Lajme nga vendi
Në mesnatë skadon afati për mbikëqyrje në Listën zgjedhore dhe regjistrimin e votuesve në diasporë
Në mesnatë skadon afati për mbikëqyrjen e Listës zgjedhore si dhe për regjistrimin e votuesve në diasporë. Qytetarët që sot mund të kontrollojnë të dhënat e tyre dhe nëse është e nevojshme të kërkojnë ndryshimin, regjistrimin ose fshirjen nga Lista zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare.
Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) apelojnë që qytetarët të bëjnë mbikëqyrje dhe nëse ka nevojë të kërkojnë ndryshim.
Sipas të dhënave të KSHZ-së, deri më 14 mars, në drejtoritë rajonale dhe zyrat e Komisionit, mbikëqyrje në të dhënat në Listën zgjedhore kanë bërë 4859 persona. Shtatë persona kanë paraqitur kërkesë për ndryshimin e të dhënave të tyre, 19 persona kanë paraqitur kërkesë për regjistrimin e të dhënave të tyre dhe pesë persona kanë paraqitur kërkesë për fshirje të të dhënave në Listën zgjedhore.
Përmes rrugës elektronike deri më 14.03 2024, rreth 22122 qytetarë i kanë kontrolluar të dhënat e tyre. Janë dorëzuar 25 kërkesa për ndryshime të të dhënave, gjashtë kërkesa për fshirje të të dhënave dhe 10 kërkesa për regjistrim të të dhënave në Listën zgjedhore.
Sa i përket kërkesave të pranuara për regjistrim të votuesve në diasporë, mbrëmë deri në orën 20 kanë arritur 2049 kërkesa, prej të cilave 1430 janë pranuar, 165 janë refuzuar dhe 434 nuk janë proceduar.
Votimi në diasporë për zgjedhjet presidenciale do të organizohet, me intencë se presidenti i vendit zgjidhet sipas sistemit mazhoritar në të gjithë territorin e vendit, si dhe në të gjitha kontinentet ku jetojnë qytetarët tanë, por që të organizohen zgjedhje parlamentare për votim, është e nevojshme të paktën 5355 zgjedhës të jenë të regjistruar në të 52 përfaqësitë konsullore apo zyrat diplomatike jashtë vendit.
Për hapjen e një qendre të votimit në Përfaqësitë diplomatike konsullore apo Zyrës konsullore jashtë vendit, duhet të regjistrohen së paku dhjetë votues.
Të gjithë të regjistruarit në listën zgjedhore do të mund të votojnë si në zgjedhjet presidenciale ashtu edhe në ato parlamentare, ndërsa të drejtë votë mund të ushtrojnë edhe qytetarët me dokumente personale dhe dokumente udhëtimi të skaduara në nëntë muajt e fundit para zgjedhjeve.
Me ndryshimet dhe plotësimet e fundit në Kodin zgjedhor, parashikohet që në Listën zgjedhore të regjistrohen të gjithë qytetarët që kanë mbushur moshën 18 vjeç deri në ditën e zgjedhjeve, në përputhje me aktin për shpalljen e zgjedhjeve, të cilët kanë vendbanim në territorin e shtetit.
Zëdhënësja e KSHZ-së, Lupka Guguçevska tha se kjo do të thotë se në certifikatat e Listës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare më 8 maj do të regjistrohen të gjithë qytetarët që kanë mbushur, përkatësisht do të mbushin 18 vjet deri më 8 maj të vitit 2024 si ditë të caktuar për zgjedhjet parlamentare. Ndërsa për zgjedhjet presidenciale, në certifikatat e Listës zgjedhore do të regjistrohen qytetarët të cilët kanë mbushur, përkatësisht do të mbushin 18 vjet deri më 24 prill si datë e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale.
“Sipas ndryshimeve të fundit në Kodin zgjedhor, parashikohet që për zgjedhjet që do të mbahen këtë vit, votuesit do të mund të votojnë me letërnjoftim ose dokument udhëtimi vlefshmëria e së cilës ka skaduar në afatin prej nëntë muajsh deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve. Nëse marrim harkun kohor, kjo do të thotë që në zgjedhjet presidenciale të 24 prillit, qytetarët, gjegjësisht votuesit, mund të identifikohen me dokumente personale të vlefshme, por edhe me dokumente personale, letërnjoftim ose dokument udhëtimi të cilave u ka skaduar vlefshmëria duke filluar nga 24 korrik 2023 viti për zgjedhjet presidenciale, ndërsa për zgjedhjet parlamentare do të mund të identifikohen votuesit me dokumente personale të vlefshme, ose dokumente personale – letërnjoftim ose dokument udhëtimi që ka skaduar për çfarëdo arsye në periudhën nga 8 gushti 2023 deri më 8 maj 2024”, sqaroi Guguçevska në konferencën për shtyp javën e kaluar.
Lajme nga vendi
Pas shkumës së bardhë në lumin Vardar, analizat paraprake brenda normave, priten rezultatet përfundimtare
Shkuma e bardhë u shfaq më 24 korrik, ndërsa Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor, në koordinim me institucionet kompetente, ndërmori inspektime të jashtëzakonshme në terren dhe analiza laboratorike për të përcaktuar shkakun e rastit.
Sipas Inspektoratit, gjatë kontrolleve të kryera te subjektet industriale në zonën që janë nën kompetencë shtetërore nuk janë konstatuar parregullsi ligjore. Autoritetet bëjnë të ditur se subjektet kanë vepruar në përputhje me kushtet e përcaktuara në lejet ekologjike për menaxhimin e ujërave të ndotura.
Institucioni thekson se cilësia e ujit në këtë pjesë të Vardarit ndikohet nga faktorë të shumtë, përfshirë ujërat komunale dhe atmosferike, si dhe aktiviteti i një numri të madh subjektesh afariste në zonën përreth, prandaj të gjitha institucionet kompetente po veprojnë në mënyrë të koordinuar.
Raporti paraprak i Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup, i dorëzuar më 29 korrik në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, konstaton se parametrat fiziko-kimikë të analizuar nuk i tejkalojnë vlerat kufitare të lejuara.
Njëkohësisht, me kërkesë të Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin Jetësor, mostra janë analizuar edhe nga një laborator i akredituar. Raporti përfundimtar pritet t’i dorëzohet Inspektoratit dhe Ministrisë më 4 gusht, pas së cilës institucionet kanë paralajmëruar se do ta informojnë opinionin për rezultatet përfundimtare.
Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor bëri të ditur se do të vazhdojë me inspektime të rregullta dhe të jashtëzakonshme për të siguruar mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe shëndetit të qytetarëve.
Ndryshe, në lumin Lepenc, i cili e furnizon Lumin Vardar, u shfaq një vëllim i madh i shkumës së bardhë në rrjedhjen e tij në Shkup. Shkuma u raportua si ndotje e madhe e lumit, lum i cili në Karposh bashkohet me Vardarin. Rasti ishte raportuar në orën 14:10./portalb.mk/
Lajme nga vendi
Dyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
Një fëmijë dyvjeçar nga Kumanova është helmuar pasi ka konsumuar një mjet për tretjen e ngjyrës, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas policisë, rasti është raportuar dje rreth orës 14:00, kur Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës ka njoftuar SPB Kumanovë se tek ta ishte sjellë për trajtim një fëmijë dyvjeçar nga Kumanova me shenja helmimi.
Pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore, fëmija është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nëna Terezë” në Shkup për trajtim të mëtejshëm.
Nga SPB Kumanovë bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Ky nuk është rasti i parë i helmimit të fëmijëve në rajonin e Kumanovës. Gjatë vitit të kaluar u regjistruan disa raste të ngjashme, ku fëmijë të moshave të ndryshme u helmuan pasi konsumuan mjete për pastrim, dezinfektues ose tableta të lëna në vende të arritshme për ta.
Autoritetet shëndetësore dhe institucionet kompetente apelojnë që produktet kimike, barnat dhe substancat e rrezikshme të ruhen gjithmonë jashtë mundësisë së fëmijëve, për të parandaluar raste të tilla.
Lajme nga vendi
KUJDES MAKSIMAL NGA ZJARRET: NJË SHKËNDIJË MUND TË SHKAKTOJË TRAGJEDI!
Gjatë muajit korrik, mesatarisht janë regjistruar rreth 15 zjarre në hapësira të hapura në ditë. Falë ndërhyrjeve të shpejta të zjarrfikësve dhe mbështetjes nga mjetet ajrore të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), të gjitha zjarret janë vënë me sukses nën kontroll dhe janë shuar. Reshjet e shiut gjatë periudhës së kaluar ndikuan në uljen e numrit të zjarreve dhe ngadalësuan përhapjen e tyre, njoftojnë nga DMSH-ja. Megjithatë, periudha me reshje ka përfunduar. Mjafton vetëm një shkëndijë! – thonë autoritetet.
Zjarri në Leshnicë të Tetovës është lokalizuar –thuhet në njoftimin në Facebook të Komandantit të Zjarrfikësve të Tetovës, Avni Ameti, I cili thotë se në koordinim të plotë me të gjitha institucionet përgjegjëse, në terren intervenuan dy avionë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe ekipet e zjarrfikësve të Tetovës, të cilat punuan pa ndërprerje dhe me përkushtim maksimal.
“U bëj apel të gjithë qytetarëve që gjatë ditëve në vijim të tregojnë kujdes maksimal, të mos ndezin zjarr në ambiente të hapura dhe të raportojnë menjëherë çdo tym apo vatër zjarri në numrin emergjent 112” – thotë Avni Ameti.
Por, jo vetëm kaq!
Sipas tij, pas çdo zjarri që shuhet, fshihet një histori sakrifice, guximi dhe përkushtimi.
Zjarrfikësit përballen çdo ditë me rrezikun për të mbrojtur jetën, familjet dhe pronën e qytetarëve. Nuk është thjesht një profesion – është një mision që kërkon zemër, disiplinë dhe vendosmëri.
Shumica e zjarreve shkaktohen pa qëllim. Qytetarët zakonisht nuk synojnë të shkaktojnë zjarr, por një pakujdesi e vetme mund të ketë pasoja të rënda.
Prandaj bëhet thirrje që të mos hidhen bishta cigaresh në hapësira të hapura, veçanërisht nga automjetet në lëvizje.
-Mos ndizni zjarr apo skara në pyje dhe në vende me bimësi të thatë.
-Pastroni barin e tharë dhe shkurret rreth shtëpive dhe uikend-shtëpizave -dhe krijoni një brez mbrojtës.
-Mos digjni kashtën dhe kullotat. –
-Tregoni kujdes gjatë përdorimit të veglave që krijojnë shkëndija, si gurët prerës dhe aparatet e saldimit.
-Fermerët të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit të pajisjeve për largimin e shpendëve, të cilat mund të shkaktojnë zjarr.
U bëhet thirrje qytetarëve që çdo sjellje të dyshimtë ta raportojnë menjëherë në stacionin më të afërt policor ose në numrin 112.
Raportoni persona që mbajnë lëndë të dyshimta të lëngshme, pishtarë, fishekzjarre të mëdha ose mjete e aktivitete të tjera që mund të shkaktojnë zjarr.
Në kushtet e temperaturave jashtëzakonisht të larta kërkohet kujdes maksimal.
Një shkëndijë mund të shkaktojë një tragjedi të madhe!” – apelojnë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim./Tv Koha/

