Lajme nga vendi
Stoltenberg bisedon me Kurtin: Të gjitha palët të ruajnë qetësinë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka njoftuar se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit.
Përmes një publikimi në Twitter, Stolteneberg tha se të gjitha palët duhet ta ruajnë qetësinë dhe të shmangin veprimet e njëanshme, transmeton lajmi.net.
“Bisedova me Albin Kurtin për tensionet e fundit në Kosovë dhe rëndësinë e vazhdueshme të misionit të KFOR-it. Të gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Mbetem në kontakt të ngushtë me Prishtinën dhe Beogradin”, ka shkruar Stoltenberg.
Lajme nga vendi
Nis ndërtimi i rrugës Strugë–Morovisht, Qyra: “Struga nuk pret më, Struga punon, Struga fiton”
Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka njoftuar nisjen zyrtare të punimeve për një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në qytet – rrugën Strugë–Morovisht, e njohur si “Kolektori”.
Sipas tij, projekti që kishte mbetur pezull për më shumë se 20 vite, tashmë po realizohet brenda vetëm pesë muajve të qeverisjes së re. Ai theksoi se ky aks rrugor pritet të zgjidhë problemet e kahershme të trafikut dhe të sjellë një standard të ri infrastrukture, me katër korsi, trotuare dhe hapësira të gjelbra.
“Struga nuk pret më. Struga punon. Dhe Struga fiton”, deklaroi Qyra.
Projekti po realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Transportit dhe, sipas autoriteteve, përmes një procesi transparent, kostoja është ulur nga 2.2 milionë euro në 1.2 milionë euro. Mjetet e kursyera, sipas njoftimit, do të ridrejtohen për investime të tjera në interes të qytetarëve.
Rruga do të shtrihet nga rrethrrotullimi te Foni drejt rrugës Turistike (ish-Apolonia), duke u lidhur më tej me Morovishtin.
Lajme nga vendi
VLEN: Reçica e Vogël është në gjendje paniku klinik, sepse BDI-ja nuk mbron më popullin
Reçica e Vogël është në gjendje paniku klinik, sepse Bashkimi Demokratik për Integrim nuk mbron më popullin, por ekskluzivisht mbron kriminelët që i pëlqejnë Ali Ahmetit.
Derisa institucionet më në fund po e zbërthejnë nyjën kriminale shumëvjeçare, kjo parti po i kthehet konfigurimit të saj të vetëm të fabrikuar, përhapjes së lajmeve të rreme dhe shtirjes si viktimë politike. Por qytetarët nuk i blejnë më skenarët e tyre të lira; koha kur krimi fshihej pas flamurit kombëtar ka përfunduar përgjithmonë.
Ali Ahmeti dhe “garda e tij e parë” janë të fundit që mund të flasin për nder dhe interesa kombëtare. Opinioni e di mirë, dhe arkivat e vërtetojnë: BDI ishin dhe mbetën shërbëtorët më besnikë të Sasho Mijallkovit, me të cilin në rrethe të ngushta i kanë marrë vesh punët e dyshimta që i pasuruan familjet e tyre dhe i varfëruan shqiptarët.
Është qesharake dhe tragjike kur për moral flet Bujar Osmani, i vetmi shqiptar për të cilin Prokuroria Speciale Publike (PSP) me prova ka pretenduar se është i përfshirë në krim të rëndë. Osmani nuk është kurrfarë politikani evropian, por një profiter i zakonshëm politik, i cili në vend që të mbajë ligjërata në media, duhej prej kohësh të jepte llogari para organeve hetuese për shkeljet e tij.
Në të njëjtën vijë të turpit qëndron edhe Blerim Bexheti. Njeriu që sot përpiqet dëshpërimisht të fshihet pas sloganeve ironike, në fakt është simbol i drejtësisë së kapur.
Sulmet e tyre të orkestruara kundër Izet Mexhitit janë një projeksion klasik i frikës së tyre. Ndërsa BDI shpik “dosje” fiktive, realiteti i demanton me fakte: pikërisht kuadrot e tyre këto ditë po përballen me ekspozim publik dhe kallëzime penale për abuzime që peshojnë mbi 700.000 euro.
BDI sot funksionon si një zyrë avokatie e nëntokës, ku për Ahmetin shqiptari i zakonshëm është vetëm një numër votimi, ndërsa milionat e funksionarëve të tij janë mburoja për mbrojtjen e kapitalit të tij personal.
VLEN nuk do të lejojë që korrupsioni të maskohet me parulla patriotike. Koha e pandëshkueshmërisë për “të paprekshmit” e Reçicës ka përfunduar. Çdo denar i vjedhur nga xhepi i qytetarëve dhe nga xhepi i popullit shqiptar do të kthehet, ndërsa paniku i Ahmetit, Osmanit dhe Bexhetit është vetëm dëshmia më e sigurt se drejtësia më në fund ka trokitur në derën e tyre.
Ne vazhdojmë me rendin dhe ligjin, ndërsa ata i lëmë të mbyten në gënjeshtrat e tyre.
Lajme nga vendi
Prokuroria: 350 mijë eurot janë të gjyqtarit Ristov
Gjurmët biologjike të gjyqtarit Gjoko Ristov janë gjetur në fletët e aluminit me të cilat janë mbështjellë 350 mijë eurot e gjetura në bunkerin special te shtëpia e prindërve të tij. Nëpërmjet ekspertizës, organi i akuzës mohon pretendimet e mbrojtjes se paratë janë të prindërve të gjyqtarit, të cilat i kanë fituar nëpërmjet shitjes së rrushit apo pronave. Prokurorja Iskra Haxhivasilevska konfirmoi se në vendin ku janë gjetur paratë, janë gjetur edhe disa shkresa në të cilat ka pasur të shkruara numra evidentues të lëndëve gjyqësore, e të cilat asociojnë me detyrën që ka ushtruar Ristovi, tanimë i akuzuar për fshehje të pasurisë dhe pastrim parash.
“Prokuroria nëpërmjet provave që i ka mbledhur, praktikisht deri në momentin e fundit të hetimit, thjeshtë do të arrijë t’i demantojë të gjitha ato argumente që mbrojtja i ka ofruar si argumente lidhur me veprat që akuzohet”.“Gjatë hetimit kemi siguruar prova të pakundërshtueshme se mu i akuzuari Gjoko Ristov është ai i cili i fshehë paratë, të cilat janë pronë e përfituar në mënyrë të paligjshme”. “E konstatuam me ekspertizë të gjurmëve biologjike”, deklaroi Iskra Haxhivasilevska, Prokurore.
Lidhur me çështjen Fehmi Stafa, i cili u dënua me 15 muaj burg pasi kishte kërkuar 100 mijë euro pikërisht për ta korruptuar gjyqtarin Ristov, nga organi i akuzës thonë se pavarësisht deklaratës së Stafës, nuk e dinë nëse 350 mijë eurot e gjetura në mur janë pikërisht nga ato para. Sipas tyre, nuk e kanë për obligim të dëshmojnë prejardhjen e parave, në raste kur shuma financiare është shumë më e madhe sesa të ardhurat legale të personit.
“Ne nuk themi me akuzën se i akuzuari ka pranuar ryshfet, megjithatë mundemi të themi se edhe në të kaluarën ka pasur shumë praktika dhe kemi prova për atë të cilat tregojnë për tregtim me ndikim dhe praktika korruptuese në nivel të ndërmjetësimit, pasi prapë them se ne nuk themi drejtpërdrejtë se ai ka pranuar ryshfet”, theksoi Iskra Haxhivasilevska, Prokurore.
Ashtu siç kanë shpjeguar më herët nga Prokuroria, e tërë ngjarja lidhur me gjyqtarin Ristov ka filluar pasi i arratisuri për rastin “Zinxhir” – Lupço Pecov apo i njohur me nofkën “Djalli” ka lajmëruar në Prokurori se po i kërkohet 100 mijë euro për t’ia hequr paraburgimin. Me këtë rast ndërmjetësuesi i tij do të ishte avokati Fehmi Stafa, i cili kishte marrë 30 mijë euro, por u kap në flagrancë duke e marrë pjesën e dytë prej 20 mijë eurosh. Stafa e ka pranuar fajësinë në marrëveshje me Prokurorinë dhe u dënua me 15 muaj burg. Ndërkohë Pecovit si i akuzuar në rastin “Zinxhir”, sipas Prokurorisë pasi e ka paguar dëmin i është shfuqizuar masa e arrestit shtëpiak, ndërsa aktualisht është nën masa më të lehta kujdesi./Alsat.mk.
-
Lajme nga bota4 weeks ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga rajoni4 weeks agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Sport4 weeks agoBARDHI: NËNVLERËSIMI VETËM SE NA MOTIVON KUNDËR DANIMARKËS!


You must be logged in to post a comment Login