Site icon Tetova Expres

8 Tetori, Dita Botërore e Shikimit, dhe 15 Tetori, Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë Nga e drejta për të parë, te e drejta për të jetuar të pavarur!

Vetëm pak ditë më parë, një histori ma tërhoqi vëmendjen mua dhe besoj se tërhoqi edhe vëmendjen e publikut: Beira, një vajzë plotësisht e verbër, përfundoi një gjysmëmaratonë prej 21 kilometrash. Është e lehtë që një histori të tillë ta lexojmë si histori frymëzimi, vullneti dhe këmbënguljeje. Dhe padyshim që është e tillë. Por për mua, si profesioniste që merrem me dëmtimet e shikimit dhe rehabilitimin, ajo hap një pyetje shumë më të gjerë: Çfarë e bën një person të verbër të arrijë deri aty, ndërsa një tjetër të ketë vështirësi edhe për të lëvizur në mënyrë të pavarur në qytetin ku jeton? Jam e bindur se përgjigjja nuk mund të kërkohet vetëm te motivimi personal. Pas pavarësisë që shohim te një person që nuk sheh qëndrojnë vite të tëra të zhvillimit të aftësive të tjera, rehabilitimit, orientimit dhe mobilitetit, edukimit, mbështetjes familjare e profesionale dhe, jo më pak e rëndësishme, mundësive që i ka ofruar mjedisi ku ai është rritur dhe jeton. Dhe pikërisht tetori na kujton edhe ata që botën nuk e shohin me sy, por e njohin, e përjetojnë dhe e ndërtojnë përmes mënyrave të tjera.

15 Tetori – Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë – na kujton se shkopi i bardhë nuk është simbol i kufizimit, por i pavarësisë. Ai është një mjet për orientim dhe mobilitet, përmes të cilit personi i trajnuar merr informacion nga mjedisi, identifikon pengesat dhe lëviz në mënyrë më të sigurt dhe të pavarur. Por as shkopi i bardhë dhe as aftësitë e personit nuk mjaftojnë nëse mjedisi vazhdon të ndërtojë barriera përpara tij. Sepse një trotuar i bllokuar, një automjet i parkuar mbi trotuaret e këmbësorëve, një semafor pa sinjalizim zanor, mungesa e sipërfaqeve taktile dhe e shenjëzimit të përshtatshëm, transporti publik i paqasshëm, një ndërtesë pa orientim të qartë, një tekst shkollor që nuk ekziston në Braille, në format digjital apo me shkronja të zmadhuara, mungesa e materialeve mësimore të përshtatura, një faqe interneti apo aplikacion që nuk funksionon me lexues ekrani, dokumentet dhe formularët që ofrohen vetëm në formë vizuale, mungesa e përshkrimit zanor të informacionit të rëndësishëm, si dhe mungesa e teknologjisë asistive dhe e mbështetjes së nevojshme në shkollë, në punë apo në institucionet publike, nuk janë “probleme të verbërisë”,por janë barriera që i kemi krijuar ne dhe që, po ne, kemi përgjegjësinë t’i largojmë.

Në botë, të paktën 2.2 miliardë njerëz jetojnë me një formë të dëmtimit të shikimit, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Shifra është e madhe, por ndoshta më e rëndësishme se vetë numri është pyetja se çfarë jete u mundësojmë këtyre njerëzve. Dhe nuk dua të flas për statistika, sepse pas çdo numri fshihet një fëmijë që duhet të shkollohet, të mësojë, të lexojë dhe të funksionojë si gjithë fëmijët e tjerë. Prandaj, këto ditë Tetori nuk duhet të jetë vetëm një ditë kur flasim për dëmtimet e shikimit, por duhet të jetë një ditë kur pyesim veten: Sa e përgatitur është shoqëria jonë që pavarësinë e personit të verbër të mos e admirojë vetëm kur bëhet lajm, por ta bëjë të mundur çdo ditë? Pikërisht në këtë drejtim po lëviz sot edhe qasja botërore ndaj dëmtimit të shikimit. Synimi nuk është më vetëm të parandalojmë verbërinë kur është e mundur apo të trajtojmë sëmundjen e syrit. Qasja bashkëkohore kërkon një vazhdimësi të kujdesit: parandalim, zbulim të hershëm dhe trajtim, por edhe rehabilitim vizual, teknologji asistive, orientim dhe mobilitet, si dhe krijimin e kushteve që personi të vazhdojë të mësojë, të punojë dhe të jetojë sa më i pavarur.

Organizata Botërore e Shëndetësisë këtë qasje e përkufizon si kujdes të integruar dhe të përqendruar te personi. Deri në vitin 2030 janë vendosur edhe objektiva konkrete globale për të rritur qasjen në korrigjimin e gabimeve refraktive dhe trajtimin e kataraktës – dy ndër shkaqet kryesore të dëmtimit të shikimit në nivel global, për të cilat ekzistojnë ndërhyrje efektive. Por krahas parandalimit dhe trajtimit, gjithnjë e më shumë theksohet edhe rehabilitimi vizual, si pjesë e domosdoshme e kujdesit dhe jo si një shërbim dytësor që fillon vetëm pasi janë shteruar mundësitë e trajtimit. Përgjegjësia është e të gjithëve! Qasshmëria nuk duhet të mbetet vetëm kërkesë në dokumente. Ajo duhet të shihet në trotuare të lira dhe të sigurta, sipërfaqe taktile të vendosura siç duhet, sinjalizim zanor, transport publik të qasshëm, institucione dhe shërbime digjitale që mund të përdoren edhe nga personat e verbër. Po aq e rëndësishme është që rehabilitimi vizual, pajisjet dhe teknologjia asistive të mos varen vetëm nga mundësitë financiare të familjes apo nga vendi ku personi jeton. Sepse rehabilitimi bashkëkohor nuk synon ta bëjë personin më të varur nga profesionisti. Synon pikërisht të kundërtën: t’i japë njohuritë, mjetet, aftësitë dhe kushtet që të jetë sa më i pavarur. Dhe ndoshta ky është mesazhi që dua të përcjell në këtë Tetor: jo “më ndihmo sepse nuk shoh”, por “më krijo kushtet që të mundem vetë”. PhDr Ermira Tateshi  / TV KOHA/

Exit mobile version