Lajme nga vendi
Konventa BE-RMV: Policisë së Maqedonisë i duhet llogaridhënie, transparencë dhe integritet
Ministria e Brendshme të ndjekë përpjekjet aktuale të Bashkimit Evropian për të forcuar mekanizmat për veprim policor me integritet, duke garantuar transparencë për operacionet e saj në komunitet. Supozimi fillestar për zhvillimin e integritetit policor është mbrojtja e procedurës për pranimin e punonjësve të rinj të policisë, e cila do të garantojë që kandidatët më të mirë të lidhin kontratë pune në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Testi i integritetit është një mjet i mirë që mund të japë rezultatet e pritura në periudhën e ardhshme, por është e nevojshme të monitorohet dhe përmirësohet aplikimi i tij dhe të vlerësohet nëse zgjidhja ekzistuese i plotëson nevojat për të cilat u fut testi. Këto janë një pjesë e pjesë e propozim-rekomandimeve që u diskutuan në kuadër të Konventës Nacionale për BE në RMV-së me temë “Përmes profesionalizmit dhe integritetit deri te transparenca dhe llogaridhënia në punën e policisë”, transmeton Portalb.mk.
“Për të siguruar transparencë më të madhe në punën e policisë, Ministria e Punëve të Brendshme duhet të inicohet një diskutim ekspertizë për efektivitetin e instrumenteve ekzistuese për mbledhjen, përditësimin, menaxhimin dhe zbatimin e ankesave nga qytetarët, me përfshirjen e përfaqësuesve të institucioneve kompetente, organet ndërkombëtare të policisë (OSBE, KiE, ISITAP) dhe sektori civil. Praktika e mirë evropiane mund të përmirësojë besimin ndërmjet policisë dhe qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në rekomandimet e propozuara.
Mileva Gjurovska, koordinatore nacionale e NKEU-MK dhe kryetare e Lëvizjes Evropiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në fjalën e saj hapëse theksoi se kapitulli 24 është i rëndësishëm sepse është një fushë nga e cila buron sovraniteti shtetëror dhe mbi të cilën mbështeten themelet për funksionimin e institucioneve dhe mbrojtjen e interesave publike.
“Ka një stuhi të tërë rekomandimesh që vijnë nga palë të ndryshme (BE, organizata ndërkombëtare, shoqata civile dhe të tjera). Shumë prej tyre përsëriten, gjë që tregon se procesi i reformave është i ngadalshëm dhe se vendimmarrësit po bëhen të pandjeshëm, madje edhe ndaj rekomandimeve të BE-së. Kjo veçanërisht vlen për rekomandimet që kanë të bëjnë me parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit”, theksoi Gjurovska.P
Pofesori i Fakultetit të Sigurisë në Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit”- Manastir Trpe Stojanovski, beson se pritjet themelore nga policia në një shoqëri demokratike janë që ajo të zbatojë ligjin me mbështetjen e qytetarëve. Duke folur për procesin e skriningut, profesor Stojanovski tha se një nga rekomandimet është se në vendin tonë ka zgjidhje të mira ligjore, por mungon zbatimi konkret i atyre zgjidhjeve.
“Policia vazhdon të gëzojë besim të lartë në krahasim me institucionet tjera, por ka hapësirë për përparim të mëtutjeshëm”, theksoi Stojanovski.
Berener Malme, Këshilltar i Lartë nga Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional, foli për rëndësinë e transparencës, llogaridhënies dhe integritetit të policisë. Malme, i cili ka punuar në reformat policore në Ballkanin Perëndimor gjatë dhjetë viteve të fundit, theksoi se ndikimi politik në vendimmarrjen operacionale, si dhe ndikimi politik në lidhje me hetimet, është i papranueshëm.
Prokurori publik në Prokurorinë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut Naum Panoski foli për departamentin e posaçëm të sapoformuar për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Panoski nënvizoi se qytetarët tashmë po guxojnë dhe më shumë krime që kanë të bëjnë me operacionet policore i raportojnë në prokurori.
“Bashkëpunimi me Ministrinë e Brendshme është në nivel solid. Si shtet dhe si Prokurori Publike deri më tani është arritur progres solid, si progres sistematik dhe legjislativ në krahasim me periudhën para ekzistimit të këtij departamenti”, theksoi Panoski.
Mikael Koskeniemi, menaxher i projektit në një projekt të mbështetur nga Mbretëria e Suedisë “Puna policore në komunitet në Maqedoninë e Veriut” tha se policia demokratike duhet të bazohet në katër shtylla, të cilat përfshijnë: respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, llogaridhënien e policisë, llogaridhënien ndaj kontrollorëve të jashtëm ( Ombudsman , Prokuroria Publike etj.) dhe policia të jetë në shërbim të grupeve individuale. Sipas tij, është e nevojshme krijimi i mekanizmave të fuqishëm të llogaridhënies, si dhe një partneritet i fortë me organizatat e komunitetit.
Nikolla Dujovski, dekan i Fakultetit të Sigurisë në Universitetin “Shën Kliment Ohrit”-Manastir theksoi se shteti është në fazën fillestare të ndërtimit të integritetit policor. Duke folur për punën e policisë, Dujovski po ashtu theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme ka dështuar më së shumti në fushën e prokurimit publik, duke përmendur si shembull se nga 100 prokurime, 97 janë përsëritur.
“Duhet të punohet ende në depolitizimin dhe departamentizimin e policisë”,tha Dujovski.
Sipas tij, ka nevojë dëshpëruese për më shumë policë, pasi nuk ka interesim të mjaftueshëm për shërbimin policor.
Mark Dikson, kreu i Departamentit të Sigurisë Publike dhe Komunitetit në OSBE theksoi se ka nevojë për mbikëqyrje policore, veçanërisht mbikëqyrje civile.
“Ekziston një nevojë e madhe për të ndarë pushtetin ekzekutiv nga puna e policisë. Nëse kjo bëhet, do të bëhen hapa të fortë përpara”, nënvizoi Dikson.
Frosina Krushkarovska, hulumtuese në “Eurothink” prezantoi gjetjet e projektit “Përmirësimi i transparencës dhe llogaridhënies së policisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, duke theksuar se trendi i përgjithshëm i besimit të qytetarëve në të gjitha institucionet është në rënie, edhe pse ka një trend të rritjes së besimit te qytetarët tek policia krahasuar me vitet e kaluara.
Lajme nga vendi
Pas shkumës së bardhë në lumin Vardar, analizat paraprake brenda normave, priten rezultatet përfundimtare
Shkuma e bardhë u shfaq më 24 korrik, ndërsa Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor, në koordinim me institucionet kompetente, ndërmori inspektime të jashtëzakonshme në terren dhe analiza laboratorike për të përcaktuar shkakun e rastit.
Sipas Inspektoratit, gjatë kontrolleve të kryera te subjektet industriale në zonën që janë nën kompetencë shtetërore nuk janë konstatuar parregullsi ligjore. Autoritetet bëjnë të ditur se subjektet kanë vepruar në përputhje me kushtet e përcaktuara në lejet ekologjike për menaxhimin e ujërave të ndotura.
Institucioni thekson se cilësia e ujit në këtë pjesë të Vardarit ndikohet nga faktorë të shumtë, përfshirë ujërat komunale dhe atmosferike, si dhe aktiviteti i një numri të madh subjektesh afariste në zonën përreth, prandaj të gjitha institucionet kompetente po veprojnë në mënyrë të koordinuar.
Raporti paraprak i Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup, i dorëzuar më 29 korrik në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, konstaton se parametrat fiziko-kimikë të analizuar nuk i tejkalojnë vlerat kufitare të lejuara.
Njëkohësisht, me kërkesë të Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin Jetësor, mostra janë analizuar edhe nga një laborator i akredituar. Raporti përfundimtar pritet t’i dorëzohet Inspektoratit dhe Ministrisë më 4 gusht, pas së cilës institucionet kanë paralajmëruar se do ta informojnë opinionin për rezultatet përfundimtare.
Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor bëri të ditur se do të vazhdojë me inspektime të rregullta dhe të jashtëzakonshme për të siguruar mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe shëndetit të qytetarëve.
Ndryshe, në lumin Lepenc, i cili e furnizon Lumin Vardar, u shfaq një vëllim i madh i shkumës së bardhë në rrjedhjen e tij në Shkup. Shkuma u raportua si ndotje e madhe e lumit, lum i cili në Karposh bashkohet me Vardarin. Rasti ishte raportuar në orën 14:10./portalb.mk/
Lajme nga vendi
Dyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
Një fëmijë dyvjeçar nga Kumanova është helmuar pasi ka konsumuar një mjet për tretjen e ngjyrës, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas policisë, rasti është raportuar dje rreth orës 14:00, kur Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës ka njoftuar SPB Kumanovë se tek ta ishte sjellë për trajtim një fëmijë dyvjeçar nga Kumanova me shenja helmimi.
Pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore, fëmija është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nëna Terezë” në Shkup për trajtim të mëtejshëm.
Nga SPB Kumanovë bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Ky nuk është rasti i parë i helmimit të fëmijëve në rajonin e Kumanovës. Gjatë vitit të kaluar u regjistruan disa raste të ngjashme, ku fëmijë të moshave të ndryshme u helmuan pasi konsumuan mjete për pastrim, dezinfektues ose tableta të lëna në vende të arritshme për ta.
Autoritetet shëndetësore dhe institucionet kompetente apelojnë që produktet kimike, barnat dhe substancat e rrezikshme të ruhen gjithmonë jashtë mundësisë së fëmijëve, për të parandaluar raste të tilla.
Lajme nga vendi
KUJDES MAKSIMAL NGA ZJARRET: NJË SHKËNDIJË MUND TË SHKAKTOJË TRAGJEDI!
Gjatë muajit korrik, mesatarisht janë regjistruar rreth 15 zjarre në hapësira të hapura në ditë. Falë ndërhyrjeve të shpejta të zjarrfikësve dhe mbështetjes nga mjetet ajrore të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), të gjitha zjarret janë vënë me sukses nën kontroll dhe janë shuar. Reshjet e shiut gjatë periudhës së kaluar ndikuan në uljen e numrit të zjarreve dhe ngadalësuan përhapjen e tyre, njoftojnë nga DMSH-ja. Megjithatë, periudha me reshje ka përfunduar. Mjafton vetëm një shkëndijë! – thonë autoritetet.
Zjarri në Leshnicë të Tetovës është lokalizuar –thuhet në njoftimin në Facebook të Komandantit të Zjarrfikësve të Tetovës, Avni Ameti, I cili thotë se në koordinim të plotë me të gjitha institucionet përgjegjëse, në terren intervenuan dy avionë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe ekipet e zjarrfikësve të Tetovës, të cilat punuan pa ndërprerje dhe me përkushtim maksimal.
“U bëj apel të gjithë qytetarëve që gjatë ditëve në vijim të tregojnë kujdes maksimal, të mos ndezin zjarr në ambiente të hapura dhe të raportojnë menjëherë çdo tym apo vatër zjarri në numrin emergjent 112” – thotë Avni Ameti.
Por, jo vetëm kaq!
Sipas tij, pas çdo zjarri që shuhet, fshihet një histori sakrifice, guximi dhe përkushtimi.
Zjarrfikësit përballen çdo ditë me rrezikun për të mbrojtur jetën, familjet dhe pronën e qytetarëve. Nuk është thjesht një profesion – është një mision që kërkon zemër, disiplinë dhe vendosmëri.
Shumica e zjarreve shkaktohen pa qëllim. Qytetarët zakonisht nuk synojnë të shkaktojnë zjarr, por një pakujdesi e vetme mund të ketë pasoja të rënda.
Prandaj bëhet thirrje që të mos hidhen bishta cigaresh në hapësira të hapura, veçanërisht nga automjetet në lëvizje.
-Mos ndizni zjarr apo skara në pyje dhe në vende me bimësi të thatë.
-Pastroni barin e tharë dhe shkurret rreth shtëpive dhe uikend-shtëpizave -dhe krijoni një brez mbrojtës.
-Mos digjni kashtën dhe kullotat. –
-Tregoni kujdes gjatë përdorimit të veglave që krijojnë shkëndija, si gurët prerës dhe aparatet e saldimit.
-Fermerët të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit të pajisjeve për largimin e shpendëve, të cilat mund të shkaktojnë zjarr.
U bëhet thirrje qytetarëve që çdo sjellje të dyshimtë ta raportojnë menjëherë në stacionin më të afërt policor ose në numrin 112.
Raportoni persona që mbajnë lëndë të dyshimta të lëngshme, pishtarë, fishekzjarre të mëdha ose mjete e aktivitete të tjera që mund të shkaktojnë zjarr.
Në kushtet e temperaturave jashtëzakonisht të larta kërkohet kujdes maksimal.
Një shkëndijë mund të shkaktojë një tragjedi të madhe!” – apelojnë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim./Tv Koha/

