Zinxhiri i shitjes me pakicë “Tinex” që nga e premtja zyrtarisht është në pronësi të kompanisë kosovare “Proeks International” nga Prishtina, përcjell TV21.
“Proeks International” e ka marrë në pronësi “Tinex Market”, shoqërinë e sapoformuar përmes së cilës do të vazhdojë biznesi i shitjes me pakicë i pronarit të deritanishëm “Tinex-MT”.
Me këtë, pas më shumë se tre dekadash në pronësi vendore, “Tinex” hyn në një fazë të re të funksionimit.
Drejtor i ri i “Tinex Market” është Liridon Berisha nga Kosova, i cili vjen në vendin e Kristina Todoroviq-Nikoliq.
Sipas profilit të tij profesional, Berisha që nga shtatori i vitit 2020 është drejtor ekzekutiv për logjistikë në “Interex Supermarket”, ndërsa më herët, nga viti 2019 deri në vitin 2020, ka qenë drejtor kryesor i marketingut në “Viva Fresh Store”, njofton “Faktor”.
Për blerjen më herët kishte dhënë miratimin edhe Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili më 25 gusht miratoi përqendrimin përmes të cilit “Proeks International” do të marrë kontrollin mbi “Tinex Market” DOOEL Shkup.
Transaksioni përfshin biznesin e supermarketeve që deri më tani menaxhohej nga “Tinex-MT”, nën brendet “Tinex”, “SuperTinex”, “Tinex Delikates”, “Konto” dhe “Spot”.
“Proeks International” është kompani nga Prishtina, veprimtaria kryesore e së cilës është shitja me pakicë në dyqane të paspecializuara, kryesisht me ushqime, pije dhe produkte të duhanit.
Kompania është pjesë e “Proeks Group”, e cila vepron edhe në importin dhe shpërndarjen e mallrave të konsumit të gjerë, shitjen me pakicë, menaxhimin e supermarketeve dhe logjistikën, si dhe në tregtinë, magazinimin dhe shpërndarjen e derivateve të naftës.
“Tinex” zyrtarisht në pronësi të kompanisë “Interex”
