Lajme nga vendi
Tupançevski: Digjitalizimi i gjykatave do të kontribuojë në shtypjen e krimit të organizuar
Sistemi AKMIS në gjykata dhe sistemi “Kejs menaxhimi” në prokurorinë publike janë dy mjetet që do të ndihmojnë në zbulimin e situatave të këqija dhe përmirësimin e efikasitetit të gjyqësorit dhe prokurorisë, tha ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançevski në konferencën vjetore “Viti i mundësive të reja”.
Ai shtoi se këto dy sisteme, të ndihmuara me Ligjin për menaxhimin e lëvizjes së lëndëve në gjykata, do të kontribuojnë që të dihet saktësisht se në cilën fazë të procedurës ndodhet lënda.
“Kjo është e rëndësishme sepse do të mund të përcjellet rasti gjyqësor nga faza fillestare deri në fund, ku është dhe cilat janë arsyet e vonesës së mundshme”, theksoi Tupançevski.
Ministri i Drejtësisë theksoi se digjitalizimi i gjykatave është një nga faktorët që do të kontribuojë në shtypjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit duke lidhur gjykatat dhe institucionet publike./Telegrafi/
Lajme nga vendi
“TETOVA N`FESTË”: FËMIJËT BËHEN PIKTORËT KRYESOR TË QYTETIT!
Art, ngjyra dhe buzëqeshje në “Art në Park: Live Painting”!
Kështu titullohej aktiviteti i së hënës pasdite në ambientin para Pallatit të Kulturës në Tetovë, ku arti figurative foli përmes fantazisë së Fëmijëve.
Në kuadër të aktiviteteve të “Tetova n’Festë”, parku i Qendrës për Kulturë u shndërrua në një galeri të hapur arti, ku fëmijët u bënë piktorët kryesorë të qytetit.
Të udhëzuar nga profesorët e artit figurativ, ata kapën furçat dhe lanë fantazinë të fliste përmes ngjyrave, duke sjellë një pasdite të mbushur me energji pozitive dhe krijimtari.
KUJTIM AMETI – “Secila pikturë është një dritare drejt botës së bukur të fëmijërisë.” – thanë organizatorët duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit e vegjël që sollën aq shumë art dhe buzëqeshje!
Në fund ata bënë thirrje që këto aktivitete do të vazhdojnë me ngjarje të radhës sepse, sic thanë, bashkë e ngjyrosim qytetin tonë.
Lajme nga vendi
HOXHA: RASTI I GOSTIVARIT INCIDENT SERIOZ – NUK DO TË KETË FSHEHJE TË PËRGJEGJËSISË
Ndotjen e rrjetit të ujësjellësit në Gostivar, Ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamed Hoxha, e ka cilësuar si incident të rëndë, nga i cili është rrezikuar shëndeti i mijëra qytetarëve.
Sipas Hoxhës, pasi të qartësohen të gjitha rrethanat, me patjetër duhet të ketë përgjegjësi penale dhe morale për personat përgjegjës.
“Dëshiroj t’i siguroj qytetarët e Gostivarit se Qeveria po i ndërmerr të gjitha masat në kuadër të kompetencave të saj dhe kështu do të vazhdojë deri në zbardhjen e plotë të rastit. Rasti i ndotjes së ujësjellësit në Gostivar është një incident serioz, i cili e rrezikoi drejtpërdrejt shëndetin e mijëra qytetarëve. Kur rrezikohet shëndeti i qytetarëve, të nderuar gazetarë, nuk guxon të ketë kompromis, as fshehje të përgjegjësisë.”
Hoxha rikujtoi se furnizimi me ujë të pijshëm, mirëmbajtja e rrjetit të ujësjellësit, si dhe mbledhja e trajtimi i ujërave të zeza janë kompetencë e komunave dhe e ndërmarrjeve publike komunale.
“Pushteti lokal është linja e parë e përgjegjësisë për funksionimin e sigurt të këtyre sistemeve, si dhe për krijimin dhe mbrojtjen e zonave të mbrojtjes sanitare rreth burimeve të ujit. Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor mbetet plotësisht e përkushtuar në sigurimin e kushteve për një infrastrukturë komunale më cilësore. Aktualisht po zbatojmë ciklin më të madh të investimeve në këtë fushë, me qindra projekte infrastrukturore në komuna në të gjithë vendin, që synojnë përmirësimin e furnizimit me ujë, sistemeve të kanalizimeve, impianteve të trajtimit dhe mbrojtjen e mjedisit.”
Për ministrin Hoxha, institucionet, si në nivel lokal, po ashtu edhe qendror, e kanë për obligim të mbrojnë mjedisin, por mbi të gjitha të mbrojnë shëndetin e qytetarëve. Ai kërkoi hetim të shpejtë dhe të plotë për rastin, si dhe përgjegjësi konkrete për ndotjen e rrjetit të ujësjellësit në Gostivar.
Lajme nga vendi
PASDITE DHE GJATË MBRËMJES NIS MOTI I PAQËNDRUESHËM!
Për shkak të depërtimit të një fronti të ftohtë atmosferik nga veriu, gjatë orëve të vona të pasdites dhe mbrëmjes së sotme, si dhe gjatë natës drejt së mërkurës dhe të mërkurën, më 22 korrik, në orët e mëngjesit dhe paradites së hershme, në shumë zona të vendit do të zhvillohen re konvektive me bubullima dhe do të formohen masa ajrore të lagështa dhe të paqëndrueshme.
Sipas MeteoAlarm, në këtë periudhë, moti në vend do të jetë shumë i paqëndrueshëm, me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të përforcuar. Proceset atmosferike në shumicën e rajoneve do të jenë dukshëm më intensive, me stuhi të shoqëruara me reshje të dendura shiu, erë të fortë me shpejtësi prej 50 deri mbi 60 km/orë, shkarkime të fuqishme dhe të shpeshta elektrike, si dhe breshër.
Për këtë arsye, qytetarëve u bëhet apel të tregojnë kujdes maksimal, veçanërisht gjatë paraqitjes së shkarkimeve të forta elektrike dhe erës së fuqishme.
Nga mbrëmja e sotme dhe gjatë natës drejt së mërkurës do të nis rënia e temperaturave, e cila fillimisht do të ndihet më shumë në pjesët veriore të vendit.
Ndërkohë, një stuhi e fuqishme me reshje të dendura dhe erë të fortë goditi mbrëmjen e kaluar disa komuna të Maqedonisë, duke shkaktuar dëme materiale dhe probleme në komunikacion. Më të goditura ishin Strumica, Radovishi, Dellçeva, Dojrani dhe Kumanova, ku u rrëzuan pemë, shtylla elektrike dhe u dëmtuan linjat e energjisë elektrike. Në disa vende u dëmtuan edhe automjete.Tv Koha/

