, në Institutin e Hifzit pranë Xhamisë së Larme në Tetovë, nën përkujdesjen e muhafidhit të saj, hfz. Zulqufli ef. Asllani.

Provimin e hifzit e kaloi me sukses më 18, 21 dhe 24 shtator 2026, para Komisionit të Hifzit pranë Myftinisë së Tetovës, në përbërje: hfz. Xheladin ef. Jusufi – kryetar, hfz. Resi ef. Dauti – anëtar dhe hfz. Eliza Emini – anëtare.

Hafizja e re ka përfunduar Medresenë “Isa Beu” në Tetovë, ndërsa studimet e larta i ka kryer në Universitetin e Tetovës, në Fakultetin e Mjekësisë.

Dy solemnitetet e veçanta, me praninë e tyre, i nderuan Reisul Ulema i BFI-së, Shaqir ef. Fetai; kryetari i Këshillit të BIK-ut në Kaçanik, Fidaim ef. Fazliu, me bashkëpunëtorë; Myftiu i Tetovës, Selver Xhemaili, me bashkëpunëtorë; profesorë, hoxhallarë nga rrethi i Tetovës dhe Kaçanikut, përfaqësues të institucioneve të BFI-së dhe BIK-ut, si dhe familjarë, miq e dashamirë të shumtë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Advertisement

Myftinia e Tetovës shpreh urimet më të ngrohta për dy hafizet, familjet e tyre, duke e lutur Allahun e Madhërishëm që Kur’anin Famëlartë ta bëjë udhërrëfyes të jetës së saj dhe ndërmjetësues në Ditën e Gjykimit, thuhet në një komunikatë nga Myftinia e Tetovës.

Exit mobile version