Lajme nga vendi
DAP: MILIONERI MË I RI KA VETËM 4 VJEÇ – MË I MOSHUARI 97 VJEÇ!
Vetëm katër vjeç është milioneri më i ri në Maqedoni për vitin 2025, i cili ka realizuar të ardhura prej një milion denarësh nga dividenda.
Në anën tjetër të kufirit të moshës është milioneri më i moshuar, i cili është 97 vjeç dhe të ardhurat i ka realizuar nga pensioni dhe burime të tjera.
Këto janë të dhënat më të fundit të Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP), të cilat japin një pasqyrë mbi të ardhurat e qytetarëve dhe deklaratat tatimore për vitin e kaluar.
Gjatë vitit 2025 janë dorëzuar më shumë se 860 mijë deklarata tatimore, që paraqet një rritje prej 10,6 për qind krahasuar me vitin paraprak.
Numri më i madh i deklaratave është dorëzuar në Shkup, pasuar nga Shtipi, Prilepi, Manastiri, Tetova dhe Strumica.
“Interesante janë të dhënat për të ardhurat më të larta individuale. Paga më e lartë vjetore bruto arrin në 139,1 milionë denarë, ndërsa dividenda më e lartë është 252,6 milionë denarë, kurse fitimi më i lartë kapital arrin në 164,2 milionë denarë. Të ardhurat më të larta nga veprimtaria e pavarur janë 157,9 milionë denarë.
Sa i përket të ardhurave të përgjithshme nga të gjitha burimet, të ardhurat më të larta në vitin 2025 arrijnë në 257,5 milionë denarë dhe i ka realizuar një qytetar nga Gjevgjelia, përmes pagës, dividendës dhe të ardhurave të tjera të paguara nga një kompani. Pas tij renditet një qytetar nga Ohri, me 254,4 milionë denarë. Këto të ardhura tregojnë se përse është e rëndësishme që burimet e ndryshme të të ardhurave të shqyrtohen së bashku dhe jo të ndara”, tha Petrova në një takim informues me gazetarët.
Megjithatë, pagesat rekord të dividendave i kanë tejkaluar edhe këto shuma. Tri pagesat më të larta janë realizuar nga kompani me seli në Gjevgjeli, Ohër dhe Haraçinë.
Të dhënat zbulojnë dallime të mëdha në të ardhurat e qytetarëve – nga dividendat milionëshe të realizuara që në moshën katërvjeçare, deri te të ardhurat nga pensioni dhe burime të tjera të tatimpaguesve më të moshuar.
Lajme nga vendi
Kërkohet një person i zhdukur, kërkim intensiv përgjatë Vardarit në Gostivar
Një person i zhdukur, për të cilin ka indicie se është parë pranë lumit Vardar në rajonin e Gostivarit, po kërkohet nga ekipet e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Aksioni është aktivizuar pas një kërkese zyrtare nga Stacioni Policor i Gostivarit, ndërsa kërkimet po zhvillohen përgjatë rrjedhës së lumit, nga pikat kritike në qytet deri në zonat më poshtë rrjedhës.
Në terren janë angazhuar pjesëtarët e ekipit për reagim të shpejtë për shpëtim në ujë, me mbështetje logjistike nga njësia rajonale e Drejtorisë në Gostivar. Në aksion është i pranishëm edhe zëvendësdrejtori i institucionit, Kashmir Saliu, ndërsa ekipet po koordinohen me policinë dhe shërbimet lokale. Nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim thonë se kërkimet do të vazhdojnë deri në përfundimin e operacionit.
“Ekipet e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, pavarësisht kushteve aktuale në terren dhe specifikave të shtratit të lumit, do të jenë të angazhuara derisa të përfundojë i gjithë operacioni. Kërkimi po zhvillohet intensivisht përgjatë rrjedhës së lumit Vardar, duke filluar nga pikat kritike në qytet e deri në zonat më poshtë rrjedhës, në koordinim të ngushtë me zyrtarët policorë të SPB-së Gostivar dhe shërbimet lokale”, thuhet në njoftim.
Drejtoria u bën thirrje qytetarëve të Gostivarit dhe vendbanimeve përreth që, nëse kanë informacione për personin e zhdukur ose vërejnë diçka përgjatë shtratit të lumit, të njoftojnë menjëherë policinë ose shërbimet kompetente përmes numrit emergjent 112.
Lajme nga vendi
23 Tetori ditë jopune, qytetarët përfitojnë edhe një fundjavë të zgjatur
E premtja, 23 tetor, është ditë jopune për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, me rastin e Ditës së Luftës Revolucionare Maqedonase. Duke u bashkuar me të shtunën dhe të dielën, qytetarët do të përfitojnë një fundjavë të zgjatur prej tri ditësh.
Deri në fund të vitit 2026, mbetet edhe një ditë tjetër jopune për të gjithë qytetarët: 8 dhjetori, Dita e Shën Klimentit të Ohrit, e cila këtë vit bie të martën.
Lajme nga vendi
Shkaktoi zjarr duke e pastruar arën dhe e dogji makinën, 74-vjeçari nga rrethina e Tetovës përfundoi në spital
Një 74-vjeçar nga fshati Pallaticë i Tetovës pësoi djegie pasi u përpoq të shuante një zjarr në të cilin makina e tij u dogj plotësisht.
-
Lajme nga rajoni2 months agoKrimi i rëndë në Kosovë/ Kjo është 25-vjeçarja që u vra me armë zjarri, dyshohet se u qëllua nga bashkëshorti i saj, ishte në javën e 34 të shtatzënisë
-
Lajme nga rajoni1 month agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga vendi2 months agoNdahen 109 vendime pune në Spitalin Klinik të Tetovës

