Lajme nga vendi
Rikthimi “i madh” i Musës dhe rënia e Artanit!
Pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme brenda strukturave të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe mungesës së debatit të brendshëm, u nxit fraksioni i quajtur “Grupi i Zjarrit”, e cila udhëhiqej nga Izet Mexhiti, Musa Xhaferi, Blerim Bexheti, Nevzat Bejta dhe të tjerët.
Pakënaqësia e udhëheqësve të vjetër të partisë ishte e orientuar tek qeverisja e keqe e funksionerëve të BDI-së, kryesisht ndaj Artan Grubit dhe Bujar Osmanit, të cilën i akuzonin si keqpërdorues të pushtetit dhe përvetësues të interesave të partisë, gjithmonë në kurriz të liderit Ali Ahmeti.
Sa më shumë fryhej në media tensioni politik në BDI, aq më e ashpër bëhej fushata e brendshme partiake. Përderisa nënkryetari i partisë Izet Mexhiti vendosi të ndaj rrugët me BDI-në, grupi tjetër inicues u tërhoq nga ideja e Izet Mexhitit për veprim të ri politik duke zgjedhur rrugën më të lehtë, atë të rikthimit në folenë e vjetër.
Por rikthimi në folenë e vjetër nuk ishte falas, ajo u shpërblye me benefite të shumta në listat e fundit zgjedhore për “ujqërit e vjetër” të partisë, duke u’a rikthyer fuqinë politike dhe vendimarrjen si në mandatet e para qeverisëse të BDI-së.
Paralelisht me rikthimin e benefiteve politike, kushtëzimi dhe hapi tjetër i strukturave të vjetra brenda partisë lidhet me largimin e Artan Grubit nga strukturat udhëheqëse të partisë mënjëherë pas zgjedhjeve parlamentare dhe mos votim të ekzekutivit të ri në rast se ai propozohet në ndonjë prej pozitave ekzekutive në shtet.
Fuqizimi i strukturave të vjetra të partisë dhe anashkalimi i funksionerëve dhe ministrave aktual, ishte porosi e qartë se kryetari Ahmeti i besoi “misionarëve” të partisë e jo “politikanëve” siç i emërtoi Sadulla Duraki strukturat e reja në parti, njëherit bartës listës në zonën e 2-të zgjedhore, në një debat të njohur televiziv.
Kandidimi i mikut të vjetër të Aliut, Musa Xhaferit në zonën e 5-të zgjedhore u cilësua edhe si një rikthim i madh i tij në udhëheqjen e partisë, e i cili ishte ndër zërat më kritik kundër Artan Grubit dhe të tjerëve brenda BDI-së.
A është ky vendim i Ali Ahmetit një porosi për rikthimin strategjik në krye të partisë së gardës së vjetër dhe rrënimi i fuqisë ekzekutive dhe partiake të Artan Grubit?
Lajme nga vendi
VAPA AFRIKANE: A DO TË SHKURTOHEN ORËT MËSIMORE?!
Shkollat duhet t’i respektojnë protokollet për punë gjatë temperaturave tepër të larta, porositi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Rregullat përcaktojnë edhe se kur duhet të hapen apo të mbyllen dritaret dhe cilat aktivitete duhet t’i zhvillojnë nxënësit. Protokollet janë publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), ndërsa u janë dorëzuar edhe të gjitha shkollave. Janevska tha se drejtuesit e shkollave dhe mësimdhënësit duhet ta përshtatin mësimin me kushtet atmosferike.
A do të shkurtohen orët mësimore në ditët kur moti do të jetë shumë i nxehtë, ishte një pyetje e gazetarëve drejtuar Ministres së Arsimit, Vesna Janevska, lidhur me vapën afrikane që ka kapluar vendin edhe në fillim të vitit shkollor dhe sipas paralajmërimeve do të vazhdojë edhe më tej.
Ministrja potencoi se shkollat duhet të veprojnë konform protokolleve për situata të këtilla, duke shtuar se nuk mund t`u ikim ndryshimeve klimatike pasi ato janë të njëjta për të gjithë fëmijët në Evropë dhe në botë.
“Udhëheqësit e shkollave dhe vet mësimdhënësit. Është pjesë e punës së tyre. Të adaptohen konform kushteve. Nëse është nxehtë, nuk do të zhvillojnë edukatë fizike, do të kenë pushim, art figurativ, muzikë, diçka tjetër… Unë nuk dua të ndërhyj në punën e tyre, por ja, kjo mund të jetë një ide. Nëse është më freskët, mund të bëjnë edhe ndonjë ushtrim fizik. Në protokolle përcaktohet kur duhet të hapen dhe kur të mbyllen dritaret, si dhe cilat aktivitete duhet t’i kenë fëmijët. Duhet të përshtatemi me çdo gjë që do të jetë sfidë”
E pyetur nëse në shkolla do të sigurohen kondicionerë për freskim gjatë ditëve të nxehta në fillim dhe në fund të vitit shkollor, ministrja u përgjigj se do të ketë kondicionerë kur si shtet do të jemi në gjendje të sigurojmë kondicionerë në të gjitha shkollat.
Nga ana tjetër, Kryetari i Komunës së Aerodromit, Dejan Miteski, deklaroi se në shkollat e kësaj Komune, orët mësimore do të shkurtohen vetëm nëse aktivizohet “faza e verdhë” për shkak të temperaturave të larta.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 01 Shtator
Dje në orën 11:00 në SPB Tetovë, një 52-vjeçar nga Republika e Kosovës, me banim në Norvegji, ka raportuar se në fshatin Dobrosht të Tetovës i është marrë motoçikleta e tij „BMV“, e cila ishte e parkuar në fshat. Po merren masa për gjetjen e motoçikletës dhe për zbardhjen e rastit.
…….Dje në orën 19:15 në Tetovë, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria personin një 44 vjeçar nga Tetova, duke vepruar sipas raportimit paraprak nga vëllai i tij 46-vjeçar se, pas një debati të shkurtër në shtëpinë familjare, e ka sulmuar fizikisht dhe i ka dëmtuar telefonin celular. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Dje rreth orës 19:50 në SPB Tetovë është raportuar se në Spitalin Klinik në Tetovë, një 24 vjeçar nga fshati Pallatcë i Tetovës, pasi i është kërkuar të kryejë një pagesë për shërbim mjekësor, është sjellë në mënyrë agresive dhe ka thyer xhamin e sportelit të pranimit, me ç’rast ai dhe dy punonjës të tjerë kanë pësuar lëndime. Pas ndërhyrjes së zyrtarëve policorë, ai ka sulmuar fizikisht edhe një zyrtar policor, e më pas, për shkak të seriozitetit të lëndimeve, është transportuar në Kompleksin e Klinikave „Nënë Tereza“ në Shkup për t’iu ofruar ndihmë mjekësore. Është kryer këqyrje e vendit të ngjarjes dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
……Dje në orën 22:00 në rrugën „107“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 24 vjeçar nga Tetova sepse gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij është gjetur dhe konfiskuar marihuanë. Personi është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
……..Dje në orën 22:20 në rrugën „Iliria“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 42-vjeçare nga Velesi, me banim në Tetovë, sepse gjatë kontrollit të ushtruar ndaj saj është gjetur dhe konfiskuar një substancë e bardhë pluhur. Personi është shoqëruar në polici dhe pas dokumentimit të rastit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
Pas mesnate në orën 01:50 në rrugën „107“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë arrestuar një 30-vjeçar nga Tetova, i cili kërkohej me urdhëresë gjyqësore për vuajtjen e dënimit me burg për vepër penale të kryer sipas nenit 130 paragrafi 1 të Kodit Penal. Personi është dërguar në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues Burgu i Tetovës për vuajtjen e dënimit.
Lajme nga vendi
Arlinda Hasani Sinani u zgjodh zëvendësguvernatore e re e Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut votoi Arlinda Hasani Sinanin në pozitën e re të zëvendësguvernatores së Bankës Popullore, pas propozimit të dorëzuar nga kreu i BPM.
Arlinda Hasani Sinani vjen në këtë detyrë të rëndësishme shtetërore me një përvojë të bujshme prej 22 vitesh në sektorin bankar, ku përgjatë karrierës së saj ka ushtruar funksione udhëheqëse në fushën e kreditimit, menaxhimit të rrezikut dhe bankingut afarist.
Ajo ka nisur rrugëtimin e saj profesional si analiste krediti në ProCredit Bank, duke avancuar në pozita të larta drejtuese si drejtoreshë e ekspoziturës, e Qendrës së Biznesit dhe e Sektorit për Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme, ndërsa nga viti 2023 ka mbajtur pozitën e drejtoreshës rajonale për rajonin veriperëndimor në Stopanska Banka SH.A. Shkup.
Ajo është ekonomiste e diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe ka përfshirë në formimin e saj profesional trajnime të specializuara në ProCredit Academy në Frankfurt të Gjermanisë.
Arlinda Hasani Sinani merr zyrtarisht detyrën e re, duke pasuar në këtë post zëvendësguvernatorin e deritanishëm, Fadil Bajrami, mandati i të cilit përfundon më 14 shtator 2026.(INA)

