Connect with us

Lajme nga bota

Virusi që prek rrugët e frymëmarrjes tek fëmijët, spitalet në gjendje të jashtëzakonshme në Gjermani, sa të rrezikuar jemi?

Published

on

Në Gjermani po qarkullon një virus i rrugëve të frymëmarrjes që prek fëmijët. Spitalet ndodhen në gjendje të jashtëzakonshme, situata është dramatike. Por për gjendjen e vështirë klinikat e kanë fajin edhe vetë.

Një bebe i reanimuar po shtrohet në pediatrinë e tejmbushur. Për të pranuar këtë fëmijë, duhet që një trevjeçar të vazhdojë të presë edhe dritën e tretë radhazi për t’u futur në një operacion të domosdoshëm zemre. Fëmija që pranohet ka bërë gjatë natës 150 kilometra rrugë nga Hanoveri në Magdeburg, për të gjetur një shtrat të lirë, sepse 21 klinikat që ndodhen më afër janë mbushur plot dhe nuk kanë më shtretër të lirë. Tek to ka qindra fëmijë që presin në urgjencë dhe dërgohen megjithatë mbrapsht në shtëpi. Ose trajtohen në pavionet e zakonshme, megjithëse duhen trajtuar në repartin intensiv.

“Fëmijët vdesin, sepse ne nuk jemi më në gjendje të kujdesemi për ta,” paralajmëron Michael Sasse, kryemjek drejtues në repartin intensiv të fëmijëve në shkollën e lartë të mjekësisë në Hanover, kur flet për gjendjen katastrofike në klinikat gjermane të fëmijëve.

Këto fjalë janë të rënda. Kur flet me Mehrak Yoosefin, mëson më shumë nga realiteti. Mjekja e fëmijëve në spitalin Charité të Berlinit thotë: “Aktualisht në të gjitha qendrat e urgjencës për fëmijë shërbimi është 24 orësh. Kapacitetet janë harxhuar, ne nuk mund të sigurojmë më kujdesin. Ne duhet të shohim që të arrijmë që asnjë fëmijë të mos vdesë gjatë kësaj kohe.”

Virusi RS i rrezikshëm sidomos për fëmijët e vegjël

Advertisement

Kjo periudhë dhjetori është periudha më e fortë për viruset në Gjermani. Sipas Institutit Robert Koch, gati një në dhjetë vetë vuan aktualisht nga një sëmundje e rrugëve të frymëmarrjes. Shifra ka arritur gati 9 milionë vetë.

Me shumë tërbim viruset përhapen sidomos mes fëmijëve të shkollës të moshës nga 5 deri 14 vjeç. Shumë e rrezikshme për fëmijët dhe sidomos për bebet është i ashtuquajturi virusi RS, virusi synzytial i organeve të frymëmarrjes. Ai sëmur rrugët e frymëmarrjes dhe shkakton goditje të rënda që kërkojnë madje frymëmarrje artificiale.


Përhapja e virusit me tërbim të madh në Gjermani ka të bëjë me pandeminë e Coronës.

Për shkak të mbajtjes së maskës dhe izolimit prej Coronës, fëmijët e vegjël janë infektuar rrallë me virusin RS, prandaj e marrin atë tani. Kjo ka pasoja të mëdha për sistemin gjerman të shëndetësisë, që vuan gjithësesi nga mbingarkesa prej sëmundjeve kronike. Yoosefi, që mban maskë për t’u mos u sëmurur edhe vetë thotë:

“Një pjesë të këtyre fëmijëve ne nuk mund t’i shtrojmë, sepse nuk kemi shtretër. Një pjese të fëmijëve nuk mund t’u jepet ndihmë frymëmarrjeje, sepse nuk kemi pajisje të lira, për të kontrolluar ngopjen me oksigjen. Këta janë fëmijë që mund të sëmuren nga ndalimi i frymëmarrjes. Fëmijët nxirren nga spitali para kohe dhe dërgohen nga pavionet e shërbimit intensiv në ato normale më herët nga sa duhet.”

Në klinika nuk ka më shtretër të lirë

Advertisement

Një sondazh i kryer nga DIVI, Shoqata gjermane ndërdisiplinore për mjekësinë intensive dhe urgjente, nxorri në pah se një në dy klinika është e detyruar të mos pranojë fëmijë të tjerë për t’i shtruar në pavionin intensiv. Nga 110 klinikat e fëmijëve, 43 prej tyre nuk kanë pasur më asnjë shtrat të lirë në pavionet e shërbimit intensiv.

Përveç kësaj, edhe nëse ka mjaft shtretër për trajtimin intensiv, 40 përqind e tyre nuk mund të përdoren për shkak të mungesës së personelit. “Ne jemi të gjithë të strapacuar,” thotë mjekja e fëmijëve të spitalit Charité, “mungesa ka në të gjitha qoshet, përfshirë edhe mungesa në personel, për të përballuar ardhjet e shumta.”

Problemi nuk është se klinikat gjermane të fëmijëve nuk kanë bërë parashikime për atë çka i pret këtë dimër. Që në muajin janar Mehrak Yoosefi, së bashku me nismën e klinikave të pediatrisë në Berlin, një grup mjekesh dhe mjekësh të kryeqytetit iu drejtua politikës. Por nuk mori asnjë përgjigje. Një letër e dytë apeli drejtuar senatores së Berlinit për çështjet e shëndetësisë, Ulrike Gote (Të gjelbërit) dhe ministrit socialdemokrat të Shëndetësisë, Karl Lauterbach pasoi në muajin shtator.

“Ne e parashikuam këtë valë virusi. Dhe tani tronditja është e madhe, sepse situata është shumë më e keqe se mendohej.”

Trajtimi mjekësor i fëmijëve kërkon më shumë kohë dhe një qasje ndryshe nga trajtimi i pacientëve nëmoshë madhore

Advertisement

300 milionë euro për pediatritë dy vitet e ardhshme

Vonë, shumë vonë për këtë dimër erdhën reagimet nga politika. Parlamenti gjerman aprovoi një paketë ligjore për spitalet, i cili do t’i japë më shumë para arkave të zbrazura të klinikave të fëmijëve. 300 milionë euro do jepen më shumë në vitin 2023 dhe 2024. Si dhe 120 milionë euro për sigurimin e vendeve obstetrike. Por Yoosefi indinjohet shumë nga propozimet e ministrit të Shëndetësisë Karl Lauterbach për të përballuar krizën aktuale, duke dërguar tek spitalet e fëmijëve personel të marrë nga pavionet e tjera.

Karl Lauterbach

“Në letër është e lehtë të thuash që postet mund të dërgohen nga një vend në tjetrin. Po ku mund të gjenden këta njerëz për t’i marrë? Pavionet e tjera nuk kanë personel të tepërt, që mund ta shpërndajnë majtas ose djathtas. Përveç kësaj shëndeti i fëmijëve është një specialitet më vete. Personeli që punon zakonisht me të rritur, ndihet pjesërisht i pasigurt për të punuar në pediatri.”

Disavantazhe për shkollimin e përgjithshëm të infermierëve

Advertisement

Shkollimi i infermierëve do të bëhej më modern dhe më interesant me ndryshimet e bëra që nga 1 janari 2020, njoftonte në atë kohë me krenari Ministria federale për Çështjet e Familjes. Por, tre vjet më vonë klinikat e fëmijëve kuptojnë me dhimbje se i ashtuquajturi shkollim i përgjithshëm i infermierëve, ku lejohet të punojnë të punësuar nga të gjitha moshat dhe të gjitha sektorët e kujdesit shëndetësor, nuk ka vetëm avantazhe.

Profesor Jörg Dötsch, drejtor i klinikës së pediatrisë të Universitetit të Këlnit dhe president i shoqatës gjermane për mjekësinë e fëmijëve dhe të rinjve, sheh një boshllëk me rrezik të madh në infermieri: “Para disa vitesh u mor vendimi që arsimi i infermierëve të përshtatej me zakonet europiane. Duke shpresuar që një pjesë e këtyre njerëzve të specializoheshin mbase për kujdesin ndaj fëmijëve të sëmurë. Problemi është se pjesa e atyre që janë specializuar në këtë fushë është shumë e vogël. Mbase më kritike është puna, sepse në disa lande gjermane mundësitë për këtë specializim nuk ofrohen fare.”

Përveç kësaj, po ashtu si në infermierinë për të rritur, infermieret dhe infermierët e klinikave të pediatrisë e lanë punën gjatë dhe pas pandemisë së Coronës. Më parë njerëzit punonin 30 ose 40 vjet në infermieri, sot e lenë këtë profesion pas tetë, nëntë vjetësh, vëren Dötsch. Këta janë njerëzit që shpesh mungojnë për të realizuar kujdesin optimal ndaj fëmijëve dhe të rinjve. “Ne kemi mungesa të personelit të kualifikuar dhe prandaj nuk mund të përdorim tani të gjithë shtretërit.”

Pagesa për numër të sëmurësh fatale sidomos për klinikat e fëmijëve

Shqetësim krijon po ashtu pagesa e infermierëve për numër të sëmurësh, sidomos për spitalet e fëmijëve. Që nga viti 2004, shërbimi në spitale paguhet sipas diagnozës së të sëmurit, jo sipas personelit që i shërben të sëmurit dhe kohës që harxhon me të. Ndërkohë që për një injeksion tek një i rritur duhet një minutë, për të marrë analizat e gjakut, tek një fëmijë dhe për të sqaruar prindërit e tij duhet gjysmë ore. “Për fëmijët dhe të rinjtë duhet më shumë energji dhe kohë, sepse ata dhe prindërit e tyre kanë nevoja të tjera kujdesi,” thotë drejtori i klinikës së fëmijëve, Dötsch.

Advertisement

Sidoqoftë, ministri i Shëndetësisë Karl Lauterbach ka njoftuar se në të ardhmen në klinika vendimet për trajtim nuk do të merren nga detyrimet ekonomike, por nga nevojat mjekësore dhe se së shpejti do t’i jepet fund sistemit të pagimit sipas numrit të të sëmurëve që trajtohen, sikur kemi të bëjmë me dyqanet që shesin ushqime “të lira dhe me shumicë”. Mehrak Yoosefi, mjekja e fëmijëve në Berlin mezi pret që të ndodhë kjo: “Pediatria duhet të dalë nga sistemi i pagesave sipas numrit të të sëmurëve dhe duhet të gjejë një mënyrë tjetër financimi.”

Advertisement

Lajme nga bota

Rusia dhe Ukraina po përgatiten për një shkëmbim të ri të madh të të burgosurve

Published

on

Rusia dhe Ukraina po përgatiten për një tjetër shkëmbim të madh të të burgosurve, ndërsa zyrtarët e të dyja palëve po punojnë për finalizimin e listave të personave që mund të lirohen, raportoi të mërkurën agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass, transmeton Anadolu.

Yana Lantratova, Komisionerja e Rusisë për të Drejtat e Njeriut, tha se përgatitjet për shkëmbimin janë duke vazhduar.

“Po përgatitemi për një shkëmbim tjetër mjaft të madh; listat po finalizohen”, tha Lantratova për Tass.

Shkëmbimi i fundit i madh i të burgosurve u zhvillua më 19 gusht, kur Rusia dhe Ukraina shkëmbyen nga 103 ushtarakë, pas ndërmjetësimit të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Shkëmbimet e të burgosurve kanë mbetur një nga fushat e pakta të bashkëpunimit praktik mes Moskës dhe Kievit gjatë konfliktit të armatosur që filloi në vitin 2022.

Continue Reading

Lajme nga bota

Tragjëdi në Pakistan: Zjarr në maternitet, humbin jetën 14 foshnje të posalindura

Published

on

Të paktën 14 të porsalindur kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që ka shpërthyer në repartin e maternitetit të një spitali në Islamabad, kryeqytetin e Pakistanit.
Ekipet e shpëtimit kanë bërë të ditur se zjarri tashmë është vënë nën kontroll dhe të lënduarit janë dërguar në repartin e kujdesit intensiv.

Një i porsalindur është shpëtuar, ka konfirmuar për BBC-në një zëdhënës i spitalit.

Zjarri ka shpërthyer në katin e tretë të repartit të nënës dhe fëmijës në spitalin PIMS, një nga spitalet kryesore shtetërore të qytetit.

Kryeministri Shehbaz Sharif ka shprehur “pikëllim të thellë” dhe ka urdhëruar një hetim të menjëhershëm.
Është ngritur një komision për të hartuar një raport brenda 24 orëve.

Continue Reading

Lajme nga bota

Trump paralajmëron “luftë ekonomike” ndaj Iranit: Kush e ndihmon, do të përballet me pasoja

Published

on

Presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi një „luftë ekonomike“ dhe izolim të Iranit në përmasa të paprecedenta, në kushtet e ngecjes së negociatave me Teheranin. Njëkohësisht, ai paralajmëroi se edhe vendet që do t’i ofrojnë mbështetje ekonomike Iranit do të përballen me pasoja të rënda ekonomike.

“Askush nuk i ka dhënë Republikës Islamike të Iranit mundësi më të madhe se unë për të arritur një marrëveshje”, shkroi Trump në platformën e tij „Truth Social“, duke shtuar se Teherani “nuk e shfrytëzoi atë”.

“Prandaj, sot po shpall OPERACIONIN EKONOMIK MË TË ASHPËR që është ndërmarrë ndonjëherë kundër cilitdo shtet”, shkroi presidenti amerikan. Trump shtoi se bëhet fjalë për “luftë ekonomike dhe izolim në përmasa të paprecedenta”.

Ai paralajmëroi se vendet, institucionet financiare, kompanitë, aeroportet apo strukturat shtetërore të të cilave do t’i ofrojnë “çfarëdo lloj ndihme shpëtimi Iranit”, do të përballen edhe vetë me “pasoja të mëdha ekonomike”.

Njoftimi paraqet një forcim të mëtejshëm të presionit amerikan ndaj Teheranit, në kushtet e ngecjes së vazhdueshme të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje.

Advertisement

Mediat iraniane sot nuk shfaqin shqetësim të madh lidhur me kërcënimet e Trumpit, duke vlerësuar se bëhet fjalë për vazhdimësi të politikës amerikane të presionit ndaj Teheranit, raportoi DPA.

Agjencia iraniane e lajmeve “Fars” në “Telegram” vlerësoi se deklaratat e fundit të Trumpit janë pjesë e „luftës psikologjike dhe fushatës propagandistike“ së zakonshme, duke kujtuar se presidenti amerikan edhe në të kaluarën ka paralajmëruar rënien e Iranit dhe masa me përmasa historike.

Agjencia iraniane „Tasnim“ vlerësoi se mesazhi i Trumpit “nuk përbën ndonjë zhvillim të ri”, pasi SHBA-ja prej vitesh përpiqet të bllokojë lidhjet financiare dhe ekonomike me Iranin.

Megjithatë, Irani “ka mësuar se si t’i anashkalojë këto kufizime dhe është bërë shumë i aftë në këtë drejtim”, raportoi “Tasnim” në “Telegram”.

Advertisement
Continue Reading

Më të lexuarat