Connect with us

Lajme nga vendi

ZGJEDHJET NË BËRVENICË: PRONONCOHEN KRYEPARLAMENTARI DHE KRYEMINISTRI!

Published

on

Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale që do të mbahen të dielën, më 1 nëntor, në Bërvenicë, ka qenë temë diskutimi edhe në Kuvend.

I pyetur nga gazetarët, kryeparlamentari Afrim Gashi ka uruar që komunën ta fitojë kandidati më i mirë.

Gashi thotë se ka ardhur koha që të tejkalohen ndarjet etnike dhe të zgjidhen problemet elementare me të cilat përballen banorët e zonës në fjalë.

“Kur bëhet fjalë për zgjedhjet lokale, kur qytetarët kanë nevojë të zgjidhin probleme esenciale si ujësjellësi, kanalizimi dhe asfaltimi i rrugëve, duhet të fokusohen te zgjidhja më e mirë, te programi më i mirë dhe te kandidati më i mirë. Kjo është ajo që ka rëndësi në parim. Mendoj se duhet të ngrihet kultura politike, por fatkeqësisht ende konstatoj se nuk jemi në atë nivel. Prandaj, uroj që edhe në këto zgjedhje, sikurse në të gjitha zgjedhjet, të fitojë më i miri dhe ai që u shërben të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë partiake, etnike, religjioze etj.”

Për Bërvenicën dhe zgjedhjet ka folur edhe kryeministri Hristian Mickoski.

Advertisement

Nga foltorja e Kuvendit, ai ka numëruar punët që kjo Qeveri po bën në atë komunë.

Ai ka akuzuar AKI-në, respektivisht BDI-në, se nuk ka punuar asnjë projekt për Bërvenicën për 20 vjet sa ata kanë qenë në pushtet.

Mickoski tha se është dashur të vijë VMRO-ja në pushtet që pas 20 vitesh të asfaltohet rruga për fshatin Gurgunicë.

“20 vite, asnjë gozhdë nuk e keni vendosur në Bërvenicë. Mendoni se atë ashtu do ta kalojnë qytetarët e Bërvenicës dhe ata të Çellopekut, Tenovës dhe Gurgunicës, e të Radiovcës. Nuk do të kalojë ashtu. Nuk do t’ua harrojnë qytetarët. Do ta shihni me të parin në mbrëmje. Të nesërmen do t’ju shkruaj SMS-porosi juve dhe nga ju do të pres që të ma uroni. Jam i vetëdijshëm dhe fajtor që ju për 20 vite keni gënjyer.”

Ndryshe, më 1 nëntor, në Bërvenicë zhvillohet rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, pasi kryetari që ishte zgjedhur një vit më parë ndërroi jetë. Në garë për të parin e Komunës së Bërvenicës në rrethin e dytë janë kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim dhe ai i VMRO-DPMNE-së./Tv Koha/

Advertisement

Lajme nga vendi

OMER XHEMAILI FLET PËR “VOX MEDICI”: NGA TETOVA NË MAJAT E KARDIOKIRURGJISË BOTËRORE!

Published

on

Nga Tetova në Cyrih, nga sfidat e fillimit deri te majat e kardiokirurgjisë botërore. Prof. Dr. Omer Xhemaili, një nga emrat e njohur të mjekësisë shqiptare në arenën ndërkombëtare, rrëfen rrugëtimin e tij profesional, sfidat që e formësuan dhe vizionin për të ardhmen e kirurgjisë së zemrës. Në një intervistë për revistën profesionale mjekësore “Vox Medici”, ai përcjell edhe një mesazh frymëzues për mjekët e rinj: suksesi kërkon sakrificë, përkushtim dhe guxim për të kërkuar më shumë, pa harruar kurrë rrënjët.

“Vox Medici” – Revista profesionale mjekësore që botohet çdo tre muaj nga Oda e Mjekëve e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në edicionin e Shtatorit 2026, nën rubrikën “Rrëfime Mjekësore”, sic njofton Tv Koha, ka botuar një intervistë me kardiologun tetovar me përmasa botërore, Prof. Dr.Omer Xhemailin, aktualisht  Drejtor i Klinikës së Kirurgjisë së Zemrës në Spitalin Universitar të Cyrihut, në Zvicër dhe drejtues i Aleancës për Kirurgjinë e Zemrës në Cyrih, ku bashkëpunojnë Spitali Universitar dhe Spitali i Qytetit të Cyrihut.

Rrugëtimi i tij arsimor dhe profesional nga Tetova, përmes studimeve në Sarajevë dhe Majnc të Gjermanisë, deri te specializimi në Frankfurt, ishin në fokus të prononcimit të Omer Xhemailit.

Ai në këtë intervistë thotë se sfidat nuk ishin vetëm mjekësore.

OMER XHEMAILI – Drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë në Cyrih

Advertisement

“Si pjesëtar i komunitetit shqiptar në Maqedoni, në atë kohë nuk kisha mundësi të studioj mjekësinë në Shkup. Ishte ky një realitet për shumicën e gjeneratës sime dhe nuk dua t`i jap më shumë peshë se sa që e meriton, por është arsyeja përse rruga ime nisi jashtë vendit. Studimet i fillova në Sarajevë më 1990, kurse lufta i ndërpreu në 1992. Në Gjermani arrita pa e njohur gjuhën, pa rrjet dhe pa asnjë dokument të vlefshëm në atë sistem. Në Majnc nisa studimet nga fillimi dhe i përfundova në vitin 2000, kurse më pas gjithë specializimin e kalova në Frankfurt. Atë që mësova në ato vite është se njeriu që vjen nga jashtë duhet të jetë shumë më i mirë nga të tjerët. Kjo nuk është e drejtë, por është më lehtë të pranohet se sa të kontestohet”

Në intervistë, Omer Xhemaili, flet edhe për sfidën tjetër – kalimin në Zvicër. Sistemi gjerman dhe zviceran janë të ngjashëm, por të ndryshëm sipas kulturës.

Ai thotë se në Zvicër asgjë nuk zgjidhet sipas kierarkisë por përmes argumentit, cilësisë së të dhënave dhe besimit të ndërtuar ndër vite.

Pikërisht këto sfida, sic percjell Tv Koha, e kanë bërë Omer Xhemailin më të aftë duke mos u mbështetur në inercionin.

Por, cila është e ardhmja e kardiokirurgjisë në 10 vitet e ardhshme dhe sfidat me robotikën?

Advertisement

OMER XHEMAILI – Drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë në Cyrih

“Skalpeli nuk do të zhduket, por dora që e mban do të udhëhiqet gjithnjë e më shumë nga teknologjia. Ndër afro 200 punimet e mia shkencore deri më sot, më të dobishmet kanë rezultuar gjithmonë ato që kanë gjetur zbatim të drejtpërdrejtë në sallën e operacionit.Në dhjetë vitet e ardhshme pres që robotika të bëhet standard për një pjesë të ndërhyrjeve kirurgjikale dhe të mos konsiderohet më diçka e rrallë apo ekzotike. Gjithashtu, vendimet do të merren gjithnjë e më shumë në bazë të të dhënave dhe jo vetëm në bazë të përvojës personale. Ajo që nuk do të ndryshojë është fakti se dikush duhet të marrë përgjegjësinë kur plani nuk funksionon. Kjo përgjegjësi do të mbetet njerëzore.

Përkundër obligimeve në Zvicër, Prof.Dr. Omer Xhemaili vazhdimisht mban lidhjet me Maqedoninë, si Profesor në UT dhe ligjërues në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup.

Por, si i vlerëson kapacitetet aktuale dhe potencialin e kardiokirurgjisë në Maqedoninë e Veriut?

Në cilat segmente sheh hapësirën më të madhe për bashkëpunim, edukim dhe avancim të mjekëve të rinj në specializim?

Advertisement

OMER XHEMAILI – Drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë në Cyrih

Kuadri profesional është i mirë. Këtë nuk e them nga mirësjellja, por sepse kam punuar krah për krah me këta njerëz dhe e di se çfarë janë në gjendje të bëjnë. Sot, vendi ka qendra me vëllim të konsiderueshëm të ndërhyrjeve dhe me rezultate që mund të krahasohen me ato ndërkombëtare. Njëra prej tyre bën pjesë ndër qendrat më të mëdha të kardiokirurgjisë në Ballkan dhe drejtohet nga një kirurg për të cilin kam respekt të sinqertë. Edhe vetë shkoj herë pas here atje për të kryer operacione në baza humanitare, te pacientët që kanë nevojë për ndihmë, dhe për mua kjo është një mënyrë krejt e natyrshme për të ruajtur lidhjen me ta.

Në fund të intervistës për “Vox Medici”, Prof.Dr. Omer Xhemaili, ka edhe një mesazh, në formën e këshillës apo vizionit për t`ua përcjellë mjekëve të rinj dhe specializantëve në Maqedoni, të cilët ëndërrojnë arritje të nivelit më të lartë në mjekësi, por përballen me sfidat e sistemit tone.

OMER XHEMAILI – Drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë në Cyrih

Së pari, zgjidhni një disiplinë për të cilën jeni të gatshëm të paguani një çmim, sepse majat e mjekësisë nuk arrihen me një orar të rregullt pune.  Së dyti, kërkoni një mentor, jo thjesht një vend pune. Në vitet e para të karrierës, ka më shumë rëndësi se pranë kujt qëndroni sesa ku punoni. Së treti, mos prisni që sistemi të përmirësohet fillimisht. Sistemin e përmirësojnë njerëzit që qëndrojnë brenda tij dhe punojnë më mirë sesa pritet prej tyre. Unë u largova nga Tetova sepse koha dhe rrethanat vendosën kështu, e jo sepse dëshiroja të largohesha. Sot shoh kolegë që qëndrojnë dhe krijojnë diçka të vlefshme, dhe kam respekt të jashtëzakonshëm për ta. Dhe, së fundi, mos kini frikë të kërkoni më shumë. Kur mbërrita në Gjermani, nuk kisha asgjë, përveç gatishmërisë për të punuar. Kjo ishte e mjaftueshme atëherë, dhe është e mjaftueshme edhe sot.

Advertisement

Nga Tetova, ku nisi ëndrra e tij me mbështetjen dhe sakrificën e prindërve të tij, deri në Cyrih, ku sot drejton një nga qendrat e rëndësishme të kirurgjisë së zemrës, rrugëtimi i profesor Omer Xhemailit dëshmon se asnjë pengesë nuk është më e madhe se vullneti për të arritur majat.

Por, madhështia e një mjeku nuk matet vetëm me titujt, studimet shkencore apo operacionet e suksesshme. Ajo matet edhe me zemrat që shpëton, me dijen që ua përcjell brezave të rinj dhe me lidhjet që nuk i këput kurrë me vendlindjen.

Një rrëfim për një tetovar që sfidoi kufijtë, ndërtoi emër në arenën ndërkombëtare dhe vazhdon të dëshmojë se zemra e madhe e një mjeku rreh jo vetëm për pacientët, por edhe për vendin dhe njerëzit e tij./Tv Koha/

Continue Reading

Lajme nga vendi

NBA: HJUSTONI, PESË NDESHJE –  PESË FITORE

Published

on

Katër fitore të skuadrave  vendase dhe  tetë  të atyre  mysafire  është  epilogu i 12  ndeshjeve  të raundit të pestë  ë kampionatin amerikan të basketbollit  NBA. Hjustoni me  5  fitore  kryeson Konferencën e perëndimit, ndërsa Detroit  dhe  Filadelfia kryesojnë Lindjen.

Ekipi i Hjustonit me pesë fitore radhazi mbetet  skuadra  më e suksesshme  në sezonin e ri në Kampionatin  amerikan të basketbollit NBA.

Hjustoni në raundin e pestë  shënoi fitore  të thellë 132 – 100  në transfertë  në përballjen me  ekipin Filadelfias . Lojtari më efikas ishte Van Vleet me  24 pikë të realizuara.

Derbi i dy skuadrave të Los Anxhelosit i takoi  ekipit mysafirë Lakers që mundi  Klipersin me rezultatin  103-87, ku u dallua  Grims me23 pikë.

Miami  ka  regjistruar  fitoren e parë  sezonale  129 – 117  ndja  Atlantas.

Fitore ka regjistruar edhe  kampioni në fuqi Nju Jorku  me  rezultatin 133-127 ndaj Çikagos,  ndërsa  San Antonio  ka  regjistruar fitore të rëndësishme 117 – 111  ndaj Utah Jazz.

Advertisement

Fitore në cilësinë e  vendasit  kanë regjistruar edhe Cleveland, Detroit , Dallas  dhe  Toronto, ndërsa në cilësinë e mysafirit fitore kanë regjistruara edhe Golden State  dhe  Denver .

Konferencën e Perëndimit e  kryeson  Hjustoni me  pesë  fitore ndjekur  nga     Lakersi që ka  4 fitore e 1  humbje, ndërsa  atë  të Lindjes  e kryesojnë  Detroit  dhe  Filadelfia me  nga  katër  fitore  e një disfatë.
REZULTATET

Atlanta  – Miami   117 – 129

Cleveland  – Washington          121 – 111

Detroit  – Charlotte    97 – 89

Indiana  – Philadelphia    109 – 114

Advertisement

Toronto  – Orlando   129 – 99

Chicago – Nju  Jork     127 – 133

Milwaukee – Houston 100 – 132

Minnesota  – Golden State Warriors 114 – 119

Nju Orleans  –  Denver    91 – 104

Advertisement

Utah Jazz  – San Antonio    111 – 117

Dallas  – Oklahoma  120 – 96

Los Angeles Clippers –  Los Angeles Lakers    87 – 103

SHABAN SINANI – TV KOHA
Continue Reading

Lajme nga vendi

Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 28 Tetor

Published

on

Dje, në orën 15:45, në rrugën “Boge Veljanoski” në Gostivar, punonjësit e policisë nga DPB Gostivar kanë privuar nga liria një 60-vjeçar nga Gostivari. Ai kërkohej me urdhëresë gjyqësore për vuajtjen e dënimit me burg prej një viti për veprën penale “grabitje” sipas nenit 238 të Kodit Penal. Ai është dërguar në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues Burgu i Tetovës për vuajtjen e dënimit.

……Dje, rreth orës 17:00, në fshatin Vrapçisht të Gostivarit, punonjësit e policisë nga ekipi mobil “Task Force” kanë privuar nga liria një 40 vjeçar nga Gostivari dhe një 22- vjeçar nga fshati Vërbjan. Gjatë kontrollit në një automjet taksi me targa të Gostivarit, në të cilin udhëtonin, është kryer kontroll ndaj tyre, me ç’rast te njëri është gjetur dhe konfiskuar marihuanë, ndërsa te tjetri është gjetur dhe konfiskuar një send me mbetje kokaine. Ata janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tyre do të pasojë parashtresë përkatëse.

…..Dje, në orën 09:40, në Stacionin Policor Tetovë është ndaluar një 39-vjeçar nga Republika e Shqipërisë. Paraprakisht, ai ishte privuar nga liria nga punonjësit e policisë të Stacionit Policor për Mbikëqyrje Kufitare Rogaçevë për shkak të daljes ilegale nga shteti. Me parashtresë përkatëse ai është sjellë para gjykatësit kompetent në Gjykatën Themelore Tetovë, i cili i ka shqiptuar masën “Dëbim i një të huaji me ndalesë hyrjeje në kohëzgjatje prej një viti”. Personi është dërguar deri te vendkalimi kufitar dhe i është dorëzuar shtetit amë.

……Dje, në SPB Tetovë, në prani të gjyshes së saj 64-vjeçare nga Tetova, një 14-vjeçare nga Kërçova ka denoncuar se është kthyer në shtëpinë e gjyshes së saj. Gjegjësisht, më 24.10.2026, nëna e saj 32-vjeçarenga Kërçova kishte denoncuar se ajo ishte e zhdukur.

……Dje, në orën 11:40, në rrugën “Banjeshnicë” në Gostivar, punonjësit e policisë kanë privuar nga liria tre persona nga Gostivari, një nga fshati Forinë e Gostivarit dhe një tjetër nga fshati Debresh, për shkak të dyshimit për lidhje me veprën penale “ndërtim pa leje”. Gjegjësisht, ata nuk kanë respektuar urdhrin e inspektorit ndërtimor për ndalimin e ndërtimit të një objekti që po e ndërtonin për një person tjetër, i kanë hequr shiritat dhe kanë vazhduar me ndërtimin. Sipas udhëzimeve të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Gostivar, pas dokumentimit të plotë të rastit do të pasojnë parashtresa përkatëse.

Advertisement

……Dje, në orën 19:40, në Stacionin Policor Tetovë, një 46-vjeçar nga Tetova, së bashku me djalin e tij 15-vjeçar, ka denoncuar se rreth orës 17:30, në rrugën “Ivo Lola Ribar” në Tetovë, për shkak të një keqkuptimi paraprak, është sulmuar fizikisht nga një person. Po merren masa për zbardhjen e rastit

Continue Reading

Më të lexuarat