Lajme nga vendi
Kuvendi i RMV-së përkujton gje’nocidin në Srebrenicë, Gashi: Gjenocidi i para 29 viteve nuk duhet harruar e as nuk guxon të përsëritet
Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut është shënuar Dita e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në fjalimin e tij tha se gjenocidi në Srebrenicë prej para 29 vjetësh është ende i freskët në memorien kolektive.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë fjalimin e Gashit.
Këtë vit u mblodhëm sërish në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për ta shënuar Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë – ngjarja e tmerrshme që na e kujton çdo ditë brishtësinë, por edhe vlerën e paçmueshme të paqes, sundimin e ligjit, bashkëjetesën, demokracinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Sidomos të drejtën themelore të njeriut për jetë, e cila u shkel në mënyrë kriminele në verën e vitit 1995, kur në vetëm disa ditë u shuan mijëra jetë dhe mijëra familje i kaploi zia.
Paqja, sundimi i së drejtës, bashkëjetesa, demokracia dhe respektimi i të drejtave të njeriut janë vlera kruciale që të gjitha shoqëritë e qytetëruara dhe demokratike duhet t’i ruajnë, kultivojnë dhe përmirësojnë në epokën e globalizimit, kur nga rrethi ynë më i afërt, por edhe më i largët, ende vijnë lajme shqetësuese për përplasje ushtarake.
Në emër të deputetëve në Kuvend dhe në emrin tim personal u shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë anëtarëve të familjeve të tyre, qytetarëve dhe institucioneve të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe bashkëqytetarëve tanë boshnjakë.
Gjenocidi në Srebrenicë prej para 29 vjetësh është ende i freskët në memorien kolektive, veçanërisht në mesin e qytetarëve të këtyre hapësirave.
Në korrik të vitit 1995, për vetëm disa ditë, u vranë më shumë se tetë mijë boshnjakë, nga mosha gjashtë mujore deri në 90 vjeç, në një nga krimet më të mëdha në territorin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore. Mijëra familje mbetën pa djem, baballarë, vëllezër, motra, nëna… Me qindra mbiemra të njëjtë apo të ngjashëm të shkruar në pllakat e mermerit në Potoçari janë dëshmitarë të heshtur të ekzekutimit të brezave të tërë në një familje.
Me mijëra nëna nga Srebrenica, pas luftës, u kthyen në shtëpitë e tyre të zbrazëta dhe të shkatërruara, për të qenë pranë varreve të të afërmve të tyre, ndërsa mijëra viktima të gjenocidit ende po gjurmohen nëpër varreza masive dytësore apo terciare në zona të ndryshme të atij rajoni.
Kjo është arsyeja pse ne nuk duhet që t’i shmangemi asaj që ta quajmë këtë akt tragjik të gjakderdhjes masive me emrin e vërtetë – gjenocid. Dhe gjenocidi nuk është një ngjarje që ndodh spontanisht dhe që ndodh vetvetiu. Ai ka autor, është një aksion i planifikuar dhe i organizuar, me qëllim të shfarosjes dhe shkatërrimit të tjetrit, në këtë rast të boshnjakëve nga Bosnja dhe Hercegovina.
Kjo ishte arsyeja që Maqedonia e Veriut, së bashku me shumicën e vendeve të organizatës botërore, para do kohe e mbështeti Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me të cilën dënohet mohimi i gjenocidit dhe glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe me të cilën shpallet 11 Korriku si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
Kjo Rezolutë, siç theksuan propozuesit e saj, nuk është e drejtuar kundër askujt në veçanti, por u referohet vetëm autorëve të gjenocidit, të cilët gjithsesi janë të njohur përgjithësisht, kurse për disa tashmë janë ekzekutuar aktgjykime ndërkombëtare për krime lufte.
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut çdo vit e shënon Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit nga viti 1995, pasi në vitin 2010, me Deklaratë, u mbështet Rezoluta e Parlamentit Evropian për Srebrenicën.
Kjo është mënyra jonë për shprehje të respektit për jetët e humbura në mënyrë të dhunshme, ngushëllime ndaj të afërmve të tyre dhe katarsis i njerëzores në të gjithë ne si individë, si shoqëri dhe si shtete.
Kjo është mënyra jonë për t’i dërguar porosi botës se marrëdhëniet ndërmjet shteteve duhet të ndërtohen në bazë të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit paqësor. Se pajtimi, paqja e qëndrueshme mes popujve, stabiliteti dhe prosperiteti në rajon janë parakusht për vazhdimin e proceseve integruese, të udhëhequra nga normat e së drejtës ndërkombëtare dhe parimet e drejtësisë dhe barazisë ndërmjet qytetarëve, pavarësisht përkatësisë fetare apo etnike.
Ne duhet t’u dërgojmë porosi fëmijëve tanë, gjeneratave të ardhshme, se ata duhet t’i respektojnë diversitetet dhe ta kundërshtojnë urrejtjen, paragjykimet dhe stereotipet. Andaj-gjenocidi si në Srebrenicë nuk guxon të harrohet, por edhe nuk guxon të lejohet të përsëritet.
Lajme nga vendi
Arrestohen dy persona në Shkup, mbuluan targat për të shmangur sistemin “Safe City”
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut njofton se dy persona nga Shkupi janë privuar nga liria nën dyshimin për kryerje të veprave penale lidhur me fshehjen e targave të regjistrimit të automjeteve të tyre, me qëllim shmangien e evidentimit nga sistemi “Safe City”.
Sipas MPB-së, më 13 dhe 14 shkurt 2026, në periudhën nga ora 19:00 deri në 03:00, në zonën e Qendrës dhe Bit Pazarit në Shkup, nëpunës policorë nga SPB Shkup kanë realizuar aksion kontrollues të përforcuar për ruajtjen e sigurisë në zonën qendrore të qytetit.
Gjatë aksionit janë verifikuar identitetet e 24 personave, janë kontrolluar 17 persona dhe katër automjete, ndërsa janë evidentuar shtatë kundërvajtje në trafik. Dy automjete janë konfiskuar në përputhje me nenet 378 dhe 380 të Kodit Penal.
Në kuadër të këtij aksioni janë arrestuar dy persona me inicialet S.S. dhe M.A., të cilët drejtonin automjete të tipit “Mercedes” me targa të Shkupit. Sipas policisë, ekziston dyshim i bazuar se ata kanë kryer vepra penale sipas neneve 378 dhe 380 të Kodit Penal. Gjithashtu, është konstatuar edhe një kundërvajtje sipas nenit 80 të Ligjit për Armë.
MPB njofton se gjatë kontrollit janë ndërmarrë edhe masa parandaluese me patrullime të vazhdueshme në parkun në territorin e Kapishtecit, pranë një objekti hotelierik në bulevardin “Arradhat Partizane”, si dhe pranë fushës sportive “Dërveni Grad”, për shkak të grumbullimeve të përditshme të personave të mitur.
Nga MPB theksojnë se aksionet e përforcuara do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Lajme nga vendi
Ligji për mbrojtje nga duhani me shumë gjasë do të shtihet nuk do të fillojë nga 1 marsi
Ligji për mbrojtje nga duhani me shumë gjasë nuk do të fillojë nga 1 marsi siç qëndron në zgjidhjen e propozuar ligjore. Ai do të përpunohet dhe miratohet sa më shpejt që të jetë e mundur, por zbatimi do të jetë në faza, fillimisht edukim, vërejtje e vetëm më pas gjoba. Po vlerësohet sa kohë do të zgjasin fazat. Këtë në emisionin Biznes 21 e konfirmoi këshilltari shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë, Nikolla Gërbçevski, i cili tha se ende po vazhdojnë bisedimet me palët e prekura.
“Nuk do ta quaja tërheqje, do ta quaja implementim fazor në kuptimin që në dialog me opinionin dhe në dialog me komunitetin e biznesit vendosëm të shkojmë me implementim të butë. Implementim që do të thotë në fillim vërejtje, edukim..
-Sa do të zgjasin fazat?
-Edhe kjo është pjesë e kësaj faze të harmonizimit. A do të jenë 6 muaj, a do të jenë 8 muaj, a do të jenë 3 muaj, nuk mund t’ju them, por kjo do të varet si do të vendosë grupi operativ i punës”, u shpreh Nikolla Gërbaçevski – këshilltar shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë.
Gastronomët e mbështesin ligjin, por kanë kërkuar nga Qeveria që zbatimi të zgjasë 3 vite, e vetëm pastaj të ketë ndëshkime. Sipas tyre, nëse zbatimi nis menjëherë, do ta godasë biznesin dhe do të ketë mbyllje objektesh dhe largim të punëtorëve. Thonë se ligji është një nga më rigorozët dhe është bërë sipas shembullit të Spanjës, Sllovenisë ku 15-18 për qind e popullsisë janë duhanpirës, për dallim nga tek ne ku janë 60 deri 65 për qind.
“Propozuam një model prej tre vitesh, përkatësisht në vitin e parë, në 12 muajt e parë të kemi fushatë informuese edhe për gastronomët edhe për qytetarët. Në fazën e dytë, siç thamë nga 12 deri në 36 muaj, themi ndalim i rreptë në hapësira të mbyllura, konsumimi i të gjitha produkteve me duhan. Zona të lejuara, qartë të definuara të jashtme për duhanpirje. Faza e tretë dihet, aty është zbatimi i plotë mbi bazë të analizave të bëra më parë. Këtu më nuk ka tolerancë për askënd. Kjo është pas tre vitesh, ku fjalë për fjalë do të sanksionohen edhe objektet edhe personat fizikë”, tha Perica Golomeiq – Oda Turistike e Gastronomike pranë LOE.
Ekspertët me qëndrim se propozim-ligji kërkon përpunim serioz. Thonë se me një zgjidhje të tillë përveç gastronomëve do të pësojnë edhe kompanitë që prodhojnë dhe shesin produkte të duhanit, por edhe buxheti i shtetit. Reagojnë se nuk mund të marrim ligj “shabllon” nga Sllovenia, vend që kurrë nuk ka prodhuar duhan në historinë e tij, e as nuk ka fabrikë për cigare.
“Ky propozim-ligj kërkon përpunim serioz sipas meje. Do të thotë nuk duhet të miratohet derisa të punohet siç duhet. Unë e respektoj mendimin nga gastronomia, oda, fazor po, megjithatë duhet edhe të përpunohet ligji. Në këtë ligj nuk ka as dispozita kalimtare as përfundimtare se kush nga kur vlen. Ne kemi në stok shumë produkte të duhanit, të cilat sipas tyre tani duhet të mos shiten. Çfarë do të bëjmë me ato produkte?!”, u shpreh Zlatko Arsov – profesor në Fakultetin e Shkencave Bujqësore dhe Ushqimit.
Me propozim-ligjin e ri ndalohet pirja e çdo lloji cigaresh, jo vetëm klasiket por edhe cigaret elektronike, pajisjet “vejp” në të gjitha objektet e mbyllura gastronomike, firma, në dhe para institucioneve publike, shkolla, kopshte, stacione autobusësh dhe hekurudhore, tregje, objekte kulturore dhe sportive, stacione autobusësh. Nuk lejohet të pihet cigare as në veturë nëse ka fëmijë. Gjobat për qytetarët lëvizin nga 150-300 euro, ndërsa për firmat deri në 5.000 euro.
Lajme nga vendi
Tetovë: Policia aksion në bastore dhe kazino të cilat gjenden pranë shkollave, hasen të mitur
Më 13 shkurt 2026, zyrtarët policorë të SPB Tetovë kanë realizuar një kontroll aksion në bastoret sportive dhe kazinotë që ndodhen pranë shkollave, me qëllim parandalimin e pranisë së të miturve në këto objekte. Gjatë kontrolleve në rrugët “Bllagoja Toska” dhe “Ilinden”, policia ka hasur dy të mitur, njërin nga fshati Odri dhe tjetrin nga fshati Pallaticë. Të miturit janë shoqëruar dhe më pas u janë dorëzuar prindërve të tyre, ndërkohë që kontrolle të tilla paralajmërohet se do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim për të garantuar respektimin e ligjit.

