Lajme nga rajoni
Kërcënimet e Vuçiqit, Erhard Buhler: Është shumë i zoti për eskalim të situatës, por nuk do të shkonte aq larg sa të sulmonte Kosovën
Ish-komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Buhler ka deklaruar se Kosova është në një situatë të rehatshme në aspektin strategjik dhe se nuk ekziston ndonjë kërcënim real, prandaj sipas tij qytetarët nuk kanë arsye të frikësohen.
Megjithatë, ai theksoi se është shqetësuese lufta hibride e Rusisë në Evropë.
“Ne duhet të jemi të qartë se Rusia po ndërmerr një fushatë të luftës informative kundër Perëndimit, dhe po përpiqet që të destabilizojë shoqëritë tona me anë të dezinformatave, me atë që quhet luftë hibride dhe po përpiqet që të ndikojë edhe të Serbia që të bashkëngjitet në këtë luftë hibride”, deklaroi Buhler për RTK-në.
Duke folur lidhur me sulmin e Banjskës, ish komandanti i KFOR-it tha se ka qenë një sulm terrorist dhe se kur ka parë pamjet nga trajnimet që ky grup kryente në Serbi, i është kujtuar edhe vendi ku janë kryer këto trajnime për sulmin në Banjskë.
Ai thotë se një sulm tjetër terrorist nuk është i mundur pa njohurinë e institucioneve të sigurisë të Serbisë apo edhe të vet regjimit në Beograd.
“Duhet të shohim anën pozitive. Policia e Kosovës është aq mirë e trajnuar që të mund të ballafaqohet edhe me sulme të tilla të mëdha terroriste apo kriminale. Por nëse e shohim atë pamjen e gjerë sa i përket kërcënimit nga Serbia, unë po flisja për situatën e rehatshme strategjike ku Kosova gjendet aktualisht.
Kosova ka forcën e NATO-s, gjashtë mijë ushtarë të KFOR-it brenda saj. Ju mund të argumentoni se mund të mos jenë të mjaftueshëm për të mbrojtur Kosovën në rast të një sulmi më të gjerë, por kur flas për situatën e rehatshme strategjike, nënkuptoj që më së pari ekziston Rezoluta e Këshillit të Sigurimit dhe kjo i jep KFOR-it mandat të qartë për të ofruar ambient të sigurt në Kosovë”, deklaroi Buhler.
Ish komandanti i KFOR-it mes tjerash foli edhe për deklaratat kërcënuese të presidentit serb Aleksandër Vuçiq. Ai tha se është e papranueshme që një shtet evropian ta kërcënojë një shtet tjetër evropian.
“E di që është shumë i zoti me eskalim por nuk do të shkonte aq larg sa ta sulmonte Kosovën më të vërtetë”, deklaroi gjenerali Buhler.
Ndër të tjera, ai theksoi se është i sigurt se e ardhmja e ushtrisë së Kosovës është në NATO.
Lajme nga rajoni
Haxhiu e prerë: Nuk lejojmë gjyqtarë dhe prokurorë nën urdhrat e Serbisë
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu ka thënë se Kosova nuk mund të lejojë që në sistemin e saj të drejtësisë të ketë ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë serbë që u binden urdhrave të Serbisë.
Ajo i bëri thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që ta zbatojë ligjin dhe të veprojë njësoj si Këshilli Prokurorial i Kosovës, duke i dhënë epilog çështjes së dorëheqjeve të ofruara nga gjyqtarët dhe stafi mbështetës i komunitetit serb brenda sistemit gjyqësor të Kosovës.
“Ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët serbë kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë nga Serbia. Pjesa dërrmuese e tyre kanë përfituar mjete financiare nga Serbia. Edhe gjatë kohës sa kanë qenë prokurorë dhe gjyqtarë në Kosovë kanë marrë mjete financiare nga Serbia”, ka thënë ajo.
Haxhiu teksoi se ka raste kur ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë “kanë marrë pjesë në takime të ndryshme në Serbi dhe Kosovë, ku janë diskutuar plane edhe për bllokimin e rrugëve në Kosovë”.
“Mandati i prokurorit dhe i gjyqtarit përfundon me dorëheqje. Ligji nuk parasheh asnjë mekanizëm për rikthimin në të njëjtin mandat. Në linjë me përgjegjësitë e mia, unë sot i bëj thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që ta ndjekë praktikën e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Nuk mund të lejojmë që në sistemin tonë të drejtësisë të kemi gjyqtarë dhe prokurorë që u binden urdhrave të Serbisë. Kush nga partnerët tanë ndërkombëtarë do të lejonte që në shtetet e tyre të kishin prokurorë dhe gjyqtarë që u binden shteteve të tjera? Dyert e institucioneve tona janë të hapura për prokurorë dhe gjyqtarë serbë që nuk ndikohen nga Serbia”, ka shtuar Haxhiu.
Haxhiu: Për shkak të ndërhyrjeve nga Serbia, drejtësia në veri ka dështuar
Haxhiu tha se ndikimi i drejtpërdrejtë i Serbisë te këta individë, ka bërë që drejtësia në veri të dështoj më parë.
“Për shkak të ndërhyrjeve nga Serbia dhe lojalitetit të dëshmuar, në shumë raste administrimi i drejtësisë ka dështuar në të kaluarën në veri. Dhe ka dyshime të bazuara që ato veprime kanë qenë të qëllimshme dhe të instruktuara nga qarqe të lidhura me krimin, por edhe me pushtetin në Serbi”, ka thënë ajo.
Ajo tha se ka dëshmi se një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë kryer aktivitete të dyshimta, duke u angazhuar me punë në shërbim të strukturave ilegale serbe që kanë operuar në Kosovë, me theks të veçantë në veri të vendit.
Lajme nga rajoni
KGJK-ja sot shqyrton tërheqjet e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë
Sot do të mbahet mbledhja e radhës e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në të cilën pritet të shqyrtohen disa çështje me rëndësi për funksionimin e sistemit gjyqësor në vend.
Njëra ndër pikat kryesore të rendit të ditës është shqyrtimi i kërkesës së ushtrueses së detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe i njoftimeve të dorëzuara nga gjyqtarët dhe stafi mbështetës nga komuniteti serb lidhur me tërheqjen e dorëheqjeve të tyre.
U.d. Presidentja Haxhiu, përmes një letre të dërguar më 19 qershor 2026 kryesuesit të KGJK-së, Rrustem Thaqi, kishte kërkuar që Këshilli të trajtojë këtë çështje dhe të marrë një vendim përfundimtar lidhur me statusin e dorëheqjeve të ofruara nga gjyqtarët dhe personeli administrativ i komunitetit serb, të cilët kishin braktisur institucionet e drejtësisë në veri të vendit.
Kërkesa vjen në një kohë kur një numër pjesëtarësh të komunitetit serb kanë shprehur gatishmërinë për t’u rikthyer në institucionet e Kosovës, duke njoftuar për tërheqjen e dorëheqjeve të mëhershme. Vendimi që do të marrë KGJK-ja pritet të ketë ndikim në funksionalizimin e plotë të sistemit gjyqësor, veçanërisht në komunat me shumicë serbe.
Përveç kësaj çështjeje, anëtarët e Këshillit do të shqyrtojnë edhe pika të tjera të parapara në rendin e ditës, ndërsa pritet të zhvillohet edhe procesi i zgjedhjes së zëvendëskryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Lajme nga rajoni
BE-ja i përgjigjet ashpër ministres serbe pas deklaratës për “spastrimin etnik” të Kosovës
Bashkimi Evropian dënoi deklaratën e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, tha se BE-ja nuk komenton deklarata individuale, por theksoi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton ose promovon spastrimin etnik.
“Deklarata të tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, llogaridhënies dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”, tha Hipper duke iu adresuar gazetarëve në Bruksel.
Sipas saj, ato bien ndesh edhe me zotimet që ka marrë Serbia në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Ne presim që të gjithë liderët të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një klime besimi dhe stabiliteti rajonal”, shtoi Hipper.
Paunoviq deklaroi të shtunën për televizionin serb Kurir se, po të ishte në vend të Millosheviqit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën” – deklaratë që nxiti reagime dhe dënime edhe në Kosovë.

