Site icon Tetova Expres

ALTA BANKA THELLON PËRPLASJEN VLEN–BDI: VLEN AKUZON, BDI KËRCËNON ME PADI!

Rasti i “Alta Bankës” vazhdon të nxisë përplasje politike mes VLEN-it dhe BDI-së. VLEN akuzon Ali Ahmetin dhe BDI-në për përgjegjësi në hyrjen e bankës dhe bizneseve të tjera serbe në tregun maqedonas, ndërsa BDI i cilëson këto pretendime si shpifje dhe u jep pushtetarëve 24 orë kohë për të kërkuar falje publike. Në të kundërtën, paralajmëron padi ndaj të gjithë atyre që e lidhin kryesinë e saj me rastin “Alta Banka”.

Rasti “Alta Banka”, ka përplasur edhe sot partitë politike shqiptare. Partia në pushtet, VLEN ka vazhduar akuzat në adresë të opozitarëve.

Sipas VLEN, Ali Ahmeti dhe BDI-ja janë fajtorë jo vetëm për Alta Banka po edhe për hapjen e shumë bizneseve tjera serbe në Maqedoninë e Veriut.

Blerim Sejdiu nga VLEN, ka përmendur edhe kompaninë tjetër serbe, M Tel, që sipas tij si biznes në vendin tonë ka hyrë në kohën e BDI-së.

Pyetja është e vetme dhe e qartë: Sa dëshmi të tjera nevojiten që Ali Ahmeti të marrë përgjegjësi? Nga Alta Banka, te Daka Davidoviqi, MTEL-i, Ballkani i Hapur dhe tenderët e kontestuar, krijohet një pasqyrë e lidhjeve të vazhdueshme politike dhe afariste, të cilat meritojnë një verifikim të thelluar institucional dhe përgjegjësi politike. Ali Ahmeti duhet të japë dorëheqje nga funksioni i kryetarit të BDI-së dhe të tërhiqet nga politika. Ka ardhur koha që të mos e mbajë më peng partinë dhe të ardhmen e saj për interesa të veta politike.

Advertisement

Ndërsa VLEN vazhdon me akuza, Arbër Ademi nga Bashkimi Demokratik për Integrim ka deklaruar se pushtetarët kanë kohë 24 orë për të kërkuar falje për këto shpifje siç ai i quan kundrejtë kryesisë së BDI-së në të kundërtën ai ka paralajmëruar padi ndaj të gjithë atyre që dje kanë përmendur emrin e kreut të BDI-së dhe lidhjen që i kanë bërë me Alta Bankën.

Ne i ftojmë përfaqësuesit e shumicës qeverisëse që, një nga një, brenda 24 orëve, të tregojnë të vërtetën dhe t’i kërkojnë falje publike Bashkimit Demokratik për Integrim dhe lidershipit të saj për gënjeshtrat dhe shpifjet e bëra në opinion. Në të kundërtën, BDI-ja do të ndërmarrë të gjithë hapat juridikë dhe do të ngrejë padi ndaj atyre që kanë shpifur. Në gjykatë do të kenë mundësinë t’i dëshmojnë pretendimet e tyre dhe të tregojnë se kush ka marrë vendime, kur i ka marrë dhe çfarë përgjegjësie mban.

Ndryshe, i pari që lidhi BDI-në dhe Ali Ahmetin me “Alta Bankën” ishte kryeministri Hristian Mickoski, i cili në komision parlamentar tha se lejen për hyrje në vendin tonë “Alta Bankës” i ka dhënë ministrat e BDI-së.

Më pas, deputetët e shumicës vazhduan në mënyrë të sinkronizuar të publikojnë dokumentet në të cilën me datë dhe me emra shihen zyrtarë të BDI-së të cilët kanë diskutuar në mbledhje të Qeverisë për këtë temë në vitin 2023./Tv Koha – Shkup/ 

Advertisement
Exit mobile version