Lajme nga vendi
Avokati i Popullit do të hetojë rastin me foshnjën me tuberkulozë që ndërroi jetë në Klinikën e Fëmijëve në Shkup
Avokati i Popullit ngriti rast me iniciativën e tij, për të hetuar të gjitha rrethanat e situatës me foshnjën e cila ishte sjellë në Klinikën për sëmundje të fëmijëve, i infektuar me tuberkuloz në gjendje të rëndë shëndetësore, e cila ndërroi jetë pas përkeqësimit të mëtejshëm të gjendjes së tij.
Avokati i Popullit do të kërkojë përgjigje duke filluar nga kujdesi dhe ushqyerja me foshnjën, e deri te funksionimi i shërbimeve sociale.
Më parë, babai mohoi që foshnja e tij e sjellë në spital me vetëm tre kilogramë të ishte e lënë pas dore dhe e kequshqyer, siç u raportua fillimisht në publik, por tha se kishte lindur para kohe.
Ndërron jetë foshnja nëntëmuajshe nga Kumanova, e cila u soll në gjendje të rëndë në Klinikën për Fëmijë
Edhe shërbimet sociale në Kumanovë kanë bërë kontrolle dhe kanë konstatuar se nuk ka mangësi në përkujdesjen dhe kujdesin e foshnjës.
Aktualisht në spital është e shtruar nëna, e cila po ashtu vuan nga tuberkulozi, ndërsa pozitiv për sëmundjen janë edhe babai dhe fëmijët, por për momentin nuk kanë simptoma.
Përkundër faktit se pothuajse të gjithë në vend janë të vaksinuar kundër kësaj sëmundjeje, tuberkulozi herë pas here shfaqet në Maqedoni.
Vitin e kaluar në klinikën e fëmijëve ishin dy pacientë të cilët u dërguan në Kozle dhe u shëruan me sukses.
Lajme nga vendi
ASH konteston zbatimin jo uniform të paketës “Safe City” në Kushtetuese
Në ditën e hyrjes në fuqi të ligjeve, Aleanca për Shqiptarët ka kontestuar në Gjykatën Kushtetuese aktet ligjore që përfshihen në paketën “Safe City”.
Abidin Abduli, avokat i angazhuar nga Aleanca për Shqiptarët, deklaroi:
“Siç paralajmëruan deputetët tanë nga foltorja e Kuvendit, ligjet e paketës ‘Safe City’ do të ankohen në Gjykatën Kushtetuese në ditën e hyrjes së tyre në fuqi. Këto iniciativa i dorëzuam me qëllim që çdo ligj të vlejë për të gjithë qytetarët, në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.”
Në lidhje me deklaratën e Ziadin Selës, një pyetje e ngritur nga gazetarët, deputeti Halil Snopçe theksoi:
“Serioziteti për ‘Safe City’ matet me veprime konkrete dhe jo me deklarata politike. Neni 9 i Kushtetutës garanton barazi për të gjithë qytetarët, ndërsa zbatimi i ligjit vetëm në tre qytete nuk është i barabartë dhe nuk siguron uniformitet. Deputeti Rijad Shaqiri paralajmëroi nga foltorja e Kuvendit se Aleanca për Shqiptarët do të dorëzonte ankesë, ndërsa Ziadin Sela nuk ishte i pranishëm gjatë votimit të ligjit.”
Aleanca për Shqiptarët thekson se çdo ligj duhet të jetë i drejtë, i barabartë dhe të garantojë të drejta të njëjta për të gjithë qytetarët, pa përjashtim.
Aleanca për Shqiptarët
Lajme nga vendi
Fetai: “Safe City” është politizuar pa nevojë, ligji nuk ka karakter ndëshkues
Zëvendëskryeministri Arben Fetai, në emisionin “Rishtazi” në KohaCast, ka deklaruar se Ligji për kundërvajtje, i njohur si sistemi “Safe City”, është politizuar pa nevojë, duke u shoqëruar me dilema, propagandë dhe përpjekje për etnizim të tij. Sipas Fetait, “Safe City” është një sistem i konceptuar për të vendosur rend në qarkullimin publik dhe për të ulur numrin e aksidenteve fatale në trafik. “Bëhet fjalë për një sistem që synon të vendosë rend në qarkullimin publik dhe të ulë shkallën e vdekshmërisë në aksidentet rrugore. Ai është menduar dhe dizajnuar mbi bazën e statistikave që shteti disponon lidhur me aksidentet e trafikut në nivel vendi”, ka deklaruar Fetai.
Zëvendëskryeministri ka theksuar se qasja e Qeverisë është parandaluese dhe jo ndëshkuese, duke hedhur poshtë pretendimet e opozitës se qëllimi është mbledhja e gjobave për mbushjen e buxhetit. “Qëllimi ynë nuk është të ndëshkojmë qytetarët apo të mbledhim para për buxhetin, siç u paraqit nga një pjesë e opozitës. Qasja është parandaluese dhe ka të bëjë me sigurinë publike”, tha Fetai.
Ai sqaroi se ligji ende nuk zbatohet plotësisht dhe se aktualisht sistemi ndodhet në fazë testuese. Sipas tij, operacionalizimi i plotë i sistemit, përfshirë edhe shqiptimin e dënimeve, do të nisë nga data 1 shkurt. Fetai po ashtu nënvizoi se dërgimi i njoftimeve përmes SMS-ve është ende në fazë testimi dhe se Qeveria ka garantuar respektimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. “Kemi qartësuar se do të respektohet ligji për përdorimin e gjuhëve dhe njoftimet do të dërgohen në dy gjuhë. Këtë e garantojmë”, theksoi Fetai.
Lajme nga vendi
Diploma false, ministrja Janevska: Ka kallëzime penale, po veprohet
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në emisionin “Click Plus” deklaroi se aktualisht institucionet po veprojnë mbi kallëzimet për diploma të falsifikuara, duke theksuar se ligji në fuqi për momentin parashikon vetëm masa ndëshkuese.
Ajo shtoi se së shpejti pritet të hyjë në fuqi Ligji i ri për Arsimin e Lartë, i cili do të mundësojë procedura të reja për trajtimin e këtyre rasteve.
“Gjatë gjithë kësaj periudhe kemi punuar për të përcaktuar disa fakte që kanë ndodhur në të kaluarën, por ka indikacione se raste të tilla po ndodhin edhe tani, megjithëse në një përqindje më të vogël. Më vjen keq të them se ligjet tona ekzistuese për arsimin e lartë kanë disa mangësi, të cilat nuk na lejojnë ta përmbyllim plotësisht këtë problematikë, ndonëse do të kishim mundësi. Kemi ndërmarrë hapa dhe aktualisht po veprojmë në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Arsimit, i cili, edhe jashtë planit të rregullt, po zhvillon një sërë hetimesh. Për momentin po punohet mbi kallëzimet e paraqitura dhe të gjitha ato që na janë dorëzuar janë proceduar. Ligji nuk është i qartë se si duhet vepruar pas përfundimit të procedurave. Një pjesë e madhe e rasteve janë zgjidhur me shqiptimin e masave ndëshkuese ndaj subjekteve që kanë kryer shkeljet. Në këtë proces do të duhet të përfshihet edhe Agjencia për Cilësinë e Arsimit të Lartë”, deklaroi Janevska.

