Kur në një vendbanim ndërpritet uji, mbyllet një shkollë apo merret një vendim i rëndësishëm nga komuna, kush ua përcjell qytetarëve këto informacione? Në 49 nga 80 komunat e Maqedonisë nuk ka asnjë medium tradicional lokal që të raportojë për problemet dhe zhvillimet e komunitetit. Ky është konstatimi i një hulumtimi të organizatës NarativAI, i cili nxjerr në pah një fenomen shqetësues: shkretëtirat mediatike dhe mungesën e gazetarisë lokale.
Hulumtimi i organizatës NarativAI tregon se 49 nga gjithsej 80 komuna në vend nuk kanë mediumin e tyre tradicional lokal, qoftë gazetë, radio apo televizion. Edhe më shqetësues është fakti se pesë komuna nuk mbulohen as nga mediat tradicionale rajonale.
Këto të dhëna janë pjesë e projektit hulumtues “Kush i rrëfen historitë tona?”, hartëzimi i parë ndërkufitar i shkretëtirave mediatike në Maqedoni dhe Serbi.
Hulumtimi është realizuar nga maji deri në shtator të vitit 2026, duke analizuar të dhënat për mediat e shkruara, radiot, televizionet dhe portalet online, të plotësuara me informacione nga terreni dhe burime lokale.
Nga NarativAI thonë se qëllimi është të tërhiqet vëmendja për rëndësinë e mbijetesës së gazetarisë lokale, fuqizimin e mediave dhe rritjen e numrit të korrespondentëve në të gjitha rajonet.
Për këtë arsye, është krijuar edhe një hartë interaktive, përmes së cilës qytetarët mund të raportojnë mungesën e mediave lokale, raportimin e dobët, mbylljen e mediumeve apo shqetësimet për informim të njëanshëm.
Në fund, autorët theksojnë se qytetarët janë burimi më i rëndësishëm për identifikimin e këtyre problemeve. Sepse aty ku nuk ka gazetari lokale, shumë histori mbeten të patreguara, shumë probleme të padëgjuara dhe shumë vendime pa mbikëqyrjen e opinionit publik.
Nga NarativAI paralajmërojnë se në të ardhmen këtë hulumtim synojnë ta zgjerojnë edhe në vende të tjera të rajonit./Tv Koha/
