Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale që do të mbahen të dielën, më 1 nëntor, në Bërvenicë, ka qenë temë diskutimi edhe në Kuvend.
I pyetur nga gazetarët, kryeparlamentari Afrim Gashi ka uruar që komunën ta fitojë kandidati më i mirë.
Gashi thotë se ka ardhur koha që të tejkalohen ndarjet etnike dhe të zgjidhen problemet elementare me të cilat përballen banorët e zonës në fjalë.
“Kur bëhet fjalë për zgjedhjet lokale, kur qytetarët kanë nevojë të zgjidhin probleme esenciale si ujësjellësi, kanalizimi dhe asfaltimi i rrugëve, duhet të fokusohen te zgjidhja më e mirë, te programi më i mirë dhe te kandidati më i mirë. Kjo është ajo që ka rëndësi në parim. Mendoj se duhet të ngrihet kultura politike, por fatkeqësisht ende konstatoj se nuk jemi në atë nivel. Prandaj, uroj që edhe në këto zgjedhje, sikurse në të gjitha zgjedhjet, të fitojë më i miri dhe ai që u shërben të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë partiake, etnike, religjioze etj.”
Për Bërvenicën dhe zgjedhjet ka folur edhe kryeministri Hristian Mickoski.
Nga foltorja e Kuvendit, ai ka numëruar punët që kjo Qeveri po bën në atë komunë.
Ai ka akuzuar AKI-në, respektivisht BDI-në, se nuk ka punuar asnjë projekt për Bërvenicën për 20 vjet sa ata kanë qenë në pushtet.
Mickoski tha se është dashur të vijë VMRO-ja në pushtet që pas 20 vitesh të asfaltohet rruga për fshatin Gurgunicë.
“20 vite, asnjë gozhdë nuk e keni vendosur në Bërvenicë. Mendoni se atë ashtu do ta kalojnë qytetarët e Bërvenicës dhe ata të Çellopekut, Tenovës dhe Gurgunicës, e të Radiovcës. Nuk do të kalojë ashtu. Nuk do t’ua harrojnë qytetarët. Do ta shihni me të parin në mbrëmje. Të nesërmen do t’ju shkruaj SMS-porosi juve dhe nga ju do të pres që të ma uroni. Jam i vetëdijshëm dhe fajtor që ju për 20 vite keni gënjyer.”
Ndryshe, më 1 nëntor, në Bërvenicë zhvillohet rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, pasi kryetari që ishte zgjedhur një vit më parë ndërroi jetë. Në garë për të parin e Komunës së Bërvenicës në rrethin e dytë janë kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim dhe ai i VMRO-DPMNE-së./Tv Koha/
