Lajme nga vendi
Uji i pijshëm, dy projekte drejt finalizimit në Tearcë
Kryetari i Komunës së Tearcës, Nuhi Neziri, ka bërë të ditur se dy projektet për përmirësimin e gjendjes me ujin e pijshëm për fshatrat Tearcë, Përshefcë dhe Gllogjë janë në përfundim e sipër. Bëhet fjalë për projektin e rezervuarit të ujit të pijshëm në fshatin Tearcë, i cili ka kapacitet për 600 metër kub ujë, si dhe projekti i stacionit të filtrimit të ujit të pijshëm për vendbanimet Përshefcë dhe Gllogjë. Projekti i parë për rezervuarin e ujit të pijshëm në fshatin Tearcë pritet të rrisë kapacitetet grumbulluese të ujit, ndërsa është në fazën përfundimtare, thotë kryetari Neziri.
“Mendojmë se ky projekt do të plotësojë normat optimale sasinë e ujit të një pjese kryesore, sepse rezervuari paraprak është në kapacitet prej 500 metër kub, pra në total kalojnë një mijë metër kub ujë në rezervuarët e ujit. Ky projekti është në vazhdën e përmbylljes së problemit me ujin e pijshëm në fshatin Tearcë, sepse paraprakisht është përmbyllur edhe sistemi i shpërndarjes në tërë vendbanimin dhe drejtpërdrejt do të lidhet në rezervuarin e ri. Ky investim, sipas projektimit, ishte i parashikuar rreth 400 mijë euro dhe është në fazën përfundimtare, thuajse jemi në fazën përfundimtare e objektit në fjalë dhe besojmë se deri në fund të vitit do të jetë në shërbim të qytetarëve”, deklaroi kryetari Neziri.
Në ndërkohë, sipas tij, është në përfundim e sipër edhe projekti i stacionit të filtrimit të ujit të pijshëm për vendbanimet Përshefcë dhe Gllogjë.
“Ky kapacitet ka qenë i madh edhe për sa i përket vlerës që kalonte mbi një milion euro. Edhe për këtë projekt, punimet filluan këtë vit, dhe është në finalizim e sipër. Aty merr pjesë me participim edhe komuna, që do të bëjë lidhjen e marrjes së ujit nga kaptimi e deri tek stacioni i filtrimit. Prandaj, shpresojmë se në bashkëpunim me kompaninë që realizon punët me siguri do përmbyllim punimet dhe do të tejkalojnë pritshmëritë për furnizim me ujë të pijshëm këta dy vendbanime”, thotë Neziri. Këto dy projekte, sipas Nezirit, pritet të zgjidhin problemet me ujin e pijshëm në këto vendbanime. Në disa vendbanime rritet cilësia e ujit, kurse në disa projekte rritet sasia e ujit.
“Që prej fillimit ne jemi përkushtuar jo vetëm nga ana e sasisë, gjë për të cilën flasin dy rezervuarët për fshatin Tearcë, por në të njëjtën kohë është bërë zgjerimi i rezervuarit në fshatin Përshefcë, ku ne kemi dhënë kontributin tonë. Gjithashtu, fshati Gllogjë ka kapacitetet e rezervuarit, por kërkohej sasi që tani është shtuar, kurse stacioni i filtrimit rrit cilësinë e ujit. Për këto tre vendbanime jemi të bindur që kjo kërkesë dhe ky problem themelor do të zgjidhet përgjithmonë”, njofton kreu i Tearcës. Gjendja me ujin e pijshëm është problematike pothuajse në të gjitha vendbanimet e Komunës së Tearcës. Në disa vendbanime ka mungesë të ujit të pijshëm ku banorët detyrohen që mbushin ujë në fshatrat përreth sidomos gjatë verës.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

