Lajme nga vendi
Ligji i lojërave të fatit/ Qeveria obligon Ministrinë e Financave të bëjë interpretim autentik të nenit 7
Qeveria ka obliguar Ministrinë e Financave të bëjë interpretim autentik të nenit 7 në Ligjin e Lojërave të fatit.
Dispozita i referohet vendimit të Qeverisë i marrë në qershor të vitit kaluar kur u licencuan tre shoqata të reja tregtare të cilat do të kishin të drejtën e organizimit të lojërave të fatit dhe lojërave online, veprim ky që sipas Qeverisë bie ndesh me nenin 7 të Ligjit për Lojërat e Fatit, dispozitat që rregullojnë organizimin dhe kontrollin e lojërave të fatit nga ana e Lotarisë Shtetërore.
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska-Koçovska kërkoi hapësirë që interpretimi të bëhet ashtu siç duhet.
“Bëhet fjalë për Nenin 7 të ligjit, por na leni hapësirë ta interpretojmë nenin. Bëhet fjalë diçka tjetër. Nuk ndërlidhet aspak me bastoret apo diçka të ngjashme. Neni 7 i referohet si dhe sa shoqëri aksionare mund të hapen për online kazinotë”, tha Gordana Dimitrieska-Koçoska, Ministre e Financave.
Ligji obligon krijimin e vetëm një shoqate tregtare ndaj së cilës shteti, përkatësisht Lotaria Shtetërore është dominuese në pronësi aksionare prej 51 për qind.
“Lojërat e fatit të lotarisë, përveç shortit të mbyllur, i organizon Republika e Maqedonisë në mënyrë të pavarur duke themeluar shoqëri tregtare për organizimin e lojërave të fatit në të cilën Republika e Maqedonisë është ortak ose aksionar me së paku 51% kapitalin aksionar”, thuhet në Ligjin për Lojërat e Fatit dhe Lojërat Argëtuese, Neni 7, paragrafi 2
Ndërkohë sipas ligjit aktual në fuqi, paragrafi 3 bie në kundërshtim me paragrafin 2. Dispozita pasuese mundëson organizimin nga ana e shoqërisë aksionare vetë ose së bashku me organizator por pa i obliguar të tjerët të jenë nën njërën shoqëri tregtare, pasi neni 3 i mundëson fjalinë “pavarësisht nga forma e bashkimit”.
“Lojërat e fatit elektronike dhe të internetit i organizon shoqëria tregtare nga paragrafi i këtij neni, vetëm ose së bashku me organizatorët e tjerë, dhe pavarësisht nga forma e bashkimit, kjo shoqëri tregtare duhet të ketë së paku 51% pjesëmarrje në kapitalin dhe në të drejtën e vendimit në shoqatë”, thuhet tutje në Ligji për Lojërat e Fatit dhe Lojërat Argëtuese, Neni 7, paragrafi 2.
Ligji rregullon dhënien e jo më shumë se një licence dhe kjo parashikohet në paragrafin 5 të nenit 7 i cili sanksionon bartjen e licencës nga njëra në shoqërinë tjetër tregtare apo tregtari individual, por paragrafi 4 mundëson një veprim të tillë pasi dispozita i referohet “lojërave të tjera të fatit me dhënien e licencë që mund t’ia bart shoqërive tregtare.
“Republika e Maqedonisë të drejtën për organizimin e lojërave të tjera të fatit dhe lojërave zbavitëse të përcaktuara me këtë ligj, përfshirë edhe lotaritë e tipit të mbyllur, me dhënien e licencës, përkatësisht të lejes, ua bart shoqërive tregtare, gjegjësisht tregtarëve individual. , të cilët plotësojnë kushtet e përcaktuara me këtë ligj”, thuhet në Ligji për Lojërat e Fatit dhe Lojërat Argëtuese, Neni 7, paragrafi 2.
Abrogimi i këtyre dispozitave ose ndryshimi dhe plotësimi i nenit 7 në përputhje me kriteret e përcaktuara nga paragrafi 1 dhe 5 që ky i fundit i referohet pamundësisë për bartjen e licencave, do të shkohet në drejtim të mbylljes së disa organizatorëve për lojërat e fatit online të cilat funksionojnë aktualisht.
Në dhjetor të vitit 2023 dhe janar të vitit 2024 ishin licencuar me vendim të Qeverisë edhe tre kompani, përkatësisht organizator të lojërave të fatit dhe lojërave të fatit online. Lotaria Shtetërore – MOZZART e Themeluar janar 2024 me adresë në Beograd, drejtues Dushan Simoviq.
Lotaria Shtetërore – VEZUV e themeluar Janar 2024 me adresë në Shkupi dhe drejtues Tihomir Fidanoski dhe Lotaria Shtetërore – 77 BITS e themeluar Dhjetor 2023 më adresë në Manastir dhe drejtues Marina Milloshevskan. Ekspansionimi i industrisë u parapa edhe në shkurt të këtij viti me ligjin e ri të propozuar aso kohë nga Fatmir Besimi që në procedurë u dorëzua me flamurin e BE-së, por që pas leximit të dytë nuk u dekretua nga ish presidenti Stevo Pendarovski e që shumica e kaluar nuk pati mbështetjen e duhur për votimin në lexim të tretë më 14 mars pasi i njëjti nuk u mbështet nga deputetët e LSDM-së. / Alsat.mk
Lajme nga vendi
ÇFARË DO TË THOTË SHPALLJA E GJENDJES SË KRIZËS NË GOSTIVAR ?
Qeveria ka shpallur gjendje krize 30-ditore në Komunën e Gostivarit më 21 korrik 2026, pasi vetëqeverisja lokale nuk ka kapacitet të përballet në mënyrë të pavarur me ndotjen serioze të ujit të pijshëm dhe përhapjen e epidemisë në qytet.
Çfarë do të thotë shpallja e gjendjes së krizës?
Gjendja e krizës shpallet kur ekzistojnë rreziqe që kërcënojnë seriozisht të mirat materialo-teknike, shëndetin dhe jetën e njerëzve, kurse parandalimi i tyre kërkon volum më të madh të burimeve dhe menaxhim të centralizuar. Në rastin e Gostivarit, ky vendim nënkupton:
-Marrja e kontrollit: Qeveria qendrore merr përgjegjësinë për menaxhimin e krizës, pasi ndërmarrjet lokale dështuan në sanimin e situatës.
-Mobilizimi maksimal: Të gjitha institucionet shtetërore, ndërmarrjet publike dhe burimet në dispozicion vihen në funksion të zgjidhjes së problemit me furnizimin me ujë.
-Aktivizimi i QMK-së: Aktivizohet Shtabi Kryesor pranë Qendrës për Menaxhim me Kriza, i cili mblidhet vazhdimisht dhe koordinon të gjitha aktivitetet në terren.
Cilat masa po ndërmerren në Gostivar?
Qëllimi i gjendjes së shpallur të krizës është vënia urgjente në funksion e një sistemi të sigurt të furnizimit me ujë përmes këtyre masave:
-Sanim urgjent: Inxhinierët dhe ekspertët shtetërorë marrin menjëherë përsipër pastrimin, dezinfektimin dhe aftësimin e ujësjellësit të qytetit.
-Sigurimi i ujit alternativ: Vazhdon shpërndarja urgjente e 50.000 litrave ujë të pijshëm falas në ditë përmes pikave të posaçme për qytetarët.
-Inspektime dhe hetime të rrepta: Inspektoratet shtetërore kryejnë kontrolle të jashtëzakonshme në punën e ndërmarrjes lokale, ndërsa Prokuroria Publike po zhvillon një hetim të detajuar për të përcaktuar përgjegjësinë penale për rrezikimin e shëndetit të qytetarëve.
-Angazhimi i burimeve: Nëse lind nevoja, shteti mund të angazhojë edhe burimet e Direksionit për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) dhe të Armatës.
Kur shpallet ligjërisht gjendja e krizës?
Sipas Ligjit për Menaxhim me Kriza, Qeveria me propozim të Komitetit Drejtues e merr këtë vendim kur plotësohen kushtet e mëposhtme:
-Intensitet i lartë i rrezikut: Kur ka rrezik akut për shëndetin (epidemi, burime të helmuara), katastrofa natyrore (zjarre, përmbytje) ose kërcënime të sigurisë.
-Ezaurimi i burimeve lokale: Kur organet e vetëqeverisjes lokale (komuna dhe shtabi i krizës i qytetit) nuk kanë kapacitet, makineri ose financa të mjaftueshme për të lokalizuar dëmin vetë.
-Nevoja për procedura të shpejta administrative: Mundëson furnizimin urgjent me materiale (klor, filtra, gypa) pa procedura të gjata dhe të ndërlikuara burokratike apo tendera, me qëllim që të parandalohen pasojat e mëtejshme.
-Gjendja e krizës në një rajon mund të zgjasë më së shumti 30 ditë, ndërsa nëse ka nevojë për zgjatjen e saj, Qeveria duhet të kërkojë miratimin e Kuvendit.
Lajme nga vendi
QEVERIA SHPALL GJENDJE KRIZE 30-DITORE NË KOMUNËN E GOSTIVARIT
Në mbledhjen e sotme të 195-të, Qeveria, me propozim të Komitetit Drejtues, të përbërë nga ministri i Mbrojtjes Vlado Misajllovski, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski, ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski dhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim Stojançe Angellov, si dhe anëtarët e jashtëm – ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Muhamed Hoxha, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Borçe Serafimovski, drejtori i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta Ivica Tomovski, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Marija Andonovska, drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari Oliver Milanov, drejtoresha e Inspektoratit të Mjedisit Jetësor Ivana Ginovska dhe kryetari i BNJVL-së dhe njëherësh kryetar i Qytetit të Shkupit Orce Gjorgjievski, mori vendim për shpalljen e gjendjes së krizës në Komunën e Gostivarit për një periudhë prej 30 ditësh.
Duke qenë se vetëqeverisja lokale nuk është në gjendje të përballet me situatën e krijuar në Komunën e Gostivarit, sic thuhet në komunikatë, Qeveria mori këtë vendim me qëllim të koordinimit më të shpejtë të institucioneve, rikthimit në funksion të sistemit të furnizimit me ujë dhe sigurimit të ujit të pijshëm për qytetarët në afatin sa më të shkurtër.
Shëndeti i qytetarëve të Komunës së Gostivarit mbetet prioritet i Qeverisë dhe institucionet janë të përkushtuara për zgjidhjen e plotë të këtij problemi – thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Njëkohësisht, Qeveria pret që Prokuroria Publike të zhvillojë një hetim të detajuar dhe ta zbardhë plotësisht rastin, duke theksuar se duhet të ketë përgjegjësi për secilin që ka rrezikuar shëndetin dhe jetën e qytetarëve të Gostivarit.
Lajme nga vendi
“TETOVA N`FESTË”: TETOVA FESTOI ME FËMIJËT!
Në kuadër të manifestimit “Tetova n’Festë”, mbrëmë fëmijët por edhe shumë qytetarë të rajonit të Tetovës dhe jo vetëm, patën mundësinë të shijojnë një mbrëmje të veçantë me SHKA “Xheladin Zeqiri”, maskota të dashura dhe shumë lojëra argëtuese, ku kaluan çaste të bukura plot buzëqeshje, argëtim dhe atmosferë festive në zemër të Tetovës.
Mbrëmja u organizua nga Komuna e Tetovës kurse organizatorët e kësaj mbrëmjeje ishin Elez Mema dhe Albin Ajredini, të cilët me shumë përkushtim kishin bërë të mundur realizimin e këtij aktiviteti.
Valle e Shqipërisë së Mesme nga Grupi i fëmijëve, këngë për fëmijë, SH.K.A “Xheladin zeqiri” Vallja “Kongresi i Manastirit” dhe “14 Marsi”, këngët “Tetova qyteti im”, “Kitara ime”, “Fjalët e Qiririt”, “Ndalu Vlla ta Puthi Pushkën”, Xhamadani Kuq si Gjaku” si dhe Koreodrama “ Kur dasma u be luft e lufta Liri” nga Grupi i vajzave entuziazmuan publikun dhe fëmijtë e pranishëm në Sheshin e Tetovës.
Kjo natë e bukur u përmbyll me interpretimin e fundit nga Adea Munishi me këngën “Lulkuqja e Gjakovës” ku të gjithë fëmijët u bashkuan në skenë dhe kënduan së bashku.
Mbrëmë skena u takoi fëmijëve. Ata na dhuruan këngë, valle dhe emocione të bukura, një mbrëmjen e mbushur me emocione, buzëqeshje dhe shumë talent, duke dëshmuar se fëmijët tanë janë pasuria më e madhe dhe se arti është gjuha më e bukur për të shprehur ëndrrat, dashurinë dhe kulturën tonë./Tv Koha/

