Site icon Tetova Expres

DAP: MILIONERI MË I RI KA VETËM 4 VJEÇ – MË I MOSHUARI 97 VJEÇ!

Vetëm katër vjeç është milioneri më i ri në Maqedoni për vitin 2025, i cili ka realizuar të ardhura prej një milion denarësh nga dividenda.

Në anën tjetër të kufirit të moshës është milioneri më i moshuar, i cili është 97 vjeç dhe të ardhurat i ka realizuar nga pensioni dhe burime të tjera.

Këto janë të dhënat më të fundit të Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP), të cilat japin një pasqyrë mbi të ardhurat e qytetarëve dhe deklaratat tatimore për vitin e kaluar.

Gjatë vitit 2025 janë dorëzuar më shumë se 860 mijë deklarata tatimore, që paraqet një rritje prej 10,6 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Numri më i madh i deklaratave është dorëzuar në Shkup, pasuar nga Shtipi, Prilepi, Manastiri, Tetova dhe Strumica.

Advertisement

“Interesante janë të dhënat për të ardhurat më të larta individuale. Paga më e lartë vjetore bruto arrin në 139,1 milionë denarë, ndërsa dividenda më e lartë është 252,6 milionë denarë, kurse fitimi më i lartë kapital arrin në 164,2 milionë denarë. Të ardhurat më të larta nga veprimtaria e pavarur janë 157,9 milionë denarë.

Sa i përket të ardhurave të përgjithshme nga të gjitha burimet, të ardhurat më të larta në vitin 2025 arrijnë në 257,5 milionë denarë dhe i ka realizuar një qytetar nga Gjevgjelia, përmes pagës, dividendës dhe të ardhurave të tjera të paguara nga një kompani. Pas tij renditet një qytetar nga Ohri, me 254,4 milionë denarë. Këto të ardhura tregojnë se përse është e rëndësishme që burimet e ndryshme të të ardhurave të shqyrtohen së bashku dhe jo të ndara”, tha Petrova në një takim informues me gazetarët.

Megjithatë, pagesat rekord të dividendave i kanë tejkaluar edhe këto shuma. Tri pagesat më të larta janë realizuar nga kompani me seli në Gjevgjeli, Ohër dhe Haraçinë.

Të dhënat zbulojnë dallime të mëdha në të ardhurat e qytetarëve – nga dividendat milionëshe të realizuara që në moshën katërvjeçare, deri te të ardhurat nga pensioni dhe burime të tjera të tatimpaguesve më të moshuar.

Advertisement
Exit mobile version