Lajme nga vendi
Fushatat zgjedhore – më të orientuara kundër të tjerëve, sesa në promovim idesh
Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen në prill dhe maj të këtij viti.
Në mungesë të propozimeve konkrete për zgjidhje problemesh, qytetarët e Maqedonisë së Veriut votën e orientojnë kundër një oponenti politik nëpër proceset zgjedhore.
Kështu vlerëson Ida Protuger, dikur gazetare, e cila së fundi punon si trajnere për zhvillim personal.
“Në shoqërinë maqedonase përgjegjësia duhet të ushqehet si vlerë”, ka thënë Protuger për Radion Evropa e Lirë.
Zgjedhjet presidenciale në këtë shtet do të mbahen në dy runde zgjedhore, më 24 prill dhe 8 maj.
Më 8 maj do të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare.
Sipas Ida Protugerit, fushata denigruese bën që dëshira për votë kundër një kandidati të jetë më e fuqishme sesa vota pro ndaj një kandidati tjetër.
“Qytetarët e shohin votën kundër si mundësi për t’i dënuar politikanët nga të cilët nuk kanë arritur të sigurojnë jetë më të mirë”, thekson Protuger.
Besim Nebiu, njohës i çështjeve politike thekson se fushata me qëllim dëmtimin e kundështarëve politikë realizohet kryesisht në rrjetet sociale, dhe menaxhohet nga vetë shtabet zgjedhore.
“Shtabet e partive politike prodhojnë fushatë denigruese ndaj kundërkandidatëve në mënyrë konstante, dhe këto veprime nuk vërehen vetëm nëpër fushata, ato vetëm përforcohen gjatë fushatave. Tani ne mund të shohim se në një hapësirë kohore prej disa muajve kemi fushata denigruese pothuajse nga të gjitha partitë politike”, vlerëson Nehiu, duke shtuar se pret që, gjatë fushatës, partitë politike të kuptojnë se fushata të tilla denigruese për kandidatë tjerë nuk sjellin asnjë dobi.
Sipas tij, kandidatët duhet të fokusohen në prezantim të ofertave dhe jo te kundërshtarët politikë.
Sead Xhigall, komunikolog linguistik, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se partitë politike, në mungesë të ideve, mbeten të robëruar në çështjen e integrimeve evropiane, pavarësisht bllokimit të këtij procesi.
“Duket qartë se edhe përmes sloganeve që kanë zgjedhur, si blloku politik në pushtet, ashtu dhe ai në opozitë, qoftë nga tabori politik maqedonas, apo ai shqiptar, qëllim mbetet mobilizimi i ithtarëve partiakë, dhe jo nxitja e simpatisë tek ajo përqindje e lartë që nuk del fare për të votuar”, ka thënë mes tjerash ai.
Bashkimi Evropian e ka miratuar formalisht nisjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në bllokun evropian, mirëpo ende nuk është bërë përparim në atë drejtim.
Presidenti aktual, Stevo Pendarovski, garon edhe për një mandat me propozim të Lidhjes Social-Demokrate me sloganin “Presidenti ynë Stevo”.
Kandidatja e VMRO DPMNE-së opozitare, Gordana Siljanovska Davkovska garon me sloganin “Maqedonia sërish krenare”, duke theksuar se angazhohet për “pajtim dhe unitet”, si dhe për “aleanca të reja”, pa saktësuar se cilat janë ato.
Kandidati shqiptar, Bujar Osmani nga Fronti Evropian, që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) garon me sloganin “President evropian”.
Arben Taravari, kandidat i koalicionit VLEN, që përbëhet nga katër parti opozitare shqiptare, garon me sloganin “Taravari për president”.
Procesi i integrimeve mbetet në fokus të garës edhe për zgjedhjet parlamentare për partitë në pushtet, Lidhjen Social-Demokrate dhe Bashkimin Demokratik për Integrim.
Opozita maqedonase, në anën tjetër, synon të përçojë porosinë se identiteti kombëtar është më i sigurt me këtë parti.
Lidhja Social-Demokrate garon me sloganin “Nuk ka tërheqje nga e ardhmja”, VMRO DPMNE me sloganin “Maqedonia sërish e jotja – ndryshimet mbeten në duart e tua”, ndërkohë blloku i opozitës shqiptare garon me sloganin “Ndryshimi vlen”.
Bashkimi Demokratik për Integrim përmend të ardhmen e vendit si pjesë të familjes evropiane.
Fushata për zgjedhjet presidenciale ka nisur më 4 prill dhe do të zgjasë deri më 22 prill, kur fillon heshtja parazgjedhore, e cila zgjat deri më 24 prill – ditën e votimit.
Fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare do të nisë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj, kur fillon heshtja zgjedhore, e cila zgjat deri më 8 maj.// REL
Lajme nga vendi
Komuna e Gostivarit: Punojmë në terren për normalizimin e gjendjes së sistemit të ujësjellësit
Komuna e Gostivarit në një njoftim për media informon se Shtabi i Krizës në nivel qendror dhe lokal, si dhe NP „Ujësjellësi dhe Kanalizimi – Shkup“, po punojnë intensivisht në terren për normalizimin e gjendjes së sistemit të ujësjellësit.
“I ftojmë qytetarët që, lidhur me ecurinë e procesit, të informohen vetëm përmes njoftimeve zyrtare të institucioneve kompetente dhe të mos përhapin apo të mos mbështeten në informacione të rreme që qarkullojnë në rrjetet sociale”.
“Për çdo zhvillim të ri, qytetarët do të informohen me kohë, si për analizat dhe rezultatet e cilësisë së ujit, ashtu edhe për gjendjen e sistemit të ujësjellësit”, thonë nga Komuna e Gostivarit.
Lajme nga vendi
Në vendkalimin kufitar “Bogorodicë” pritet deri 15 minuta për dalje nga vendi
Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë njofton se trafiku në vend po zhvillohet pa pengesa dhe në rrugë të thata.
Nga atje njoftojnë se trafiku jashtë mjediseve ubrane po zhvillohet me intensitet të moderuar.
“Në vendkalimin kufitar “Bogorodicë” ka rritje të frekuencës së automjeteve, koha e pritjes për dalje nga vendi është rreth 15 minuta.
Në vendkalmet tjera kufitare nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi”, thonë nga LAMM.
Nga atje u bëjnë thirrje shoferëve që të kenë kujdes me shpejtësinë e automjeteve, veçanërisht nëpër luginat e vendit ku mund të ketë rrëshqitje të dheut.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë me vranësira të lehta deri në mesatare. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga perëndimi dhe veriperëndimi. Pasdite do të ketë jostabilitet lokal me shira të rrëmbyeshëm, bubullima, erëra të forta dhe kushte të mundshme stuhie me breshër.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 14 deri në 22 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë 34 deri në 40 gradë.
Në Shkup, me diell dhe shumë i ngrohtë me vranësira të lehta deri në mesatare. Pasdite në disa pjesë të luginës do të ketë jostabilitet me shira të rrëmbyeshëm, bubullima dhe erëra të forta. Temperatura minimale do të bjerë në 20, ndërsa maksimale do të arrijë 39 gradë.

