Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se rezultatet e zgjedhjeve në Komunën e Brvenicës nuk ndikojnë në marrëveshjen me koalicionin VLEN për ndarjen e pozitave në pushtetin ekzekutiv.
Rikonstruimi i niveleve të dyta dhe të treta të pushtetit pritet të përfundojë deri në fund të nëntorit, ndërsa në dhjetor është dakorduar një takim i liderëve të koalicionit qeverisës.
I pyetur nëse VLEN-i do të marrë më pak pozita gjatë rikonstruimit pas zgjedhjeve në Brvenicë, Mickoski iu referua marrëveshjes së arritur dhe fjalës së dhënë, duke theksuar se ajo vlen deri në vitin 2028, kur janë paraparë zgjedhjet e rregullta parlamentare.
„Kjo nuk është çështje matematike, por çështje e thelbit të marrëveshjes së arritur gjatë formimit të koalicionit në qershor të vitit 2024. Nuk kam ndërmend të bëhem viktimë e politikës ditore, sepse fjala është fjalë. Marrëveshja vlen deri në vitin 2028, kur mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare. Kemi biseduar me udhëheqësinë e VLEN-it dhe kemi vendosur që, pasi të përcaktojmë çështjet e tjera të rëndësishme shtetërore, në nivel pune, përmes komisioneve partiake për kuadro, t’i konkretizojmë propozimet“
Nga VLEN për Tv Koha thanë se bëhet fjalë për një takim të rregullt, ku janë diskutuar çështjet aktuale politike dhe janë definuar disa procese të rëndësishme
Sipas tyre, për çështjen e Zv/Ministrave dhe Drejtorëve do të ketë një takim shtesë ditëve në vijim, kurse në dhjetor mbahet takim i rregullt i gjithë koalicionit qeveritar.
Kryeministri komentoi edhe deklaratën e liderit të ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, se mund të largohet nga Qeveria nëse provimi i jurisprudencës mbahet edhe në gjuhën shqipe. Mickoski tha se vendimi i takon Dimitrievskit, duke përsëritur qëndrimin e tij se Qeveria është stabile./Tv Koha/
