Lajme nga vendi
(VIDEO) Regjistrohen edhe 11 raste me kollën e keqe, numri i përgjithshëm shkon në 184
Në 24 orëshin e fundit janë regjistruar 11 raste të reja me kollën e keqe. Numri i përgjithshëm i të sëmurëve, sipas Qendrës së Shëndetit Publik shkon në 184.
Inspektorati Sanitar Shëndetësor vazhdon kontrollet nëpër çerdhe. Gjysma e fëmijëve parashkollorë, nuk pranohen në çerdhe për shkak se nuk janë të vaksinuar tërësisht ose janë të imunizuar pjesërisht. Komisioni për Sëmundje Infektive të enjten do të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme.
“Sa u përket dilemave nëse është i vaksinuar me tre doza, apo nuk është i revaksinuar, a duhet të pranohet në çerdhe ose të mos pranohet. Rregullat janë strikte, do të kërkoj nga Komisioni për Sëmundje Infektive të mbajë takim gjatë ditës së nesërme dhe të kemi një qëndrim të unifikuar, i bazuar në këshillat që i jep KSI”, tha Ilir Demiri, Ministër i Shëndetësisë.
Demiri tha se një fëmijë konsiderohet i vaksinuar nëse ka marrë tre dozat e vaksinës Di-Te-Per, por i domosdoshëm është edhe rivaksinimi, prandaj kontrollet që zbatohen nga ana e Inspektoratit kanë të bëjnë me respektimin e kalendarit të imunizimit në tërësi.
“Unë kam kërkuar nga Inspektorati të zbatojë aktivitete dhe të ndalojë pranimin në çerdhe të fëmijëve që nuk janë të vaksinuar tërësisht ose jo. Vaksinimi nënkupton kur fëmija ka 3 doza, ai cilësohet si i vaksinuar, jo tërësisht i vaksinuar konsiderohet nëse për shembull ka pranuar 2 doza, nuk e ka pranuar të tretën. Nëse është rivaksinuar ajo është çështje tjetër. Vaksinimi zbatohet në tre doza, në 2, 4 dhe 6 muaj, me rivaksinimin e parë në moshën 18 muajshe. Këto predispozita janë shkencore, nuk janë të mijat personale”, u shpreh Ilir Demiri, Ministër i Shëndetësisë.
Sipas verifikimit të kartonëve të vaksinimit, në Shkup rreth 50 për qind e fëmijëve të moshës parashkollore nuk janë të vaksinuar ose janë të vaksinuar pjesërisht. Krahasuar me Shkupin, situatë më e mirë paraqitet nëpër qytetet tjera me përfshirje mbi 95 për qind të fëmijëve.
Lajme nga vendi
SHOK TEMPERATURASH NË MAQEDONI: Pas të ftohtit të pazakontë dhe borës, këtë javë deri në 38°C
Pas valës së pazakontë të të ftohtit që solli reshje bore në Malin Sharr dhe në Pelister të premten, më 24 korrik, si dhe pas mëngjesit të sotëm jashtëzakonisht të freskët për muajin korrik, Maqedoninë e pret një tjetër ndryshim i fortë i motit.
Meteorologu Sllavço Poposki njofton se nga fillimi i javës vendi do të përfshihet nga një masë shumë më e ngrohtë ajrore që vjen nga jugu, përkatësisht nga Afrika.
“Që nga e hëna dhe gjatë ditëve në vijim, temperaturat do të shënojnë rritje të shpejtë. Në pjesën më të madhe të Maqedonisë ato do të kalojnë 30 deri në 35 gradë Celsius, ndërsa në rajonin e Povardarisë dhe në pjesën juglindore të vendit do të arrijnë deri në 38 gradë Celsius”, thekson Poposki.
Sipas tij, vetëm gjatë ditës së hënë, më 27 korrik, priten dukuri lokale të paqëndrueshme të motit, të shoqëruara me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të përforcuar.
Nga e marta, më 28 korrik, moti do të stabilizohet plotësisht dhe do të mbizotërojë mot me diell, i qëndrueshëm dhe me vranësira të pakta lokale.
Poposki paralajmëron se këto ndryshime të menjëhershme dhe të mëdha të temperaturave mund të kenë ndikim negativ, veçanërisht te personat e ndjeshëm ndaj ndryshimeve të motit.
Lajme nga vendi
Sërish shtrenjtohen karburantet nga mesnata
Çmimet e shitjes me pakicë të benzinave EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 rriten për 3,00 denarë për litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i EURODIZELIT (D-Е V) rritet për 4,50 denarë për litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i Vajit Ekstra të Lehtë për Amvisëri (ЕL-1) rritet për 5,00 denarë për litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i Мazutit М-1 SU rritet për 2,726 denarë për kilogram.
Nga data 28.7.2026, nga ora 00:01, çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:
Benzinë motori EUROSUPER BS – 95 93,00 (denarë/litër)
Benzinë motori EUROSUPER BS – 98 95,00 (denarë/litër)
Naftë motori EURODIZEL BS (D-E V) 98,50 (denarë/litër)
Vaj për Djegie Ekstra i Lehtë 1 (EL-1) 98,00 (denarë/litër)
Mazut М-1 SU 48,099 (denarë/kilogram)
Lajme nga vendi
“TETOVA N`FESTË”: “KREJT E THIRRIN REXHËN” NË ATMOSFERË VERORE!
Nën qiellin e hapur të Banjës së Tetovës, qytetarët patën mundësinë të ndjekin shfaqjen e filmit “Krejt e Thirrin Rexhën”, në kuadër të manifestimit Vera Tetovare, Tetova n’Festë.
Një mbrëmje e bukur kinematografike, e mbushur me emocione, humor dhe atmosferë të veçantë, që bëri bashkë qytetarë të të gjitha moshave.
Tv Koha takoi edhe Artistin e ri nga Tetova, Ledion Mulaku, i cili hapat e parë në aktrim i ka bërë që në moshë të hershme, duke qenë pjesë e disa projekteve filmike dhe serialeve të rëndësishme në rajon, duke përfshirë filmat “Dashuria s’mjafton” dhe “Shkëmbimi”, serialin ndërkombëtar Sunrise, si dhe projektin e fundit “Krejt e thirrin Rexhen”, ku ai interpreton një nga rolet protagoniste dhe është vlerësuar me çmimin Best Young Actor.
Suksesi i tij është një shembull frymëzues për të rinjtë e Tetovës dhe një dëshmi e potencialit të madh që ka rinia jonë.
Vera tetovare riktheu në Tetovë filmin “Krejt e Thirrin Rexhën” me një mbrëmje të veçantë kushtuar artit dhe kinematografisë shqiptare.
Ambienti I hapur në Banjë të Tetovës u bë arenë e gërshetimit të brezave dhe interesimit të jashtëzakonshëm të publikut tetovar.
U shijua së bashku një film I jashtëzakonshëm në një atmosferë të bukur verore, ku sipas organizatorëve, “Tetova N`Festë” vazhdon të sjellë kulturë, art dhe argëtim në çdo cep të qytetit.
/Tv Koha/

