Adil Ademi është zgjedhur komandant i Stacionit Policor në Gostivar, me mbështetjen unanime të Këshillit Komunal. Vendimi është marrë në seancën e sotme, ku para këshilltarëve ishte paraqitur lista me tre kandidatë për këtë pozitë.
Ademi ishte emëruar në këtë detyrë nga Ministria e Punëve të Brendshme më 28 maj 2025, ndërsa me votimin e sotëm merr edhe mbështetjen zyrtare të Këshillit Komunal, në përputhje me procedurën e paraparë në Ligjin për Policinë.
Sipas nenit 24 të këtij ligji, zgjedhja e komandantit të stacionit policor bëhet nga Këshilli Komunal, i cili përzgjedh një nga kandidatët e propozuar nga ministri i Punëve të Brendshme.
Me këtë vendim, Adil Ademi vazhdon drejtimin e Stacionit Policor në Gostivar, tashmë me përkrahjen edhe të përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve në Këshillin Komunal.
Komandanti i policisë kujdeset për sigurinë e qytetarëve, andaj me rëndësi të madhe është të zgjidhet një profesionist i dëshmuar i cili do të angazhohet për ruajtjen e rendit dhe qetësisë.
ADIL ADEMI NË KRYE TË POLICISË SË GOSTIVARIT, MERR MBËSHTETJE UNANIME NGA KËSHILLTARËT
