Lajme nga vendi
MASH: Po përgatitet draft-versioni i Ligjit të ri për librat
Është duke u përgatitur draft-versioni i parë i Ligjit të ri për tekstet shkollore në arsimin fillor dhe të mesëm, për të cilin është duke punuar grup i përbërë nga përfaqësues të disa institucioneve dhe faktor të interesuara në procesin edukativo-arsimor.
Kjo është nismë e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Shërbimit Pedagogjik, me të vetmin qëllim që të avansohet cilësia e përmbajtjes së teksteve shkollore, të zvogëlojë paraqitjet për gabime të natyrës së ndryshme në përmbajtje dhe njëkohësisht të thjeshtojë procesin e prokurimit dhe dërgimit në kohë deri te shkollat.
“Nevoja për zgjidhje të re ligjore në interes të sistemit arsimor dhe cilësisë së procesit edukativo-arsimor në vend është më se e dukshme për shkak të domosdoshmërisë së vendosjes së më shumë filtrave shtesë për kontroll gjatë përgatitjes dhe miratimit të përmbajtjes së teksteve shkollore, si edhe gjetja e mënyrës për të inkurajuar sa më shumë konkurrencë, gjegjësisht numër më të madh autorësh me dorëshkrimet e tyre, si dhe recensentëve për miratimin e dorëshkrimeve për të aplikuar në shpalljet publike”, informon MASH.
Në zgjidhjen e re ligjore, thekson Ministria, do të integrohen të gjitha propozimet konstruktive të cilat që nga janari kanë arritur në adresën e MASH-it, kur opinoni u ftua të jepte vërejtje dhe sugjerime për Zgjidhjen ekzistuese ligjore, e cila është bazë për zhvillimin e zgjidhjes së re më të mirë.
“Debati publik do të vazhdojë me përcjelljen e projekt-zgjidhjes ligjore në Qeveri, prej nga do të publikohet në sistemin ENER ,ndërsa më pas do të përcillet në Kuvend për diskutim përfundimtar dhe miratim përfundimtar”, njoftoi Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

