Sport
ÇEFERIN: FUTBOLLI NË RMV NË DUAR TË SIGURTA!
Erdhi me ftesë të kryetarit të FFM-së, Masar Omeragiq, ndoqi ndeshjen ndërmjet Maqedonisë dhe Sllovenisë në kuadër të Ligës së Kombeve, por nuk ishte ogur i mirë për përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut që humbi ndeshjen kundër Sllovenisë 0:3.
Presidenti i UEFA-së, gjatë një interviste për FFM-në, potencoi se futbolli në Maqedoninë e Veriut është në duar të sigurta. Ai nënvizoi edhe rëndësinë e durimit dhe punës së vazhdueshme në procesin e krijimit të një përfaqësueseje konkurruese.
„Njerëzit vazhdimisht i shohin vetëm rezultatet e përfaqësueses A, por duhet ta kuptojnë se ky është një proces. Vij nga një vend me madhësi përafërsisht të njëjtë me Maqedoninë dhe e di se nevojitet kohë për të krijuar gjeneratën e duhur dhe për të arritur rezultate të vërteta. Federata e Maqedonisë po ecën në drejtimin e duhur. Sa jam i informuar, e keni rinovuar përfaqësuesen dhe konsideroj se opinioni publik duhet t’ju japë pak kohë. Maqedonia do të luajë sërish në Kampionatin Evropian“
Gjatë intervistës Aleksandar Çeferin konfirmoi se do ta vazhdojë punën në krye të UEFA-s, duke bërë të ditur se ka marrë mbështetjen e të gjitha 55 federatave kombëtare anëtare.
Si prioritet kryesor të tij e përmendi mbrojtjen e futbollit dhe ruajtjen e modelit të solidaritetit të organizatës evropiane të futbollit.
Sport
LIGA E PARË: XHIROJA E 14-të HAPET ME NDESHJEN SHKËNDIJA (H) – BASHKIMI
Pas pauzës dy javore shkaku i obligimeve të reprezentacionit për dy ndeshjet e fundit të UEFA Liga e Kombeve, këtë fundjavë vazhdon e kampionati në Ligën e parë të futbollit me ndeshjet e javës së 14-të të sezonit vjeshtor.
Java e 14-të hapet të premten me ndeshjen që do të zhvillohet në Çair mes Shkëndijës së Haraçinës dhe Bashkimit të Kumanovës me fillim në ora 13:00.
Kjo ndeshje ka rëndësi të veçantë për të dyja ekipet pasi vendasit pretendojnë të mbeten në pjesën e epërme të tabelës, ndërsa kumanovarët shpresojnë që t`i ikin zonës së rrezikut.
Trajneri Berat Imeri për TV Koha tha se me angazhim maksimal tri pikët do t`i takojnë Shkëndijës së Haraçinës.
‘’Na pret një ndeshje shumë e vështirë kundër Bashkimit. Ne luajmë në terrenin tonë jemi të përgatitur maksimalisht. Mendoj se jemi të kompletuar për këtë ndeshje, kemi disa lëndime të vogla por shpresoj që me angazhim maksimal edhe me dëshirë të madhe siç e kishin në dy ndeshjet e fundit jemi optimist se do arrijmë ti marrim tre pikë ‘’ deklaroi trajneriBerat Imeri
Të shtunën me fillim në ora 12:00, në program është ndeshja mes dy skuadrave që aktualisht mbajnë dy vendete fundit në renditjen e tabelës Skopjes dhe Arsimit.
Ndeshja në Autokomandë për çegranasit mund të jetë shpresa e fundit që me fitore të shpresojë mbijetesën .
Futbollisti Subi Mustafi për TV koha është shprehur optimist se nga Shkupi do kthehen me rezultat pozitiv.
‘’ Duke parë disfatën e fundit me ekipin nuk kemi pasur një kontinuitet shumë të mirë. Mendoj dhe shpresoj se kemi marrë motiv, kemi punuar shumë mirë gjatë këtij pushimi që kemi pasur dhe shpresoj që të kthehemi nga Shkupi me një fitore sepse na nevojitet shumë për gjatë kampionatit. Duke parë ekipin, duke parë cilësinë që kemi në ekip shpresojmë dhe mendojmë se do arrijmë fitore këtë javë ‘’ deklaroi futbollisti Subi Mustafa
Të shtunën zhvillohet edhe ndeshja Vardari – Tikveshi me fillim në ora 13:00.
Sport
LIGA E KOMBEVE: PARAQITJE ZHGËNJYESE E KOSOVËS NË IRLANDË
Përfaqësuesja e Kosovës ka pësuar një humbje të thellë 3-0 ndaj Irlandës në Dublin në kuadër të raundit të gjashtë dhe të fundit në Grupin B3 të UEFA Liga e Kombeve.
Kosova ka pësuar një humbje 3-0 në Dublin përballë Irlandës në ndeshjen e fundit të Grupit B3 të Ligës së Kombeve.
“Dardanët” u goditën që në minutën e 26-të ndërsa Hajrizi u ndëshkua me karton të kuq pasi ndali topin me dorë në vijën e portës, duke shkaktuar penallti të kthyer në gol nga Troy Parrott.
Aro Muriq shkaktoi një tjetër penallti në pjesën e dytë dhe Parrott dyfishoi shifrat nga pika e bardhë në minutën e 50-të.
Ndërkohë, në minutën e 75-të, Moylan kompletoi fitoren 3-0.
Kosova, me 6 pikë të grumbulluara në 6 ndeshje, pozicionohet në vendin e tretë në grup, do të luajë në Ligën B dhe në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.
Austria është renditur e para me 12 pikë, ndjekur nga Irlanda me 8 pikë. Izraeli mban vendin e fundit me 4 pikë.
Sport
EURO 2028: RMV-ja NË VAZON E TRETË – MATJAZH KEK SELEKSIONUESI I RI?!
Me përfundimin e fazës së grupeve të Ligës së Kombeve, zyrtarizohet përbërja e të gjitha vazove para tërheqjes së shortit për grupet kualifikuese për plasma në Kampionatin Evropian në vitin 2028.
Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut tërheqjen e shortit do ta presë nga vazoja e tretë. Maqedonia e Veriut nuk do të mund të përballet me Ukrainën, Poloninë, Izraelin, Gjeorgjinë, Malin e Zi, Shqipërinë, Sllovakinë, Islandën, Skocinë dhe Kosovën.
Më 6 Dhjetor në Belfast do të tërhiqet shorti i kualifikimeve për EURO 2028 për 12 grupet.
Gjashtë grupe do të kenë me nga 5 kombëtare dhe gjashtë të tjera me nga katër.
Fituesit e 12 grupeve dhe 8 më të mirët që do të pozicionohen në vendin e dytë do të sigurojnë kualifikim të drejtpërdrejtë në Kampionatin Evropian.
Katër kombëtare të tjera do të shkojnë në balotazh, që do të jetë tepër specifik dhe do të varet nga suksesi në kualifikimet të katër nikoqirëve të EURO 2028 – Anglisë, Irlandës, Uelsit dhe Skocisë.
Kualifikimet nisin në Mars 2027 dhe do të zhvillohen deri në Nëntor, kurse Maqedonia e Veriut rrugëtimin e saj drejt EURO 2028, do ta nis nga Qershori, për shkak se në Mars do të zhvillojë ndeshjet e balotazhit për mbijetesë në Divizionin B të Ligës së Kombeve.
Ndërkohë, trajneri me përvojë slloven, Matjazh Kek, përmendet si kandidat i mundshëm për ta zëvendësuar Goce Sedloskin në postin e përzgjedhësit të reprezentacionit të Maqedonisë. Disa portale sllovene sonte shkruajnë se ekziston mundësia që Kek të emërohet përzgjedhës i ri i Maqedonisë.
Spekulimet për një shkarkim të mundshëm të Sedloskit nga posti i përzgjedhësit vijnë pas rezultateve të dobëta të Maqedonisë në Ligën e Kombeve.
Kek aktualisht është trajner i skuadrës kroate të Rijekës. Nën drejtimin e tij, Sllovenia siguroi pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror të vitit 2010, ndërsa ishte pjesë edhe e Kampionatit Evropian para dy vitesh.
Maqedonia e përfundon vitin 2026 pa asnjë fitore.
Në 10 ndeshje të zhvilluara, përfaqësuesja regjistroi tetë humbje dhe dy barazime, me një bilanc dëshpërues golash: vetëm një gol të shënuar dhe plot 23 të pranuar.

