Lajme nga vendi
Në muajt e fundit Tetova është përballur me një rritje të dukshme të Lypësve nëpër rrugët e qytetit
Në muajt e fundit, qyteti i Tetovës është përballur me një rritje të dukshme të numrit të lypësve, të cilët janë bërë një pjesë e përditshmërisë në rrugët e qytetit. Kjo situatë ka nxitur shqetësim mes qytetarëve dhe institucioneve lokale, të cilët po kërkojnë mënyra për të adresuar këtë problematikë sociale. Lypësit, të cilët shpesh janë të moshuar, gra me fëmijë të vegjël, dhe të rinj të pa punë, përballen me një jetë të vështirë dhe të pasigurt. Shumë prej tyre janë të detyruar të lypin për shkak të varfërisë ekstreme, mungesës së mundësive për punësim dhe ndihmës së pamjaftueshme nga ana e institucioneve shtetërore. Autoritetet lokale kanë shprehur shqetësimin për këtë situatë dhe kanë njoftuar se po përgatiten masa për të ndihmuar këta individë, duke përfshirë ndihma sociale të përmirësuara dhe programe për rehabilitimin dhe integrimin e tyre në shoqëri. Fiitore Ziberi nga QPS tha se numri në rritje i lypësve në Tetovë po bëhet një problem gjithnjë e më shqetësues për banorët e qytetit.
FITORE ZIBERI; Megjithatë, sfida mbetet e madhe, pasi shumë prej këtyre individëve ndodhen në një rreth vicioz, nga i cili është vështirë të dalin pa ndihmë të specializuar dhe të vazhdueshme, Shumica e qytetarëve të anketuar e pranojnë se prania e lypësve është rritur ndjeshëm, veçanërisht në zonat qendrore dhe përreth tregjeve nga ana tjetër, kanë shprehur ndjenja të ndryshme për këtë situatë, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe humanizmit, por edhe nevojën për një qasje më të rreptë dhe efektive nga ana e autoriteteve për të parandaluar lypjen si një formë jetese.
Në një situatë ku numri i lypësve në Tetovë vazhdon të rritet, është e qartë se kjo problematikë kërkon një përgjigje të koordinuar dhe të qëndrueshme. Ndërsa Qendra për Punë Sociale po ndërmerr hapa për të ndihmuar dhe rehabilituar individët në nevojë, qytetarët gjithashtu kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur duke treguar solidaritet dhe mbështetje. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe përkushtimit të të gjithëve, mund të arrihet një zgjidhje që jo vetëm do të përmirësojë jetën e lypësve, por edhe do të kontribuojë në një qytet më të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë. Ermira Selami Tv Koha
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

