Lajme nga vendi
“Tinex” zyrtarisht në pronësi të kompanisë “Interex”
Zinxhiri i shitjes me pakicë “Tinex” që nga e premtja zyrtarisht është në pronësi të kompanisë kosovare “Proeks International” nga Prishtina, përcjell TV21.
“Proeks International” e ka marrë në pronësi “Tinex Market”, shoqërinë e sapoformuar përmes së cilës do të vazhdojë biznesi i shitjes me pakicë i pronarit të deritanishëm “Tinex-MT”.
Me këtë, pas më shumë se tre dekadash në pronësi vendore, “Tinex” hyn në një fazë të re të funksionimit.
Drejtor i ri i “Tinex Market” është Liridon Berisha nga Kosova, i cili vjen në vendin e Kristina Todoroviq-Nikoliq.
Sipas profilit të tij profesional, Berisha që nga shtatori i vitit 2020 është drejtor ekzekutiv për logjistikë në “Interex Supermarket”, ndërsa më herët, nga viti 2019 deri në vitin 2020, ka qenë drejtor kryesor i marketingut në “Viva Fresh Store”, njofton “Faktor”.
Për blerjen më herët kishte dhënë miratimin edhe Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili më 25 gusht miratoi përqendrimin përmes të cilit “Proeks International” do të marrë kontrollin mbi “Tinex Market” DOOEL Shkup.
Transaksioni përfshin biznesin e supermarketeve që deri më tani menaxhohej nga “Tinex-MT”, nën brendet “Tinex”, “SuperTinex”, “Tinex Delikates”, “Konto” dhe “Spot”.
“Proeks International” është kompani nga Prishtina, veprimtaria kryesore e së cilës është shitja me pakicë në dyqane të paspecializuara, kryesisht me ushqime, pije dhe produkte të duhanit.
Kompania është pjesë e “Proeks Group”, e cila vepron edhe në importin dhe shpërndarjen e mallrave të konsumit të gjerë, shitjen me pakicë, menaxhimin e supermarketeve dhe logjistikën, si dhe në tregtinë, magazinimin dhe shpërndarjen e derivateve të naftës.
Lajme nga vendi
SËRISH DENONCIME PËR “BOMBA” NË SHKOLLAT E TETOVËS!
Katër shkolla në Tetovë sot kanë marrë njoftime për vendosjen e bombave, por kontrollet policore kanë vërtetuar se bëhet fjalë për alarme të rreme.
Pas tri shkollave fillore, të cilat i morën kërcënimet gjatë orëve të mëngjesit, pasditen e sotme është dërguar edhe një mesazh për një mjet shpërthyes të pretenduar në Gjimnazin e Tetovës.
Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë për Tv Koha e kanë konfirmuar informacionin.
Prej atje bëjnë të ditur se kërcënimet e para kanë arritur në adresën elektronike të policisë për ankesa dhe kanë të bëjnë me Shkollën Fillore „Liria“, dhe shkollat private „Marif“ dhe „Jahja Kemal“.
Më vonë gjatë ditës ka arritur edhe një kërcënim tjetër, kësaj radhe për Gjimnazin.
Sipas informacioneve të policisë, mesazhet elektronike janë dërguar nga adresa të ndryshme, të cilat menjëherë më pas janë fshirë.
Zyrtarët policorë kanë kryer kontrolle në terren dhe kanë konstatuar se kërcënimet janë të rreme.
Nga SPB Tetovë bëjnë të ditur se po ndërmarrin masa për zbulimin e personit që ka dërguar mesazhet kërcënuese.
Ndryshe, më 17 nëntor 2026, në periudhën nga ora 05:45 deri në 07:25, zyrtarë policorë nga Sektori për Luftimin e Terrorizmit, Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit , në bashkëpunim me zyrtarë të Sektorit për Krim Kompjuterik dhe Njësisë Policore të Zherovjanit pranë SPB-së Tetovë, kishin kryer bastisje në shtëpinë dhe objektet ndihmëse të një 18-vjeçari në fshatin Radiovcë të Tetovës.
Bastisja ishte realizuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale sipas nenit 366 të Kodit Penal, përkatësisht për dhënie të rrejshme të alarmit për vendosjen e bombës në shkollën e mesme komunale – gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë./Tv Koha/
Lajme nga vendi
Kredia hungareze: Qeveria lëshon miliona të tjera për bizneset, shuma arrin në 242 milionë euro!
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka transferuar 45,2 milionë denarë shtesë nga buxheti shtetëror në Bankën Zhvillimore, për financimin e investimeve të kompanive vendase.
Me këtë transfertë, shuma e përgjithshme e mjeteve të ndara për sektorin privat nga kredia hungareze ka arritur në 14,9 miliardë denarë, përkatësisht 242 milionë euro, nga gjithsej 250 milionë euro të planifikuara.
Fondet shpërndahen përmes bankave komerciale, me normë interesi prej 1,95%, afat shlyerjeje deri në 15 vjet dhe periudhë faljeje deri në tre vjet.
Sipas autoriteteve, masa synon nxitjen e investimeve dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Lajme nga vendi
1.040 raste të dyshimta në polici: 34 policë me kallëzime penale, 13 për tejkalim të forcës!
Kontrolli i Brendshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme ka trajtuar 1.040 raste të dyshimeve për veprime të paligjshme, joprofesionale dhe joetike të punonjësve të policisë gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026.
Sipas raportit zyrtar, gjatë kësaj periudhe janë ngritur 31 kallëzime penale ndaj 64 personave, prej të cilëve 34 janë policë.
Vëmendje të veçantë tërheqin rastet e përdorimit të forcës fizike. Nga 54 raste të shqyrtuara, në tri është konstatuar përdorim i pabazuar i forcës, ndërsa për pesë të tjera procedurat ende vazhdojnë.
Për këto shkelje janë ngritur tri kallëzime penale ndaj gjithsej 13 zyrtarëve policorë.

